Katër mbrëmje në edicionin e katërt të ”Prishtina International Vocal Festival”

20 Tetor, 2021 - 12:43 pm

Prishtina International Vocal Festival nga data 26 deri më 29 tetor do të jetë pranë publikut kosovar me edicionin e 4-të me radhë, shkruan KultPlus.

Sipas organizatorëve, këtë vit festivali është i fokusuar në katër mbrëmje, ku do të prezantohen katër koncerte të pasura me vokale të ndryshme, me  laramani veprash e kompozitorësh vendor dhe të huaj.

Të njëjtit kanë njoftuar se festivali këtë vit nis me sopranon Stefani Dudikj nga Maqedonia, e cila do interpretoj vepra nga kompozitorë të epokave e stileve të ndryshme, nën shoqërimin e pianistit Milan Jankuloski poashtu nga Maqedonia. Nata e dytë e festivalit do vazhdojë me ‘’Skena e Re’’ ku do performojnë solokëngëtare të reja e mjaft të talentuara nga vendi ynë, si: Urta Haziraj, Anita Kërhani, Elona Sadiku, Vanesa Krasniqi, nën përcjelljen e pianistit Andi Duraku.

Nata e tretë e PIVF do vazhdoj me tenorin shqiptar nga Maqedonia, Ismet Vejseli, fitues i shumë çmimeve ndërkombëtare, i shoqëruar nga pianistja Anastasija Gichevska, të cilët sjellin në skenë një program mjaft të pasur.

Dhe nata e katërt dhe përmbyllëse e festivalit sjell në skenë Korin e Fakultetit të Arteve të Universitetit ‘’Haxhi Zeka’’ në Pejë, të udhëhequr nga dirigjenti Hysen Nimani, me një program veprash të kompozitorëve shqiptar dhe atyre të huaj.

“Edhe këtë vit, PriVocalFest ka hapur konkursin e dytë me radhë për kompozitorët e rinj që të konkurrojnë me vepra korale a cappella ose me shoqërim të ndonjë instrumenti”, thuhet në fund nga organizatorët, të cilët kanë shpjeguar se të gjitha koncertet do të zhvillohen në Kishen Katolike “Shën Ndou” në Prishtinë nga ora 19:00./ KultPlus.com

Të ngjajshme