Koncerti “Frymë dashurie” nga Wind Ensemble dëshmoi se ilaçi më i mirë është fryma e dashurisë

10 Qershor, 2021 - 12:56 pm

Era Berisha

Premiera e koncertit ‘Frymë dashurie’ nga grupi Wind Ensemble erdhi si një portretizim i vendtakimit në kohë dhe hapësirë ku njeriu bartet nga tingujt e muzikës që përmes frymës së dashurisë e përqafojnë shpirtin e qenies njerëzore. Tingujt dhe meloditë që buronin nga instrumentet frymore si: flauta, klarineta, saksofoni, fagoti si dhe instrumenti ritmik: perkusionet, sollën vepra nga kompozitorë botërorë, shqiptar dhe boshnjak, duke rrëmbyer kështu emocionet e publikut në një përqafim të vetëm, shkruan KultPlus.

Hapjen e koncertit ‘’Frymë dashurie’’, e nisi drejtori i organizatës jo-qeveritare ‘’Aksioni kundër Dhunës dhe Ndërtimi i Paqes’’, Nexhat Ismajli, i cili fillimisht dhuroi disa informacione mbi këtë organizatë duke bërë të ditur realizmin e projekteve të ndryshme në një qasje artistike në fushat si: drejtimi i paqes, luftimi për paqen, ballafaqimi me të kaluarën dhe jo vetëm. Ai kryesisht është shprehur falënderues për pjesëmarrjen e të pranishmëve duke i uruar atyre një natë të këndshme.

Programi i koncertit përfaqësonte një repertor mjaft të larmishëm ku u performuan vepra nga më të njohurat e deri tek ato të cilat rrallë herë interpretohen. Muzika që përhapej në tërë ambientin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, dha dritë mbi temën e ballafaqimit me të kaluarën ku kombinimi i stileve të ndryshme muzikore u shpalosë në një koncert që dhuroi frymë dashurie por edhe në njëfarë mënyre morri frymën e të pranishmëve sa herë që instrumentet gjallëroheshin pas një pauze disa sekondash për të vazhduar performimin e veprave diversive.

Koncerti i realizuar në kuadër të projektit “Ballafaqimi me të kaluarën në Kosovë”, u interpretuar nga grupi ‘Wind Ensemble’ në një mënyrë të mahnitshme ku inkuadrimi i duarve, frymës dhe tërë gjendjes shpirtërore të instrumentistëve së bashku me shoqërimin e cicërimave të zogjve që dëgjoheshin nga larg dhe aromën e gjelbërimit që kishte kapluar vendin, mbizotëruan atmosferën me një klithmë dashurie që pamëshirë dhuronte melodi e tinguj të llojllojshëm.

Ndërsa, për të folur më shumë rreth idesë për të realizuar këtë koncert, për KultPlus foli vetë përfaqësuesja e ANP-së, Emine Ismajli.

‘’Ideja ka ardhur qysh herët kur Nitën e kemi pas në trajnim dhe gjatë bisedave tona kemi ardhur në një ide që të realizojmë një koncert dhe unë e titullova me emrin ‘frymë dashurie’. Tema jonë fokusohet në ballafaqimin mbi të kaluarën dhe që nga paslufta ka ndodhur shumëçka duke përfshirë edhe pandeminë, andaj ilaçi më i mirë është fryma e dashurisë”, thotë Ismajli.

Sipas saj, grupi ishte i mrekullueshëm ku janë përpunuar edhe dy këngë të reja të komuniteteve tjera që flasin për dashuri por në veçanti pozita e femrës në shoqëri nëpër kohë të ndryshme.

“Komplet koncerti ishte një bashkëbisedim mes kulturave, popujve dhe kohëve të ndryshme. Jam e mahnitur sepse ishin të shkëlqyer edhe individualisht por edhe si grup më lanë pa frymë”, përfundon Ismajli.

Gjithashtu, për të folur rreth bashkëpunimit me organizatën, procesin e provave dhe përshtypjeve të saj për këtë koncert, për KultPlus foli instrumentistja, Nita Krajku. 

“Bashkëpunimi ka ardhur në atë mënyrë se ne njihemi sepse unë isha pjesë e trajnimit me ANP-në, ku i njoftova për grupin tonë duke shprehur dëshirë për të bashkëpunuar me neve dhe ftesa e tyre ishte mjaft e mirëseardhur”, thotë Krajku.

Sipas saj, pasi që kauza e ANP-së ka të bëjë me mirëqenien, mirëkuptimin dhe ndalesat e paragjykimeve dhe stereotipave në raport me komunitetet në Kosovë dhe instrumentet frymore, andaj ky koncert edhe u titullua ‘frymë dashurie’.

“Selektimi i veprave është përzgjedhur nga bashkëpunimi me ANP-në, ku kemi vendosur për kompozitorë botërorë për shkak se kemi studiuar mjaft shumë për ta dhe kompozitorët shqiptar janë të domosdoshëm për tu luajtur, kurse veprat boshnjake erdhën si pjesë e veçantë sepse kështu është krijuar një barazi për gjithsecilin”, thotë Krajku.

Për Krajkun, vepra e tretë me radhë e titulluar ‘Maskarada’, ishte një vepër që ajo e shijoi jashtëzakonisht shumë sepse është shumë intensive dhe nuk ka pushime për shkak të stilit atraktiv që e posedon. Me një stil popullor armenian dhe difuzion klasik, vepra është shumë tërheqëse dhe e veçantë për të.

“Procesi i provave ishte shumë i gjatë sepse arti muzikor dhe instrumentistët jetojnë nga provat sepse ato e arrijnë perfeksionin edhe pse gjithmonë ka vend për përmirësim për të bërë muzikën më të sofistikuar dhe më të pëlqyer. Por, ia vlejti sepse atmosfera e publikut ishte tejet e mirë dhe ata ishin shumë të lumtur”, përfundon Krajku për KultPlus.

Ky projekt është duke u implementuar në partneritet me KURVE Wustrow nga Gjermania dhe përkrahet financiarisht nga Ministria Federale e Gjermanisë për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ). / KultPlus.com

Të ngjajshme