Kori i Pejës në stinën koncertore në Gjermani

10 Tetor, 2018 - 4:30 pm

Me ftesë të orkestrës simfonike ‘Henric Heine’ dhe dirigjentit Desar Sulejmani nga Düsseldorf në Gjermani, në kuadër të stinës koncertore, 40 koristë studentë të Korit të Fakultetit të Arteve të Universitetit “Haxhi Zeka” të Pejës, bashkë me dirigjentin dhe profesorin e muzikës pranë këtij Universiteti, Hysen Nimani, do të marrin pjesë në shfaqjen e dy veprave të “Carmina Burana” të autorit Carl Orff në Gjermani.

Koristët nga Peja do të marrin pjesë për periudhën 14 deri 19 tetor.

Qëllimi i ftesës dhe performimit është bashkëpunimi artistik në mes dy vendeve dhe gjithashtu prezantimi i nivelit artistik dhe pedagogjik të Shtetit të Kosovës në këtë koncert, i cili bëhet së bashku me orkestrën simfonike Henric Heine në festimin jubilar për 25 vjetorin e kësaj ngjarje.

Kori do të performojë në tre qytete, në Xanten (më 16 tetor), në Obrehause (17) dhe në Düsseldorf (me 18 tetor). Derisa më datat 16 dhe 18 tetor, Kori do të interpretojnë me orkestrën Simfonike Heinrich Heine në Düsseldorf në të cilin do të interpretohet vepra “Carmina Burana” e Carl Orff nën udhëheqjen e dirigjentit Desar Sulejmani, ndërsa më datë 17 do të jetë në koncertin Capela me interpretimin e veprave shqiptare dhe gjermane nën udhëheqjen e dirigjentit Hysen Nimani.

Udhëtimi i Korit të Fakultetit të Arteve në Universitetin “Haxhi Zeka” të Pejës mbështetet nga vet Universiteti, Komuna e Pejës, Kelmendi GMBH dhe Agjensioni për Financim në Kosovë – AFK. /KultPlus.com

Të ngjajshme