Liburn Jupolli sonte do sjellë koncertin “Gravitas” në ARMATA

19 Shtator, 2018 - 10:00 am

Gjatë GRAVITAS, ARMATA shndërrohet në qendër të toneve dhe harmonive, zhurma unifikohet dhe bëhet dimenzionale, duke krijuar platformë me rëndësi për dialog kulturor, shkruan KultPlus.

Liburn Jupolli është kompozitor, pianist dhe inovator në fushën e muzikës klasike dhe zhanret alternative. Ai ka interes specifik në krijimin e instrumenteve të reja muzikore dhe përmirësimin e komunikimit dhe edukimit muzikor, si medium holistik komunikues dhe vegël për mësimin e lëndëve tjera, sikur matematika. Për momentin ai është duke studiuar në Francë, ku ka fituar titullin Master në EdTech, me fokus në zhvillimin e instrumenteve muzikore dhe komunikim në CRI – Centre de Recherche Interdisciplinaire – Paris Descartes, ku gjithashtu është kandidatë për doktoratë.

Octo është instrumenti i parë të cilin krijoi në vitet 2009-2010 në bashkëpunim me Ari Lehtela (luthier, ShBA/Finlandë); ai ka 8 tela, 43 fusha mikrotonale, 8 dalje të ndara.
Gravitas (lat. Graviteti), në kontekst shkencor, është fenomeni natyror ku të gjitha gjërat me masë ose energji i afrohen njëra tjetrës; në shoqëri, kjo fjalë përshkruan dikë ose diçka që ka peshë dhe rëndësi.

Pjesë e programit do të jetë:

1. Loë Million
2. Øresund Line
3. Horisons d’or
4. KurrizCold Dance
5. Vortex Maisema
6. Snarrh
7. Tout ce que vous savez, mais avec plus d’eau
8. High Million

Programi përfshinë 2 punë nga viti 2015 si dhe ato të fundit, duke kombinuar hapësirat zanore të krijuara nga Octo si solo instrument ‘spacial’, duke hulumtuar tiparet mikrointervalike të instrumentit në ndërthurje me komponimin specifik ‘spacial’ për 8 daljet të cilat i ka instrumenti. Octo, si solo instrument, në punët si “Snarrh”(solo verzion i punës origjinale orkestrale) hulumton urën muzikore të instrumenteve shqiptare dhe ballkanike të cilat kanë një miks të mundësive tonale prej Evropës perëndimore dhe Evropës jug-lindore, duke i kombinuar në vija homogjene të shprehjes dhe në të njejtën kohë si pejsazhe komplekse tonale.

Punët tjera eksplorojnë aspektet totemike repetitive të ISO polifonisë shqiptare dhe këndimit malësor në Kosovë, si reflektim i përsëritjes së perkusioneve afrikane dhe sensibilitetit ballkanik ndaj kompleksitetit ritmik dhe theksit. KurrizCold Dance, Øresund Line dhe Vortex Maisema janë impresione muzikore të strukturave futuristike dhe brutaliste të arkitekturës ballkanike.
Koncerti përkrahet nga Komuna e Prishtinës dhe do të fillojë në ora 21:00, sonte, në Kino ARMATA./ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme