10 Gusht, 2025 - 5:55 pm
Në rajonin piktoresk të Dordogne-s, Francë, u zhvillua edicioni i 43-të i Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës Klasike, duke mbledhur artistë nga e gjithë bota. Këtë vit, Shqipëria ishte vendi i ftuar i nderit, me një program tërësisht të përbërë nga melodi shqiptare nga të gjitha trevat, interpretuar nga Kuarteti TOGHA, formacion i Orkestrës Simfonike të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, së bashku me sopranon e njohur kosovare Flaka Goranci, e cila jeton dhe vepron në Vjenë.
Presidenti i festivalit, Jean Luc Soule, u shpreh i emocionuar për përfshirjen e Shqipërisë dhe vlerësoi lart kulturën dhe artistët shqiptarë:
“Kemi një grup muzikantësh shqiptarë nga Shqipëria, që luajnë melodi shqiptare në këto vende madhështore, dhe në të njëjtën kohë historia e Shqipërisë vazhdon këtë vit. Unë gjithashtu kam një dashuri dhe pasion të madh, mund ta themi, për Shqipërinë, që kur ambasadori më prezantoi me të 7 ose 8 vjet më parë. Dhe kështu këtë sezon e nisim me një këngëtare të mrekullueshme shqiptare të Kosovës, dhe një kuartet harqesh që rrjedh nga formacioni i njohur i forcave të armatosura shqiptare.”
Edhe drejtori artistik i festivalit, Julien Kieffer, vuri në pah emocionin që solli pjesëmarrja shqiptare:
“Kjo është kisha madhështore e Auriac ku koncerti i parë kushtuar Shqipërisë do të zhvillohet në këtë edicion të festivalit, i cili përqendrohet në Mesdhe. Jemi shumë të lumtur të mirëpresim Kuartetin e Orkestrës Simfonike të Forcave të Armatosura me mezzo-soprano Flaka Goranci. Festivali do të vazhdojë me pika kryesore për të nxjerrë në pah kulturën e pasur shqiptare. Do të mirëpresim violinistin e madh Tedi Papavrami, do t’i bashkohemi Marie Ange Nguci, e cila është një pianiste e mrekullueshme që luan në skenat më të mëdha në botë.”
Sopranoja Flaka Goranci, e entuziazmuar nga pritja e publikut francez, theksoi:
“Neve sapo kemi përfunduar koncertin sonte i cili është pritur jashtëzakonisht mirë nga publiku francez. Atë që deshëm të sillnim sonte me kuartetin francez e kemi sjellë në mënyrën më të denjë.”
Ky bashkëpunim artistik solli në Francë tingujt e pasur të traditës shqiptare, të gërshetuar me interpretimin e nivelit ndërkombëtar, duke përçuar emocione të forta te publiku dhe duke forcuar imazhin kulturor të vendit tonë në arenën ndërkombëtare./KultPlus.com