Kori i Grave “Muza” po vijnë me koncert, do të interpretojnë dhjetë këngë të mirëfillta shqipe

21 Nëntor, 2023 - 2:35 pm

Muzika, një forcë e pazëvendësueshme në jetën tonë, ka ndikim të madh në aspekte të ndryshme të jetës, duke përfshirë socializimin, argëtimin, shëndetin mendor, dhe vetë-besimin. Në këtë kontekst, profesoresha e muzikës, Albina Jakupi, në muajin maj të këtij viti krijoi Korin e Grave “Muza” me synimin për të sjellë diçka të re dhe frymëzuese për gratë, duke përdorur muzikën si mjet për të shprehur emocionet dhe historitë e tyre, shkruan KultPlus.

Profesoresha Jakupi shprehet se kori është një mundësi e re dhe një derë e hapur për secilën grua që ka pasion muzikën.

Gjithashtu, Jakupi inkurajon gratë të mos kenë frikë të ndjekin ëndrrat e tyre, pavarësisht moshës, duke sjellë si shembull korin “Muza”, një grup i përbërë nga 19 gra të pasionuara, të cilat tashmë këndojnë në skenë. Kjo është një dëshmi se muzika nuk njeh kufij moshe dhe se ëndrrat mund të realizohen në çdo moment të jetës.

Kori i Grave “Muza”, më datë 25 nëntor do të sjell një koncert ku do të interpretohen dhjetë këngë të mirëfillta shqipe nën drejtimin e pianistes Etrita Hasani dhe violonçelos Arzije Jusufi.

Në përfundim, Jakupi fton komunën e Gjilanit të mbështesë projektet e tyre të ardhshme, duke shpresuar që skena muzikore të mbushet edhe më shumë me gra të talentuara. Ajo shpreh bindjen se vetëm duke i dhënë mbështetjen e duhur nismave të tilla, ata do të krijojnë një hapësirë të re dhe motivuese për gratë në botën e muzikës.

Koncerti mbahet më datë 25 nëntor, ora 18:30, në Shkollën e Muzikës në Gjilan. / KultPlus.com

Të ngjajshme