14 Qershor, 2025 - 12:12 pm
Mbrëmë, në kishën “Shën Ndou” Kori i Filharmonisë së Kosovës ka mbajtur koncertin e radhës, nën drejtimin e dirigjentes Michelle Jensen, shkruan KulPlus. Një repertor i pasur me vepra evropiane premierë i ka dhënë institucionit dhe publikut një freski përmes një filozofie interpretative amerikane, përmes tingujve të veçantë të emetuar nga profesionistët e muzikës korale.
Dirigjentja amerikane Michelle Jensen ishte risia e kësaj mbrëmjeje të bukur, e cila po mbahej në Ditën e Kishës “Shën Ndou”. Një energji solare shpërthente gjithandej sallës nga prezenca e fuqishme skenike e drejtueses Jensen, të cilën Kori i Filharmonisë së Kosovës, me gjithsej 50-të këngëtarë e kthenin në tinguj që ndjeheshin thellë nga publiku në sallë.
Jensen është dirigjente korale dhe pedagoge, që në klasifikimet e Billboard-it është renditur në vendin e parë. Në Universitetin “Azusa Pacific” ajo është udhëheqëse e studimeve korale dhe dirigjente e formacioneve vokale kamerale dhe koreve të aratoriove. Përgjatë karrierës së saj ajo ka drejtuar edhe performanca në katër kontinentet. Përveç punës në skenë ajo është aktive edhe në studio, duke drejtuar regjistrime për artistë si Lady Gaga.
Veprat që u interpretuan janë: “Locus Iste”- Brian Sidders,”Cristus factus est”- Anton Bruckner, “Christus Factus Est” Felice Anerio, “Ave Maria”-Jacob Handl, “Ave Maria” Patti Drennan, “AVE Verum Corpus”- Richard Burchard, “The evening star, Whispers of summer, Summer is gone”- Samuel Coleridge- Taylor, “The once invisible gardën”- Dale Trumbore (Lekë Spahiu-piano), “Nocturnes”- Morten Lauridsen, “When the violin”- Reena Esmail (Antonio Gashi- violonçel, Kaltrina Miftari, Andra Rexhepi, Etrit Nura, Rizah Jahaj) dhe “Shkoni krushqi”- Drinor Zymberi.
Dirigjentja. Michelle Jensen ka thënë se është i rëndësishëm gërshetimi i zhanreve të muzikës së vjetër me atë të ditëve të sotme.
“Instrumentistët janë fenomenalë dhe kanë talent të shfaqur. Ata punojnë shumë dhe janë shumë fleksibil. Unë po u jepja stile të ndryshme por ata i mirëpritën shumë mirë, dhe ishte lumturi më vete për të punuar me Korin. Repertori ishte i përzgjedhur nga e gjithë bota, shumica nga ta ishin kompozitorë të njohur amerikanë që unë i njoh shumë mirë. Ne po ashtu prekëm dhe frymën e renesancës dhe disa vepra klasike. Mendoj se është shumë e rëndësishme që asnjëherë mos ta harrojmë muzikën e lashtë sepse muzika është lidhja jonë me të kaluarën. Ne duhet të mbështesim po ashtu edhe muzikën që është duke u shkruar tani. Duhet të bëjmë një gërshetim të dy zhanreve pasi që muzika vjen nga shpirtrat e njerëzve”, ka thënë dirigjentja Jensen, duke potencuar edhe pëlqimin e saj për veprat shqipe.
“Vepra e kompozitorit shqiptar është diçka që më pëlqeu shumë dhe unë asnjëherë nuk kisha interpretuar një vepër shqipe më herët por punova shumë me të dhe ishte shumë qejf pasi që është një kulturë e re për mua. Jam e dashuruar me ritmin, harmoninë e veprave shqipe dhe mezi po pres të mësoj më shumë”, ka thënë Jensen.
Ndërsa, dirigjenti dhe ish- drejtori i Filharmonisë, Baki Jashari ka thënë se koncerti i mbajtur nën drejtimin e Michelle Jensen ka qenë një risi për publikun dhe posaçërisht një përvojë shumë e vyer për korin e Filharmononisë.
“Është përzgjedhur një program i veçantë dhe kompakt, ku disa prej titujve ishin të njëjtë por nga kompozitorë të ndryshëm. Ajo ka dashur të shpalos vepra sakrale, diku rreth 70%. Pjesa e fundit e programit kishte rezervuar disa vepra shumë interesante që nuk i kemi dëgjuar. Edhe veprat e shekullit të kaluar. Ishin interesante sidomos për korin, ishte një përvojë e veçantë. Edhe puna e dirigjentes si një jo-evropiane ishte përvojë në vete. Amerikanët kanë një tjetër qasje ndaj vokalit, ndaj muzikës. Filozofia e tyre e interpretimit është krejt tjetër. Edhe pse ishin veprat e shek. XVIII dhe më të vonshme, ishte një qasje më ndryshe”, ka thënë dirigjenti Jashari.
Kurse, pianisti Lekë Salihu ka thënë se ndihej i nderuar për faktin se ai ishte në rolin e pianistit shoqërues dhe të solistit në këtë koncert unik.
“Dirigjentja Jensen na ka sjell një program shumë unik, nga i cili shumë vepra ishin edhe premiera evropiane. Mendoj që i ka sjellë freski edhe institucionit të Filharmonisë edhe qytetit të Prishtinës, me këtë program unik. Unë pata kënaqësinë dhe nderin që të jem në rolin e pianistit shoqërues dhe solist. Shpresoj që të ketë sa më shumë aktivitete sikurse ky. Mendoj që janë të veçanta kur njerëzit i kombinojnë eksperiencat e ndryshme prej vendeve të ndryshme, mendoj që gjithmonë do të ketë rezultate pozitive”, ka thënë pianisti Salihu./ KultPlus.com