Hapet thirrja për muzikantët e rinj në programin “OneBeat Balkans 2024“

15 Dhjetor, 2023 - 9:30 am

Është publikuar thirrja për pjesëmarrës në programin “OneBeat Balkans 2024“, me qëllim që të mblidhen muzikantë të rinj të moshës 19-35 vjeç, qytetarë të shteteve në vijim nga: Bosinia dhe Hercegovina, Shqipërisë, Kroacisë, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Serbisë, dhe ShBA-së.

Prej 6 deri më 26 mars 2024, ky grup muzikantësh do të luajë së bashku, do të krijojë muzikë të re, dhe do të udhëtojë nëpër Ballkan duke e shpërndarë frymën e bashkëpunimit, komunitetit, dhe barazisë.

Linku për të aplikuar është https://forms.gle/zZw8wn5yW6PZLFiY6 dhe afati i fundit është data 20 dhjetor 2023.

OneBeat Balkans do t’i mbledh 12 muzikantë të angazhuar në shoqëri, të cilët së bashku do të prodhojnë muzikë dhe përmbajtje shumëdisiplinare, të udhëheqin punëtori publike, dhe ta përdorin artin si mjet pajtimi dhe zhvillimi ekonomik në pjesët e përçara të Ballkanit. Programi zgjat për 20 ditë, nga 6 deri më 26 mars, 2024, dhe përfshin periudhën e rezidencës muzikore në Prizren, e cila do të ndjeket nga një turne koncertesh në Prishtinë dhe Beograd. OneBeat Balkans është pjesë e projektit të gjerë global OneBeat, i krijuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si nismë e Byrosë për Edukim dhe Çështje Kulturore e Departamentit të Shtetit Amerikan dhe prodhohet nga Bang on a Can’s Found Sound Nation. OneBeat Balkan është inkubator muzikor, ku muzikantët nga e gjithë bota krijojnë projekte bashkëpunuese të dizajnuara për të pasur ndikim pozitiv në komunitetet lokale dhe globale.

Me një numër të madh pjesëmarrësish në të kaluarën, është krijuar hapësira që të organizohen programe OneBeat jashtë ShBA-së, dhe kështu filloi OneBeat Balkans. Edicioni i parë u mbajt në vitin 2019, i drejtuar nga Balkan Art Zone me ish-pjesëmarrësin Bajram Kafu Kinolli si themelues i programit.

Është e rëndësishme të theksohet së edukimi formal muzikor nuk është i domosdoshëm për të aplikuar për OneBeat Balkan. Po ashtu, projekti nuk ka kufizime për nga zhanri: muzikantët që bëjnë muzikë tradicionale ose folklorike, hip hop, xhaz, eksperimentale, elektronike a klasike, dizajnerë muzikorë dhe artistë multimedialë, të gjithë janë të ftuar të aplikojnë. Çfarë duhet të dini për OneBeat Balkans: Bashkëpunimi është qendror. OneBeat Balkans ua jep muzikantëve mundësinë të bashëpunojnë me projekte të reja dhe të gjurmojnë tradita të reja muzikore. / KultPlus.com

Të ngjajshme