Kompletohet Ekipi i Vlerësimit Teknik për Sallën Koncertale në Prishtinë, projekti kapë vlerën e 15.4 milionë euro

9 Maj, 2018 - 2:45 pm

Sot drejtori i Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës, Yll Rugova, ka treguar se tashmë është kompletuar edhe Ekipi i Vlerësimit Teknik për Sallën Koncertale që do të ndërtohet në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Sipas një publikimi në rrjetin social Facebook, Yll Rugova, ka treguar se projekti do të mbështetet në vlerë prej 15.4 milionë euro nga fondet e Bashkimit Evropian ndërsa ka theksuar se deri në fund të vitit do të përzgjidhet projekti fitues me konkurs ndërkombëtar.

“Tashmë është kompletuar edhe Technical Assesment Team (TAT) për Sallën Koncertale që do të ndërtohet në Prishtinë. Ky projekt që tashmë do të mbështetet në vlerë prej 15.4 milionë euro nga fondet e Bashkimit Evropian.

Sipas planit aktual, pas analizave finale nga ekspertët dhe diskutimeve me komunitete dhe palë të interesit, deri në fund të vitit do të përzgjidhet projekti fitues me konkurs ndërkombëtar. Është lajm shumë i mirë se disa arkitektë me renome botërore veçse kanë shprehur interesimin të marrin pjesë.

Me këtë projekt të përfunduar, Kosova do ta ketë investimin më serioz në kulturë në këto vitet e pasluftës. E ky duhet të jetë veç fillimi, projektet tjera të mira janë në proces”, ka shkruar Yll Rugova./ KultPlus.com

Të ngjajshme