Jackson me album dhe turne të ri muzikorë

11 Shkurt, 2020 - 12:00 pm

Jackson do të kthehet në rrugë gjatë vitit 2020, për turneun e saj të ri i cili ka për qëllim promovimin e albumit të saj të 12-të të incizuar në studio, “Black Diamond”.

“Tung të gjithëve! I kam dëgjuar me kujdes kërkesat dhe dëshirat tuaja, dhe tani ju informoj se jam duke punuar rreth albumit tim të ri, si dhe gjatë verës do ta realizojë turneun tim të radhës. Që të dyja projektet e mbajnë titullin “Black Diamond”. Shihemi së shpejti…,” kishte shkruar këngëtarja në prononcimin e saj në Instagram.

Turneu i pop yllit të njohur botëror pritet të përfshijë muzikë nga albumi i ri, si dhe hite të ndryshme nga karriera e saj 38-vjeçare si solo këngëtare. Ajo, po ashtu do ta interpretojë albumin e vitit 1989, “Janet Jackson’s Rhythm Nation 1814”, i cili në shtator të vitit të kaluar e shënoi 30 vjetorin e lansimit, transmeton Koha.net.

“Black Diamond” është albumi i parë i Jackson-it në pesë vjetët e fundit, dhe vjen pas albumit të vitit 2015 “Unbreakable”. Ndërsa turneu i këngëtares në Amerikën Veriore, pritet të fillojë me 25 qershor në Miami dhe të përmbyllet më 23 gusht në Tacoma të Washingtonit.

Biletat e koncerteve të këngëtares dalin në shitje nga 13 shkurti përmes kompanisë promovuese “Live Nation”, ndërsa data e lansimit të albumit “Black Diamond” ende nuk është bërë e ditur.

Vitin e kaluar, ikona e muzikës pop Jackson i publikoi ribotimet e disa albumeve të saja klasike, përfshirë këtu incizimin e vitit 1987 “Control: The Remixes”, atë të vitit 1989 “Rhythm Nation 1814”, albumin e 1993-ës “Janet”, atë të vitit 1997 “The Velvet Rope” dhe albumin e vitit 2001 “All for You”. Në korrik të vitit 2019, Jackson e përfundoi pjesën e dytë të turneut “Metamorphosis” në Las Vegas.

Janet Jackson, e cila i numëron 17 këngë të pozicionuara në top 10-shen e toplistave muzikore në Britani të Madhe, po ashtu gjatë verës së kaluar, performoi për herë të parë në festivalin e njohur të muzikës, “Glastonbury”. /KultPlus.com

Të ngjajshme