9 Gusht, 2025 - 9:29 pm
Më 9 gusht 1963, në Newark të New Jersey-t, lindi Whitney Elizabeth Houston, një artiste që do të bëhej një nga zërat më të fuqishëm dhe më të dashur të historisë së muzikës moderne.
Me një timbër unik, diapazon të jashtëzakonshëm dhe aftësinë për të shkrirë soul, pop dhe gospel në një harmoni të përsosur, Whitney nuk ishte thjesht këngëtare, por një fenomen kulturor,shkruan KultPlus.
Që me albumin e saj të parë, i cili thyeu rekorde shitjesh në mesin e viteve ’80, ajo u ngjit në majat e klasifikimeve botërore dhe krijoi hite që u kthyen në himne të dashurisë dhe forcës. Performanca e saj e paharruar në filmin “The Bodyguard” dhe kënga “I Will Always Love You” mbeten ndër momentet më ikonike të muzikës dhe kinemasë.
Përtej skenës, Whitney ishte një frymëzim për breza të tërë artistësh, duke hapur rrugë për këngëtare të reja dhe duke treguar se fuqia e talentit të vërtetë mund të kapërcejë çdo kufi.
Edhe pse jeta e saj u shënua nga sfida personale dhe një fund tragjik në vitin 2012, trashëgimia e saj muzikore vazhdon të jetojë, duke i kujtuar botës se disa zëra nuk shuhen kurrë./KultPlus.com