‘Uragani’ i Bob Dylan, ende emblemë e rezistencës ndaj racizmit

10 Maj, 2021 - 12:31 pm

Nga Xhezair Dashi

Kënga ‘Hurricane’ e Bob Dylan është protestë në vete. E gjithë substanca e lëvizjes ‘Black Lives Matter’ gjindet brenda kësaj kënge të para 45 viteve.

Arti, prej që kur ekziston, konsiderohet si arma më e fuqishme e rezistencës dhe protestës ndaj padrejtësive shoqërore, politike, ekonomike, institucionale, e të tjera. 

Mundësia për të përdorur lirinë dhe fuqinë e artit, e bënë atë domosdoshmëri për një shoqëri të shëndetshme dhe humane.

Arti është parë edhe si armik i natyrshëm ndaj qeverive shtypëse, totalitare, raciste që kanë synuar të tjetërsojnë lirinë dhe kultivimin e frymës njerëzore. Mbase në kohët më të errëta, fuqia e artit ka qenë më e madhe, pikërisht për shkak të elementit protestues.

“Hurricane” (1975), bazohet në një ngjarje të vërtetë të atletit Robin ‘Hurricane’ Carter, një boksier “që mund të kishte qenë kampion i botës”, thënë në fjalët e këngës. 

Por, ai u shpall fajtor që dhe u burgos për 19 vjet, padrejtësisht, për një vrasje në një bar në New Jersey në vitit 1966.

Bob Dylan dëgjoi për këtë rast shumë më vonë dhe u shqetësua thellësisht, për çka edhe nisi ta shkruajë këngën për ‘Uraganin’ Carter.

Shkrimtari dhe profesori universitar, Ag Apolloni, për këngën “Hurricane” thotë se “është një këngë narrative, që ka fituar popullaritet të pazakontë për tri arsye: e para, tema mbi burgosjen e një njeriun të pafaj e të pafat; e dyta, ritmi muzikor; e treta, tekstura poetike”.

“Realisht, kjo  këngë, në shkrimin e së cilës ka asistuar edhe një psikolog [Jacques Levy], është epike (narrative), që nis me një krismë në një lokal dhe mbaron me një si klithmë e akuzë në vokal: ‘ai mund të ishte kampion i botës’”, shkruan Ag Apolloni.

Kënga “Hurricane” e kombinon tërbimin kundër padrejtësisë, ndjenjën e turpërimit ndaj një shoqërie ku drejtësia është lojë e disave (Nuk mund të mos jem i turpëruar, të jetoj në një tokë, ku drejtësia është lojë), dhe çështjen e racizmit të shëmtuar. 

Bob Dylan, si një regjisor filmi, në këtë këngë (8-10 minuta), e tregon të gjithë ngjarjen gati se në mënyrë filmike.

Në dhjetor të vitit 1975, Dylan-i performoi në një koncert në New York, në Madison Square Garden, ku mblodhi 100,000 dollarë për mbrojtjen e Carter-it.  

Më 1985, Robin ‘Hurricane’ Carter u lirua nga burgu nga një gjyqtar i ri, i cili konkludoi se akuza dhe dënimi i tij ishte i motivuar racialisht e jo në arsye të bazuara, por tanimë kishin kaluar 19 vjet privim nga liria për Carter-in.

Edhe nga lansimi i këngës kanë kaluar 45 vjet dhe shumë pak gjëra kanë ndryshuar. 

Prandaj, “Hurricane” është ende po aq relevante. /albanianpost/ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme