Historia e panjohur e këngës “Imagine”: Imagjino ta bësh një këngë të bukur, për një botë më të bukur

11 Tetor, 2018 - 7:15 pm

Me fotot e papublikuara më parë dhe me shumë intervista të harruara e të nxjerra nga arkivat, një libër i ri – i publikuar në ditën që do të ishte ditëlindja e 78-të e John Lennonit – mëton të zbërthejë historinë prapa këngës “Imagine”, shkruan Fiona Macdonald, transmeton Telegrafi.

Përfundimisht është himn i paqes; një odë për idealizmin. Por, “Imagine” (Imagjino) është edhe këngë dashurie. Kur ishte kompozuar, në vitin 1971, John Lennon dhe Yoko Ono ishin qe tre vjet bashkë. Ajo u kritikua ashpër nga disa, si një “grua dragua” që kishte shkatërruar martesën Lennonit me Cynthian – dhe, në këtë aspekt edhe grupin The Beatles. Megjithatë, një libër i ri nga botuesi Thames & Hudson sugjeron se Ono ishte keqinterpretuar – madje edhe për meritat për krijimin e këngës. Në një intervistë të vitit 1980, Lennon ka thënë se ai e Ono ishin që të dy përgjegjës për këngën “Imagine”; më 2017 Ono u njoh veç formalisht si bashkautore e këngës ikonike.

John and Yoko pranë veprës së George Adamyt (qershor 1970)

Siç rrëfen libri – përmes një koleksioni të rrallë të fotografive dhe të intervistave, bashkë me detajet tjera të bërjes së albumit me të njëjtin titull – Lennoni dhe Ono e frymëzuan njëri-tjetrin që nga takimi i parë.

Në vitin 1966, Lennoni shkoi të shihte një ekspozitë të Onos në Galerinë “Indica” të Londrës. Ai donte të jepte një kontribut në veprën “Hammer a Nail” (Bjeri gozhdës me çekan). Ono ishte e gatshme ta linte. Në një intervistë ajo kishte thënë: “Thash: ‘Në rregull nëse paguan pesë shilingë’. Sepse, mendova që piktura ime nuk do të shitej fare”.

Lennon kishte ide tjetër: “I thash: ‘Dëgjo, po të jap pesë shilingë imagjinarë dhe godite me çekan një gozhdë imagjinare. A është në rregull?’ Dhe, tërë puna shkoi: ‘Imagjino këtë, imagjino atë.’”

Ono përgjigjet: “Imagjino, imagjino. Dhe mendova: ‘Ueh, ja një tip që po e luan lojën e njëjtë si unë’. Isha e tronditur. Thash: ‘Kush është ky?’”

Lennon bleu piano të bardhë “Steinway”, si dhuratë për ditëlindjen e Onos (1971)

Ajo nuk e njohu Lennonin: “Kisha dëgjuar për The Beatles, e njihja emrin Ringo. Askush nuk do të më besojë, por kjo ishte kështu. Ringo mbahet mend, sepse Ringo në japonisht i bie mollë. E dija që The Beatles janë fenomen social, por Rock’n’Rolli më kishte anashkaluar.”
Ono i ofroi Lennonit një kthim në art: “Gjithmonë kisha si ëndërr takimin me një artiste me të cilën do të bie në dashuri. Që nga shkolla e artit… Ishte si të gjeja ar apo diçka të tillë.” Teksa e shihte, diçka ndizej në të: “E di ti se kishte një sens humori në punën e saj? Ishte qesharake,” ka thënë ai në një intervistë. “Disa nga punët e saj më bënin të qeshem. Kështu, u interesova sërish për artin, përmes punës së saj.”

John and Yoko në dhomën e tyre të fjetjes (gusht 1971)

Një punë e vitit 1964, do të ndihmojë në veçanti për ta krijuar këngën “Imagine”. Libri i Onos, “Grapefruit” (Grejpfruti) ka disa momente që ndikuan te Lennoni. Aty janë vargjet: “Imagjino retë të pikojnë; hape një vrimë në kopsht për t’i futur aty.” “Imagjino ta lësh një peshk të artë të notojë në qiell.” “Imagjino mijëra diej në qiell në të njëjtën kohë.”

Pamje nga xhirimet për këngën “Imagine” (1971)

Lennon e pranonte këtë: “Kishte shumë pjesë ku thuhet, ‘imagjino këtë’, ‘imagjino atë… ‘Imagine’ nuk do të ishte bërë pa të. E di se ajo ka ndihmuar në shumë tekste, por nuk isha tamam burrë për t’ia dhënë meritat. Pra, kjo këngë ishte shkruar nga John dhe Yoko. Kënga shpreh atë që unë mësova teksa isha me Yokon dhe ndjenjat e mia për të. Duhej të thuhej ‘Lennon/Ono’ për atë këngë, sepse ajo kontribuoi shumë”.

John and Yoko pranë një kabine telefoni në Nju Jork (korrik 1971)

Në këtë libër Ono zbulon se si ata duhej të përballnin një reagim negativ si çift, pavarësisht asaj që dukej kulturë e mendimit të lirë në Londër. “Një energji e re synonte të ndryshonte strukturën klasore në Angli dhe edhe botën”, thotë ajo. “Johni dhe unë u bashkuam në atë atmosferë. Pra, ishim të befasuar se e ashtuquajtura shoqëri hipikësh e asaj kohe, së cilës i përkisnim të dytë, u kthye kundër nesh posa e shpallën bashkimin tonë… Hipizmi i tyre merr fund kur Johni, lideri i tyre, zgjedh për partnere një grua të Orientit. Nuk e kemi kuptuar se kishte kaq racizëm…”

Një foto e bërë me Polaroid, ku është Yoko me Andy Warholin

Ono e pranon se ajo ishte pjesë e këngës “Imagine”: “Johni dhe unë u takuam – ai vjen nga Perëndimi e unë nga Lindja – dhe ende jemi së bashku”, tha ajo në vitin 1980. “Kemi këtë njëshmëri dhe ‘e gjithë bota mund të bëhet një’ është ndjenja se të gjithë do të jemi me ngjyra të kombinuara dhe të lumtur së bashku.”

Kënga në një farë mënyre merret me imagjinimin e një bote tjetër, në nivelin e dy njerëzve, por edhe në një kuptim më të gjerë. “George Orwelli dhe gjithë ata njerëz kanë projektuar pikëpamje shumë negative për të ardhmen. Dhe imagjinimi i një projekti është një fuqi e fortë magjike,” thotë Ono. “Kështu është krijuar shoqëria, nga imazhet negative. Prandaj, kemi tentuar të krijojmë një imazh pozitiv i cili, natyrisht, do të krijonte një lloj tjetër të shoqërisë.”

“Imagine” – një nga këngët më të suksesshme të Lennonit në solo-karrierën e tij, e cilësuar si nga më të mirat në histori

Lennon i referohej dëshirës së njerëzve për të fluturuar – “e cila ka marrë shumë kohë, por fillimisht duhej dikush ta imagjinonte.” Ai ka thënë kështu: “Bënim – mund ta quani magji, meditim apo projektim i cakut – atë që bëjnë njerëzit e biznesit, që kanë caqet e tyre. Futbollistët i kanë. Ata luten, meditojnë para loje… Njerëzit e projektojnë të ardhmen e tyre. Kështu, ajo që donim të thoshim ishte: ‘Le ta imagjinojmë një të ardhme më të mirë.’”

Ono përshkruan se si ata ndjeheshin për këngën, kur u publikua më 1971: “Të dy e pëlqyem këngën, por nuk e besonim se do të kthehet në këngë të fuqishme, në tërë botën… Ne e bëmë sepse besuam te fjalët dhe se e reflektonte atë që ndjenim.”

Yoko te pianoja e saj “Steinway”, në moshën 85-vjeçare

Ndërkaq, sipas Lennonit: “Kënaqësia më e madhe është të bëj një këngë – fjalët dhe tekstet – që do të zgjasin më shumë se dy vjet. Këngët që dikush mund t’i këndojë. Këngët që ndoshta do të më mbijetojnë. Dhe, kjo ma jep kënaqësinë më të madhe.” /KultPlus.com