Koncert me balada irlandeze, skoceze e shqiptare në Akademinë e Shkencave

28 Qershor, 2022 - 8:30 pm

Një koncert i pazakontë është zhvilluar në mjediset e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Grupi irlandezo-skocez “Duncreagan”, për herë të parë në Shqipëri, ka performuar për të pranishmit këngë të repertorit të tyre mjaft të veçantë e tradicional.

Në konferencën për mediet, lideri i grupit “Duncreagan”, Thomas McKean tha se Shqipërinë e ka njohur nga folklori, duke studiuar historinë e lashtë të popullit shqiptar, por edhe këngë të vjetra shqiptare.

Koncerti nisi me 2 dy balada të vjetra shqiptare “O yll i bukur” dhe “Kopile, moj kopile”, që sipas akademikut Vasil Tole, tek ato balada janë zbuluar elementë që iu përshtaten instrumenteve tradicionale që përdor grupi “Duncreagan”.

Të njohur për këngët e tyre të pazakonta dhe për meloditë emocionuese, repertori i “Duncreagan” përfshin balada skoceze, histori tragjike dashurie, “muzikë goje” dhe këngë galike, shoqëruar më shumë nga instrumentet e thjeshta e të vjetra të muzikës popullore tradicionale, që mundësojnë performanca muzikore nga marshet, te meloditë e ngadalta.

Akademiku Vasil Tole tha se ky koncert është si një bori paralajmëruese e një veprimtarie të rëndësishme, siç është Konferenca e 50-të Ndërkombëtare e Studiuesve të Baladës që do të mbahet nga Akademia e Shkencave në shtator në bashkëpunim me Komisionin Ndërkombëtar të Baladave.

Konferenca e 50-të Ndërkombëtare e Studiuesve të Baladës ka një rëndësi të veçantë për kërkimin shkencor të traditës dhe trashëgimisë kulturore. Konferenca do të hedhë dritë në dimensionet e njohjes së krijimtarisë të kohëve moderne dhe produktet e saj si pjesë e folklorit dhe traditës.

“Ky kërkim ka të njëjtën vlerë me kërkimet në arkeologji”, tha akademiku Shaban Sinani./atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme