Kompozitori Ardian Halimi pranon çmimin “Hanns Eislet” për vitin 2024 në Gjermani

12 Tetor, 2023 - 3:12 pm

Kompozitori me prejardhje nga Kosova, Ardian Halimi, ka pranuar mbrëmë çmimin “Hanns Eisler” për vitin 2024 nga qyteti i Leipzigut, Gjermani, çmim të cilin ja dorëzoi ministrja e kulturës e qytetit të Leipzig-ut, shkruan KultPlus.

Me këtë rast, gjatë kësaj mbrëmje është luajtur edhe vepra “Quartet” e kompozitorit Halimi nga “Ensemble Avantgarde” si pjesë e serisë së koncerteve “musica nova” në sallën koncertale Mendelssohn në Gewandhaus Leipzig.

Kompozitori Hlimi është shprehur i nderuar pas marrjes së këtij çmimi.

“Ndihem i nderuar dhe ju falënderoj të gjithëve nga zemra për mbështetjen tuaj”, shkruan Halimi.

Juria e përbërë nga Stefan Conradi (Edition Peters), Prof. Stefan Fricke (Hessischer Rundfunk), Annette Schlünz (kompozitore) dhe Prof. Ipke Starke (HMT Leipzig), e kryesuar nga kompozitori dhe pianisti Steffen Schleiermacher, ka zgjedhur atë në mesin e 47 aplikimeve.

Bursa Ndërkombëtare Hanns Eisler është  pjesë e një programi kompozitor-në-rezidencë që është unike në Evropë: Kompozitori Halimi, i lindur në vitin 1990, merr 5,000 euro për shpenzimet e tij të jetesës dhe mund të banojë në vendlindjen e Hanns Eisler-it (Hofmeisterstrasse 14 në Leipzig), për pesë muaj pa pagesë nga maji i vitit 2024, në mënyrë që t’i përkushtohet projektit të tij të punës, të përshkruar më parë.

Steffen Schleiermacher dhe Ansemble Avantgarde do të shfaqin premierën e veprës së përfunduar në aktivitetin e parë të musica nova të sezonit të ardhshëm, pra në tetor 2024. / KultPlus.com

Të ngjajshme