“Hashima”, jazz kuarteti nga Beogradi performojnë në Kino Armata

7 Shtator, 2018 - 8:45 pm

Jazz kuarteti nga Beogradi ‘Hashima’ të cilët kombinojnë përvoja të ndryshme muzikore drejt aventurave të reja, stili i të cilave është vështirë i definueshëm, do të zbarkojnë për të performuar në Kino Armata në Prishtinë më datë 8 shtator duke filluar nga ora 21:00, shkruan KultPlus.

Gravitas (lat. Graviteti), në kontekst shkencor, është fenomeni natyror ku të gjitha gjërat me masë ose energji i afrohen njëra tjetrës; në shoqëri, kjo fjalë përshkruan dikë ose diçka që ka peshë dhe rëndësi. Gjatë Gravitas, Armata shndërrohet në qendër të toneve dhe harmonive, zhurma unifikohet dhe bëhet dimenzionale, duke krijuar platformë me rëndësi për dialog kulturor.

Muzikantët dhe zhanret që i inspirojnë “Hashima” përfshijnë Wayne Shorter, Vasilije Mokranjac, Igor Stravinsky, improv, rok dhe folklor. Poetika e tyre anon kah arthouse filmat dhe letërsia evropiane, me gërshetim sublim të thelbit të muzikës origjinale të Hashima, duke i dhënë karakter programor. Temat e komponimeve të Igor Mišković përfshijnë motive muzikore plotësisht të zhvilluara përmes aranzhimeve dhe improvizimit të lirë, pa kufizime në zhurmë ose miniatura lirike. Katër instrumente të ndryshme dhe senzibilitetet bashkohen në formë, të zhveshur prej karakteristikave tradicionale stilistike, përmbajtja e të cilave është e inspiruar nga ishulli i largët dhe i braktisur i Japonisë – Hashima.

The Haywain, albumi i dytë i Hashima, ka dalur në tetor 2017 dhe është masterizuar në studion franceze La Buissone nga Nicolas Baillard (i cili i masterizoi dhe incizoi më shumë se 30 ECM albume).

Koncerti përkrahet nga Komuna e Prishtinës dhe Iniciativa Kosovare për Stabilitet (IKS)./KultPlus.com

Të ngjajshme