Jehona e tunxhit vazhdon deri në fund të dhjetorit

25 Dhjetor, 2018 - 2:00 pm

“Prishtina Brass” do ta përmbyllë vitin 2018 me 3 koncerte të cilat do të mbahen në qytetin e Pejës dhe Prishtinës, shkruan KultPlus.

Me 26 dhjetor me fillim nga ora 18:00, ansambli i tunxhit Prishtina Brass dhe mezzo-sopranoja Fjolla Ratkoceri do të prezantohen para publikut të Pejës, në sallën e Fakultetit të Arteve në Pejë.

Me 27 dhjetor në ora 19:00, publiku i kryeqytetit do të ketë mundësi ta ndjek koncertin e “Prishtina Brass” në Kino Armata.

“Prishtina Brass”  që është ansambël tunxhi, i pari i tillë dhe i vetmi në Kosovë do të prezantohen edhe më 29 dhjetor në ora 20:00, në kuadër të aktiviteteve kulturore që mbahen në shesh me rastin e tregut të fundvitit, organizuar nga Komuna e Prishtinës.

Koncertet mundësohen me përkrahjen e Ministrisë së Kulturës dhe Komunës së Prishtinës.

Ansambli i tunxhit përbëhet nga instrumentistë profesionistë të cilët janë gjenerata e parë e tunxhit në Kosovë.  Të gjithë instrumentistët e ansamblit janë pjesë e Filharmonisë së Kosovës, ndërsa ansambli si i tillë funksionon edhe në kuadër të FSK-së (Forcës së Sigurisë së Kosovës) dhe është mjaft aktiv nëpër ceremoni të ndryshme ushtarake.

Ansambli Prishtina Brass ka një repertor mjaft të gjerë. Stili muzikor i Prishtina Brass është një kombinim i periudhave te ndryshme muzikore duke mos përjashtuar edhe veprat dhe këngët e ndryshme te ditëvë të sotme.

Ansambli rëndësi të veçant i kushton sidomos muzikës shqipe, duke mos përjashtuar edhe muzikën jazz. Prishtina Brass njihet si promotor i muzikes në hapsira publike. Për disa vite ka realizuar një numër të konsiderueshëm të koncerteve nëpër sheshet e qyteteve të ndryshme të Kosovës.

Ansambli që nga themelimi është mjaft aktiv si me koncerte, ashtu edhe me prezantime të ndryshme. Që nga viti 2012 kur ka filluar së funksionuari, ka realizuar një numër të konsiderueshëm koncertesh dhe prezantimesh të ndryshme në Kosovë dhe rajon. Ka realizuar për 5 vite radhazi turne koncertesh në shumicën e qyteteve të Kosovës si dhe në Tetovë, Tiranë, Bujanoc etj.

Është prezantuar në festivale të ndryshme të cilat janë bartëse të kultivimit dhe zhvillimit të muzikës serioze në Kosovë dhe Shqipëri si: Festivali ndërkombëtar i Prishtinës ReMusica, International Albanian Brass Festival, Netët e Prishtinës, Festivali HAPU, Kosova Brass Festival etj…

Ansambli është kuintet standart, mirëpo varësisht nga programi që luan, bashkëpunon dhe me instrumentistë tjerë si të tunxhit, perkusioneve, solokëngëtarë etj.

Instrumentistët e këtij ansambli janë:

Avni Krasniqi – Trumpetë I

Ardit Pira – Trumpetë II

Bledar Bujupi – Korno

Betim Krasniqi – Trombon

Meriton Ferati – Tubë

Të ngjajshme