17 Maj, 2025 - 10:53 pm
Vjollca Duraku
Mbrëmë, në skenën e Chopin Piano Fest në natën e katërt të edicionit të 15-të ka interpretuar “magjistari i tastierës”, pianisti Istvan Lajko, shkruan KultPlus. Një mënyrë e veçantë interpretimi e solistit hungarez ka sjell magjinë e tingujve të muzikës klasike, përmes prekjeve të buta dhe elegante të tasteve bardh e zi, që krijonin përshtypje se po prekej shpirti i pianos.
Një mjeshtëri e rrallë si kjo, përqëndronte vëmendjen e audiencës në çdo sekondë, për të cilën gjë ai është shpërblyer në konkurse ndërkombëtare si: Granx Prix- Çmimi i Parë dhe dy çmime speciale në Konkursin Ndërkombëtar për Piano Listz- Bartok- Ligeti. Lajko është dekoruar edhe me titullin Kalorës i Kulturës Universale.
Tingujt e kompozitorit Sergei Rachmaninoff në veprën “Variations on a theme of Corelli op.42” emetoheshin rrallë fillimisht, duke të dhënë mundësinë për të shijuar muzikën mes heshtjes së tingujve. Këta tinguj dërgonin në një botë ku mbretëronte një harmoni absolute, ku tingulli ndriçonte esencën e secilit pjesëmarrës.
Kurse, tingujt e autorit Franz Schubert “3 Piano Pieces D.946” emetoheshin me një interval më të shpejtë. Një kolonë e tingujve që dilnin nga lëvizjet milimetrike të pianistit “me duar prej pambuku” krijonte jehona të vazhdueshme që i jepnin gjallëri mbrëmjes. Ndërkaq, në veprën e Franz Listz “Variations on a Theme of Bach-“weinen, Klagen, Sorgen, Zagen” S. 180” njëra dorë e solistit dhuronte ndjeshmëri që thehej sa herë që tingujt me tone të larta përshkonin sallën me shpejtësi.
Veprat “3 Petrarch Sonnets S. 161/ 4- 6” dhe “Hugarian Rahpsody No.15 S. 244/15” të kompozitorit Listz ishin të fundit që u dhanë në këtë mbrëmje magjike me tinguj që përcillnin, ndjeshmëri, dashuri dhe harmoni në skenën e festivalit më të madh të muzikës klasike në vend.
Pas koncertit, në një prononcim për media artisti Istvan Lajko ka thënë se për të tretën herë në Prishtinë ka përjetuar një përvojë të jashtëzakonshme.
“Me kënaqësi e kam pranuar ftesën për pjesëmarrje në festival nga Lejla dhe Besa. Jam këtu për të tretën herë me radhë, pas viteve 2014 dhe 2019. Koha e kaluar këtu është e mrekullueshme. Është një qytet i jashtëzakonshëm, një publik i mrekullueshëm dhe ka ushqime fantastike. Koncerti pati një program të vështirë, por shpresoj që kam arritur të përçoj te publiku atë që kam dashur. Sonte ishte një audiencë shumë entuziaste, kështuqë jam shumë i lumtur që përjetova momente të mrekullueshme në skenë” ka thënë artisti Lajko.
Në një prononcim për KultPlus, drejtoresha artistike e festivalit, Lejla Pula ka thënë se interpretimi i pianistit Lajko në mbrëmjen e së premtes ka dhënë kulminacion në virtuozitetin pianistik.
“Unë personalisht dhe tërë ekipa jonë jemi shumë të lumtur që këta artistë pranojnë të vijnë në festivalin “ Chopin…”. Ju pëlqen kjo sallë dhe këto kushte që janë të improvizuara. Vërtetë po krijohet një atmosferë e bukur. Publiku është i mrekullueshëm, dëgjon me vëmendje dhe mundohet ta përjetojë muzikën. Ata janë një nivel i artistëve që vërtetë e nxisin këtë përjetim. Sonte ishte Lajko, ka qenë edhe herë të tjera në “Chopin…”. Është mik i yni nga Hungaria, i cili punon në tri universitete në Evropë. Është i mrekullushëm. Është një pianist i cili luan në tërë botën. Ju e patë është vërtetë i jashtëzakonshëm”, ka thënë drejtoresha Lejla Pula, duke komentuar interpretimin e tij të jashtëzakonshëm dhe misionin e festivalit “Chopin”.
“Unë jam e lumtur që përsëri kishim mundësi të shijojmë muzikimin e tij. Kjo lojë pianistike, me këtë tingëllimë kaq të pastërt, të kristaltë, vërtetë është kulminacion në virtuozitetin pianistik. Jam shumë e lumtur që sonte kishte studentë të Pianos, të cilët janë kënaqur duke e ndëgjuar veprën posaqërisht veprën e Listz, por edhe veprën e Rachmaninoff. Këto janë perla të literaturës pianistike. Ky është edhe synimi ynë. Unë si pianiste mendoj që misioni jonë i organizimit pikërisht është ky: që ti sjellim këto vlera në Prishtinë, në mënyrë që Prishtina të frymojë si një kryeqytet i cili kultivon edhe vlera të mirëfillta shumë të larta të muzikës klasike”, ka thënë Lejla Pula.
Koncerti i radhës i Chopin Piano Fest mbahet më 20 maj me pianistin Nathanaël Gouin, në ora 20:00, në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare./ KultPlus.com