“Ma para thehet bjeshka se besa”

10 Prill, 2019 - 1:59 pm

Atdheu është më tepër se çdo fjalë e thënë për të, është përtej çdo përkufizimi, përtej çdo tingulli e fjale. Atdheu është një dashuri e bashkëdyzuar me vuajtje, dhimbje e mall. Janë të shumtë ata që në mënyra të ndryshme kanë dhënë shumë për atdheun, e dashurinë për të ka edhe  prej atyre që e kanë përkufizuar me dhënien e jetës, gjënë më të çmuar që ka njeriu.

Për këtë dashuri, për këto rrënjë, për këtë histori, për këtë gjuhë për këtë flamur, për këta heronj, artisti Genc Prelvukaj ka shkruar një tekst rrëqethës e të cilit ja ka bashkangjitur edhe tingujt e muzikës për ta kompletuar në mënyrë përfekte.

Ai vendosi të shkruaj për vendin e të parëve të tij, për të shpalosur historinë që ngërthen në vete Plava dhe Gucia.

“Vendi i Origjinës” e ka quajtur këtë dedikim duke prekur kështu zemrat e shumë shqiptarëve e duke bërë që të lëvizin eshtrat e atyre që emri ju kumbon në këngë.

KultPlus ju sjellë tekstin e plotë të kësaj këngë:

“Vendi i Origjinës”

Shiko o bir,  kjo është toka e atdheut tënd

I ulun n`Sarajet e Ali Pashes

Me sy t`mrrolun drejt shkambit t`vajzës

Ku rrijnë malsortë n`krye t`venit

Skifterat e Vuklit e ujtë e Kelmendit

Ku lahuta bjen n`çdo shkrep

Jom unë djali juaj prej n`djep

Ky është vendi i origjinës

Ku pret shpata e Selman Fakut e Pulec Himes

Shqiponjat e ulin terrin

Malet e thrrasin prap Jakup Ferrin

Ku nihet zilja e ogiçit

I njomë gjaku n`fushat e Nokshiqit

Ku flasin edhe gurrat e shterruna

Fjalë  kanë edhe kullat e djeguna

Prej Rugovës deri n`maje t`Shalës

Toka mban erën e gjakut t`Gjon Bales

Shiko o bir,  kjo është toka e atdheut tënd

Sa plagë kanë rrjedhë n`Limin dinak

Sa burra me gjak ka pa orli plak

Sa plumi n`krah e n`trup t`Shqiptarvet

Shekuj me luftë për giuhën e t`parvet

Ky është vendi i Hasan Gjekës

Ku burrat shkojnë me kangë drejt dekës

Me faqe t`bardhë plot me nerë

Pushkë e trimni për secilën derë

Me rrudha n`ballë kundër robnisë

Luftarë e dasmorë me flamur n`shtizë

N`kuvende kur mbledhën

E knojnë n`lahutë Isuf Kamer Çelën

Nure Kurtin me burrat që ranë

Qe vdekjen kurrë me frikë nuk e panë

Ky është vendi i t`parve të mi

Ku gjithçka e gjallë rrjedh kuq e zi

Shiko o bir,  kjo është toka e atdheut tënd

N`sofrën e Plavës nën malet e zeza

Ma para thehet bjeshka se besa

Ku vlen nderi e dashnia e zotit

Prej liqenit deri te burrat e Hotit

Jom si votra që ndezet Janarit

Si fjala e urtë e Bajraktarit

Si plaga e randë n`trup t`ushtarit

Jom unë që se prej n`besë tokën e t`parit

I knojnë shqip nën votër

Fmisë në djep nana me motër

Tokë e trimnisë e jo drojës

Vend i Ismajl Nikocit e Agan Kojës

Si kështjellë me bedena

Tokë e shqiponjës me dy krena

Sot me varrë e sy nga Shqipnia

Fund me nerë nga Plava e Gusia

Shiko o bir,  kjo është toka e atdheut tënd. / KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=ON5iLErRaUg

Të fundit

Të ngjajshme