Një burrë është dënuar me 17 vjet burgim për vdekjen e Mac Millerit

17 Maj, 2022 - 7:30 pm

Një burrë ka marrë dënimin prej më shumë se 17 vjetësh burgim, në rastin gjyqësor që lidhet me vdekjen e reperit Mac Miller.

Ylli i hitit “Self Care”, emri i vërtetë i së cilit ishte Malcolm McCormick, vdiq tragjikisht në shtator të vitit 2018 nga mbidoza aksidentale me kombinimin e fentanilit, kokainës dhe alkoolit.

Të hënën (16 maj), Stephen Walter u dërgua në burgun federal për ta shërbyer dënimin prej 210 muajsh, për rolin e tij në kryerjen e krimit që rezultoi me vdekjen e reperit të famshëm, raportoi të martën portali “Female”.

Stephen Walter, Ryan Michael Reavis dhe Cameron James Pettit, u paditën në vitin 2019 për komplot dhe shpërndarje të drogave me pasojë vdekjen.

Sipas dokumenteve të gjykatës, Walter, i cili gjithashtu u akuzua si kriminel me posedim municionesh, i kishte thënë të pandehurit Ryan Reavis që t’ia shpërndante pilulat me fentanil Cameron Pettitit, i cili më pas ia kishte shitur ato reperit të ndjerë.

Pak para shqiptimit të dënimit nga gjykatësi, në sallë u lexua një deklaratë emocionale nga nëna e reperit të ndjerë, Karen Meyers.

“Jeta ime u errësua në momentin kur Malcolm u largua nga kjo botë. Ai ishte më shumë se vetëm djali im, ishte njeriu im i preferuar. Ne e gëzonim një raport të afërt me njëri-tjetrin dhe lidhje të thellë, speciale e të pazëvendësueshme. Flisnim bashkë pothuajse çdo ditë dhe diskutonim për gjithçka, jetën e tij, planet për të ardhmen, muzikën, ëndrrat e tij. Prandaj e di që ai kurrë nuk do ta konsumonte një pilulë, po që se do ta dinte që ajo përmban fentanil. Ai dëshironte të jetojë dhe ishte i entuziazmuar për të ardhmen. Boshllëku që vdekja e tij ka lënë në zemrën time do të ekzistojë përgjithmonë”.

Edhe Walter iu drejtua gjykatës me ç’rast këmbënguli se ishte “me të vërtetë i penduar”, megjithëse i mohoi disa raporte për sjelljen e tij të supozuar.

“Veprimet e mia kanë shkaktuar shumë dhimbje dhe për këtë ndihem vërtetë i penduar. Unë nuk jam person i tillë, që dëshiron t’i lëndojë të tjerët. Por, në dokumentet ligjore thuhet se unë kam vazhduar të sillem në të njëjtën mënyrë, edhe pasi e kam kuptuar se pilulat e mia kanë shkaktuar vdekjen e një personi, dhe kjo gjë nuk është e vërtetë”, deklaroi Walter.

Tutje, i pandehuri vazhdoi duke thënë se nuk e kishte idenë së pilulat e tij do të përfundonin në pronësi të Mac Millerit.

Avokati i Walterit e konfirmoi për mediat se ai nuk planifikon ta apelojë dënimin e tij. /KultPlus.com

Të ngjajshme