Kori i Fakultetit të Arteve “Haxhi Zeka” prezantohet para publikut gjerman

17 Tetor, 2018 - 11:25 pm

Kori i Fakultetit të Arteve nga dega e muzikës së Universitetit “Haxhi Zeka” të Pejës, i kryesuar nga dekani i këtij fakulteti, Hysen Nimani, është duke qëndruar në Gjermani, atje ku po realizojnë suksesshëm rrugëtimin artistik me tri koncerte, shkruan KultPlus.

Gjatë kësaj vizite ky kor i është bashkuar korit të Universitetit të Essenit dhe anëtarëve të korit kamertal të Meckenheimit nga Gjermania të fëmijëve dhe të rinjve St. Remigius Dusseldorf, ku së bashku me orkestrën simfonike “Heinrich Heine Symphoniker” janë paraqitur para publikut gjerman në sallën koncertale “Mendelson” të Tonhalle të Duseldorfit.

Në koncertet e Korit të Fakultetit të Arteve nga Universiteti “Haxhi Zeka” luhet edhe vepra shumëe njohur e Carl Orffit e quajtur “Carmina Burana”.
Kjo vepër e luajtur për të parën herë në vitin 1937 në teatrin e operës së Frankfurtit është përmbledhje e disa këngëve “Carmina Burana” që edhe sot është shumë e dashur dhe e popullarizuar të publiku artdashës.

Kori i Fakultetit të Arteve nga dega e muzikës së Universitetit “Haxhi Zeka” të Pejës kishte filluar përgatitjet që nga fundi i gushtit dhe ka vazhduar deri këto ditë në drejtimin e profesorit dhe dekanit të këtij fakulteti, Hysen Nimani.

Dekani Nimani i ka kushtuar rëndësi të veçantë këtij projekti dhe ka punuar më shumë përkushtim këtë vepër, si dhe përkushtimi i studentëve në prova ka qenë i jashtëzakonshëm, shkruan rtk.

Ftesa për bashkëpunim me ansamblet nga Gjermania ishte iniciuar nga dirigjenti dhe pianisti, Desar Sulejman, i cili ka dëshmuar vetën para publikut gjerman dhe atij evropian.

Sulejmani ishte aprovuar prej udhëheqjes së orkestrës “Heinrich Heine Symphoniker” të Dusseldorfit me rastin e festimit të 25-vjetorit të themelimit të kësaj orkestre.

Këto dy koncerte do të dirigjohen nga Desar Sulejmani. Vetëm në këtë muaj Desari do jetë me tri orkestra të ndryshme para publikut në Gjermani dhe në Maqedoni me shtatë koncerte.

Dekani Hysen Nimani ka falënderuar Desar Sulejmanin për mundësinë e dhënë që kori nga Fakulteti i Artëve në Pejë të përformojë para publikut gjermanë.

Nimani ka theksuar se vepra “Carmina Burana” është vepër që kërkon masivitet dhe kërkon përgatitje të mirë nga artistët në skenë.

Kjo vepër në tërësi ende nuk ka mundur të realizohet nga artistët kosovarë para publikut. “Urojmë që studentë tanë të kenë suksesin e dëshiruar para publikut gjerman”, ka thënë ai.

Krejt në fund, Nimani ka falënderuar firmën “Kelmendi GmbH” nga Kosova dhe Gjermania që ka paguar qëndrimin në hotel për studentë e Fakultetit të Artëve./ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme