Këngëtarja Alanis Morissette lanson albumin e ri muzikor të premten

28 Korrik, 2020 - 8:24 pm

Ka qenë një vit i ngarkuar me angazhime për rok artisten e shpërblyer me çmim “Grammy”, Alanis Morissette.

Ajo e festoi 25 vjetorin e albumin e saj që theu rekorde, “Jagged Little Pill”, dhe një version muzikor i këtij incizimi debutoi në skenën e Broadwayit në muajin dhjetor, shkruan AP.

Morissette po ashtu ka punuar vazhdimisht në studio incizuese rreth realizimit të albumit të saj të nëntë, “Such Pretty Forks in the Road” i cili do të lansohet këtë të premte. Ky do të jetë albumi i saj i parë në tetë vjetët e fundit, dhe fillimisht ishte planifikuar të lansohej në muajin prill por është shtyrë për disa muaj shkaku i pandemisë së koronavirusit, transmeton Koha.

Alanis Morissette gjithashtu kishte planifikuar ta mbajë një turne i cili e shënonte përvjetorin e lansimit të albumit të suksesshëm të vitit 1995, por është detyruar ta shtyjë atë për shkak të krizës shëndetësore globale.

Morissette e cila është nga Ontario e Kanadasë, kishte filluar të merret me muzikë qysh në moshën 10-vjeçare. Si tinejxhere, pas një karriere në zhanrin e muzikës pop ajo u shpërngul në Los Angeles, ku edhe e pati bashkëshkruar albumin “Jagged Little Pill”. Atëkohë asnjë shtëpi diskografike nuk kishte pranuar të nënshkruajë kontratë me të, përveç kompanisë së këngëtares Madonna, “Maverick”.

Nga ai moment, karriera e këngëtares dhe kantautores së njohur mori rrugë drejt sukseseve të jashtëzakonshme, duke e shndërruar atë në një prej artisteve më të vlerësuara të asaj kohe.

Ndërkaq, në një intervistë të fundit, Morissette ka folur për sfidat që i ka sjell fama në jetën e saj. Tutje, këngëtarja e cila është nënë e tre fëmijëve ka treguar se karantina ka qenë mjaft e vështirë për të, dhe se i është dashur të mbështetet mbi terapitë me psikolog dhe ilaçe, për ta menaxhuar depresionin.

Albumi i ri “Such Pretty Forks in the Road” do të lansohet më 31 korrik, dhe deri më tani Morissette i ka publikuar katër këngë të këtij incizimi, “Reasons I Drink”, “Smiling”, “Diagnosis” dhe “Reckoning”. /KultPlus.com

Të ngjajshme