Krasta: ‘Euro Song’ dhe EBU të lumtur që Kosova e ka Festivalin e Këngës

23 Tetor, 2023 - 1:03 pm

Drejtori i Festivalit të Këngës, Adi Krasta në një konferencë për media të mbajtur sot ka thënë se Festivali i Këngës po vjen si festë. Krasta gjithashtu ka pohuar se kanë marrë mbështetjen pozitive për organizim nga “Euro Song” dhe European Broadcasting Union.

“Ne kemi këmbëngulur që Festivali i parë i këngës të bëhet në mes të Prishtinës, kryeqytetit e shtetit, që ai të jetë një festë e madhe siç do të jetë. Festivali i parë jo domosdoshmërisht është i lidhur me garën edhe pse gara është mekanizëm që përdoret për ta bërë më interesant nga pikëpamja e konkurrimit njerëzor”, ka thënë Krasta.

Ai e ka çmuar këtë Festival si ngjarjen më të rëndësishme e karrierës së tij, teksa ka shtuar se netët e festivalit do të transmetohet në Radio Televizionin e Kosovës, Radio Televizionin e Shqipërisë dhe Radio Televizionin e Maqedonisë së Veriut.

 “Drejtori i ‘Euro Song’ dhe drejtori i EBU-së në një shkëmbim që kemi pasur kanë qenë jashtëzakonisht të lumtur që Kosova do të ketë festivalin e vet të këngës. Siç u shpreh njëri prej tyre, një qytet është më i bukur kur ka Festivalin e Këngës”, ka thënë Krasta.

Prezantuesja e njërës prej netëve të Festivalit, këngëtarja Anjeza Shahini në një lidhje të drejtpërdrejtë nga Londra ka thënë se ky është moment i rëndësishëm për muzikën shqiptare.

“Ndjehem e nderuar që marrë pjesë sado pak në këtë Festival historik, i cili do të jetë jo vetëm shumë i rëndësishëm për muzikën shqiptare të Kosovës e të Shqipërisë, por edhe për publikon që uroj ta bëjnë pjesë të kalendarit  çdo tetor ta gëzojë sa më shumë me art e muzikë”, ka thënë Anjeza Shahini.

Krasta tregon detaje të sallës dhe të ardhmes së Festivalit, falënderon menaxhmentin e RTK-së

Drejtori i Festivalit të Këngës në RTK, Adi Krasta ka thënë se ky organizim uron që të zgjas për shumë vjet dhe se destinimi i saj është festë për jetën kulturore të Kosovës çdo tetor.

Ai ka përmendur se në rrugëtimin organizues ka pasur mbështetjen e menaxhmentit të Radio Televizionit të Kosovës.

“Unë dua të besoj që Festivali do të zgjas, që atë ta shohin edhe fëmijët që s’kanë lindur akoma. Festivali t’i takoj jetës kulturore të Kosovës, që çdo fund tetori të jetë një gëzim për qytetin”, ka thënë ai.

Drejtori tutje ka dhënë detaje të Sallës, e cila dikur nga destinimi i një hapësire të braktisur dhe të djegur, tashmë është shndërruar në adresë fizike për tre netët e festivalit.

“Në sallë kanë ndodhur ndryshime esenciale, kanë dal më shumë se 110 kamiona me bërllog. Shkallët e Pallatit janë larë me ujë me presion për tre ditë rresht dhe bloza që është nxjerrë nga andej tregonte se çka i ndodhur kësaj salle 20 vjet më parë. Ne kemi marrë të gjitha masat që salla të jetë e sigurtë, është ndërtuar një skenë e rëndësishme”, ka thënë ai.

Krasta ka shprehur mirënjohjen e tij ndaj menaxhmentit të RTK-së, për të cilët tha se e kanë ndjerë Festivalin e Këngës po njësoj sikurse ai vet.

“Radio Televizioni i Kosovës po ndërmerr një hap shumë të rëndësishëm, drejtori i përgjithshëm Shkumbin Ahmetxhekaj dhe kolegët e tjerë e kanë marrë festivalin me shumë pasion, ata e kanë parë me të njëjtin këndvështrim siç e kam marrë unë. Ka qenë e pamundur për grupin që po punon, ta bëj Festivalin pavarësisht nga dëshira jonë, nëse struktura menaxhuese nuk do ta ndjenin këtë festival me të njëjtin këndvështrim dhe pasion. Puna jonë ende s’ka filluar”, ka thënë drejtori i festivalit në konferencë për media.

Boshnjaku: Për këtë festë kanë punuar një ‘ushtri artistike’

Drejtori artistik i Festivalit të Këngës i cili është marrë me çdo detaj muzikor e artistik të organizimit, Florent Boshnjaku, ka thënë se për këtë festë kanë punuar një ‘ushtri artistike’.

“Vet fjala Festival është festë, e kemi cekur nga momenti i parë kur jam bërë pjesë. Është me të vërtetë një sipërmarrje e madhe që kanë punuar. Personalisht e kam kërkuar qe sa vite me u mbajt ky festival sepse Kosova ka vite që s’ka diçka të tillë. Duhet me ardh edhe një moment tjetër që jo veç platforma e ‘Euro Song’ por edhe platformat tjera muzikore të cilat munden me u ndërlidh me Festivalin, munden me u përdor në të ardhmen edhe për këngëtarë që janë brenda tregut muzikor, por sidomos për këngëtarët e rinj, që në të ardhmen ta zhvillojnë një bashkëpunim më të madh”, ka thënë Boshnjaku. 

Nëpërmjet këtij Festivali, drejtori artistik ka thënë se jepet edhe një herë mesazhi urgjent për krijimin e një salle koncertale në Prishtinë.

“Kemi punuar mjaftueshëm që të sjellim një punë cilësore, është një ekip e madhe prapa Festivalit, është një ushtri artistike për çdo punë që po bëhet nga RTK. Pritshmëria e të gjithëve mund të jetë e lartë ose jo, por vet fakti që ne po e fillojmë në një sallë e cila ka qenë e djegur qesa vite, mendoj se ky është një alarm që Prishtinës i duhet një sallë për ngjarje të tilla të mëdha. Shpresoj që edhe ky Festival të jetë një nismë për sallën koncertale të Prishtinës”, ka thënë Florent Boshnjaku.

Reshitaj: Edicioni i parë do të hyjë në histori

Këngëtarja e aktorja Edona Reshitaj e cila është prezantuesja e natës së tretë ka thënë edicioni i parë do të hyj në histori.

“Festivalet e para gjithmonë mbeten përpjekjet më të guximshme dhe të rëndësishme të krijimeve artistike të një vendi. Uroj që festivali të ketë shumë vite, por festivali i parë ka me mbet historik dhe kjo na bën secilin me u ndje shumë krenar”, ka thënë Reshitaj.

Edhe Besim Dina, prezantuesi kryesor në krahë të Krastës, ka folur në konferencë për media. “Me Adi Krastën kemi me vërtetu dhe demantu që shqiptari i Kosovës me shqiptarin e Shqipërisë nuk munden me bashkëpunu”, ka thënë me humor Besim Dina, prezantuesi kryesor në krahë të Krastës. / rtk / KultPlus.com

Të ngjajshme