Harpistja Pancaroğlu dhe Orkestra Harkore e Filharmonisë shkrijnë tingujt në një koncert të përbashkët emocional

4 Mars, 2024 - 4:37 pm

Vjollca Duraku
Foto: Arben Llapashtica

Një koncert shumë emocional u dhurua të shtunën mbrëma, në koncertin e parë për muajin mars nga solistja harpiste Şirin Pancaroğlu dhe Orkestra Harkore e Filharmonisë së Kosovës, nën drejtimin e dirigjentit Edon Ramadani, shkruan KultPlus.

Atelieja e Pallatit të Rinisë e cila është bërë vend i zakonshëm për mbajtjen e koncerteve të Filharmonisë, mbrëmë mysafirët i kishte akomoduar në një kënd ndryshe, ku në ballë të sallës, në formë harku ishte rezervuar vendi për Orkestrën Harkore, përderisa publiku ishte i shpërndarë në të tre anët e saj.

Me një duartrokitje u pritën instrumentistët në skenë, së cilës për pak pritej t’i bashkangjitej edhe dirigjenti Ramadani. Me tinguj jo shumë të lartë filloi koncerti me interpretimin e veprës “Sinfonietta për orkestër harqesh” të autorit Drinor Zymberi.

Tinguj mjaft të qetë, e të rrallë u ekzekutuan pak më vonë, vibrimi i së cilëve sikur donte të tregonte një histori me karakter serioz. Ndërsa “Allegro” filloi me tinguj më të lartë, të cilët shkonin për tu bërë më të qetë e për tu përsëritur disa herë, për t’i dhënë shije mjaft të këndshëm veshit të dëgjuesit.

Pikat tjera të cilat u interpretuan në këtë koncert ishin: “Valle për harpë dhe orkestër harqesh” të Claude Debussy, “Ata që duan, nuk vdesin” të Nihavend Longa dhe “Suita e Holbergut, OP.40”, të Edvard Grieg, të cilat dhuruan tinguj mjaft të ndjerë për publikun.

Por, “Vaji i flamingove” i kompozuar dhe interpretuar nga vetë harpistja Şirin Pancaroğlu dha një tjetër spektër emocional.  Ky “Vaj i flamingove” i shkrirë mjeshtërisht në tinguj harpe, shtriheshin qetësisht dhe thellësisht në sallë, si shpërfaqje e një momenti personal trishtues të cilin e kishte përjetësuar artistja në vepër disa vite më parë.

Harpa dhuronte tinguj melankolikë dhe terapues njëkohësisht, të cilët qetësisht integroheshin shumë natyrshëm te publiku, nga ku edhe njëfarë mënyre kjo vepër mori vulën e interpretimit nga durartrokitjet pambarim të publikut në sallë.

Pas koncertit në një prononcim për KultPlus foli koncert-mjeshtri i Filharmonisë, Festim Fanaj, i cili tha se në këtë mbrëmje kishte përjetuar emocione shumë të mira, të cilat erdhën si rezultat i një ekzekutimi maestral nga të gjithë instrumentistët.

“Programi ka qenë shumë i mirë. Ka kaluar një kohë e gjatë që Filharmonia nuk ka performuar me një harpiste. Pancaroğlu është një zonjë shumë e aftë në instrumentin e harpës, andaj na solli edhe shumë emocione. Njëkohësisht edhe veprat tjera të cilat i punuam me dirigjentin tonë Edon Ramadani i kemi realizuar në mënyrën sa më të mirë të mundshme. Sonte, ka qenë me të vërtetë shumë bukur, kemi përjetuar shumë emocione të mira, dhe të gjitha veprat janë luajtur në mënyrë maestrale, nga të gjithë”, ka thënë Fanaj.

Koncert-mjeshtri Fanaj gjithashtu tha se profesionalizmi i harpistes Pancaroğlu kishte bërë që me orkestrën e Filharmonisë të shkriheshin në një, për një kohë shumë të shkurtër, edhe përkundër faktit që interpretimi me harpë është mjaft i rrallë.

“Bashkëpunimi ka qenë shumë i mirë, ne jemi ndërlidhë shumë shpejt me solisten, pasi që është tejet profesioniste. Nuk na është dashur të punojmë shumë në përgjithësi, vetëm në detaje. Kështu që, jemi përshtatur shumë shpejt, kemi pasur një energji të përbashkët  dhe me të vërtetë edhe neve na pëlqeu si instrument, por edhe perfomanca e saj na bëri që të shkrihemi së bashku në një tingull dhe gjithçka shkoi shumë bukur”, ka thënë koncertmjeshtri Fanaj.

Ndërsa, dirigjenti Edon Ramadani, koncertin e mbrëmshëm tha se e kishte përjetuar thellësisht sa i përketë aspektit emocional.

“Koncerti i sotëm ka qenë një performancë emocionale. Kam hyrë në muzikë shumë thellë, natyrisht duke iu falënderuar profesionalizmit të orkestrës që kam pasur para meje. Këtë koncert kemi pasur edhe një mysafir të veçantë. Nuk besoj që kemi pasur shpesh ndonjë harpist ose harpiste në Kosovë, kështu pas një kohe mjaftë të gjatë kemi pasur një harpiste të mrekullueshme me të cilën së bashku me orkestër e kemi luajtur dy valle nga Claude Debussy”, ka thënë Ramadani.

Dirigjenti Ramadani foli edhe për programin e koncertit ku tha që ishte goxha i larmishëm, duke filluar nga kompozitorët lokal e deri te impresionizmi i Claude Debussy, duke potencuar edhe profesionalizmin e solistes Pancaroğlu dhe Orkestrës Harkore të Filharmonisë.

“Bashkëpunimi ka qenë mjaft i lehtë sepse ajo edhe si njeri është shumë e thjeshtë. Ishte me të vërtetë kënaqësi bashkëpunimi me harpisten Pancaroğlu. Njejtë edhe me Filharmoninë e Kosovës, ku nuk është bashkëpunimi i parë i imi, unë jam pjesë e kësaj shtëpie që nga viti 2006-‘07  kur kam punuar si asistent dirigjent i korit të Filharmonisë dhe kohë pas kohe pastaj jam ftuar si mysafir qoftë me korin, orkestrën, qoftë me korin edhe orkestrën. Kështu që gjithmonë është kënaqësi për tu kthyer në ‘shtëpinë time të vjetër’”, ka thënë Ramadani.

Kurse, solistja Pancaroğlu interpretimin së bashku me Filharmoninë e Kosovës e ka quajtur moment të çmuar për karrierën e saj.

“Jam shumë e prekur nga zhvillimi i kësaj orkestre kur dijmë se pas luftës ishin vetëm 13 muzikantë kur filloi. Ajo rritet vazhdimisht dhe shpresojmë se do të bëhet edhe me një sallë të koncerteve. Është një moment shumë i çmuar për mua. Kjo është hera e tretë që kam luajtur në Kosovë, por asnjëherë më parë nuk kam luajtur me Filharmoninë e Kosovës”, ka thënë Pancaroğlu duke potencuar gjithashtu që frymëzimi i saj për të krijuar vepra lidhet me tema të ndjeshme të shoqërisë, siç ishte edhe vepra “Vaji i Flamingove” të cilën e kishte krijuar pasi inxhinieria e ndërtimit kishte vendosur që në një habitat të flamingove të ndërtohej një kompleks banesor. Artistja e lumtur tregon që disa muaj pas interpretimit të kësaj vepre, projekti në fjalë ishte ndaluar të ndërtohej./ KultPlus.com

Të ngjajshme