Madhështia e Skënderbeut e Vivaldit “zbriti” mbrëmë në Prishtinë për të mrekulluar publikun

25 Nëntor, 2018 - 1:30 pm

Jeta Zymberi

Mbi 1000 veta mbrëmë kishin marrë rrugën për në katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë. Të gjithë këta persona po i bënte bashkë një qëllim. Dëshira e madhe për të parë e dëgjuar një nga veprat e rralla që kompozitorët e njohur botërorë i kanë kushtuar heroit kombëtar të Shqipërisë, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.

E kompozuar në vitin 1700 nga kompozitori i njohur italian Antonio Vivaldi, kjo vepër erdhi mbrëmë për herë të parë në Kosovë me rastin e Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. Ky vit njëherësh shënon edhe 300 – vjetorin e shfaqjes së parë të operës “Scanderbeg” nga Vivaldi.

Por vepra lirisht mund të themi që mbrëmë ishte premierë botërore në formatin që u dha sepse është hera e parë që vepra vjen e punuar për shfaqje koncertale.

“Scanderbeg” zë një vend prestigjioz në prodhimin e Vivaldit sepse falë shfaqjes së kësaj opere Vivaldi zgjeroi kufijtë e famës së tij në botën e operës evropiane.

Në këtë operë të Vivaldit, protagonisti nuk i përket mitologjisë por një të kaluare shumë të afërt për atë periudhë. Skënderbeu ishte një figurë shumë e shquar në kujtesën italiane dhe atë evropiane, përveç një personalitet i rëndësishëm politik, është udhëheqësi i vetëm i cili asnjëherë nuk ka pësuar një humbje nga osmanët.

E mbrëmë gjithçka zbriti në Prishtinë. E cilësuar kjo si një mbrëmje madhështore ku numri i të ftuarve ishte i kufizuar kjo për arsye të hapësirës, kjo mbrëmje në kushte të tjera do mblidhte rreth vetës mijëra njerëz të cilëve jo shpesh ju bie të shohin shfaqje të tilla.

Kur të gjithë kishin zënë vendet dhe po prisnin fillimin e tingujve të parë, ku fryma e Vivaldit do të jehonte në sallë, muzikantët të cilët erdhën nga Italia zunë vendet e tyre, dhe me një lëvizje të kokës i konfirmuan njëri tjetrit se gjithçka ishte gati për të nisur tingujt.

Disa tinguj të lehtë filluan t’i shoqërojnë të pranishmit, për të vazhduar tutje të merrnin “forcë” e të kumbonin si forca e heroit tonë për të cilën njihet në mbarë botën.

Jo vetëm fryma e Vivaldit, por në këtë mbrëmje dukej sikur aty kishte zbritur edhe Skënderbeu, me forcën, me hijen e tij të rëndë, me gjithë pushtetin e tij. Një ndjenjë krenarie, e emocion i papërshkruar kishte kapluar të gjithë të pranishmit që po përjetonin secilin tingull të lëshuar.

Përveç muzikantëve të Ansamblit “Aurata Fonte” nga Italia, të cilën kanë prezantuar për herë të parë koncertin për 300 – vjetorin e shfaqjes së parë të veprës Skënderbeu në Firenze, skenën e mbizotëruan edhe dy zërat e kristaltë të sopranos Miho Kamiya dhe kontratenorit Safet Berisha.

Herë njëri e herë tjetri me zërin e tyre kumbues shpalosin pjesë nga vepra e Vivaldit duke e sjellë kështu edhe më afër publikut kosovarë këtë vepër madhështore.

Gjithë kjo performancë nuk kishte ndryshe si të pritej veçse me duartrokitje të shumta të cilat kthyen në skenë edhe njëherë artistët, e këta të fundit nuk i lanë duarthatë, por interpretuan edhe një pjesë shtesë, e krejt në fund në këmbë u ngrit Perikli Pite, një prej personave kyç në organizimin e kësaj opere, i cili tha që ata kishin përgatitur edhe një surprizë. Bëhej fjalë për interpretimin e veprës “Një vallëzim nga Mantova” e cila u mirëprit jashtëzakonisht mirë nga publiku.

I pranishëm në këtë mbrëmje ishte dhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj. Haradinaj tha se kjo vepër frymëzon shqiptarët gjithandej në 550 – vjetorin e vdekjes së kryeheroit të shqiptarëve, Skënderbeut.
Besa Luzha, si njëra prej organizatorëve të koncertit, foli për KultPlus në cilësinë e organizatores ku shpalosi vështirësitë dhe kënaqësinë e sjelljes së kësaj vepre në Kosovë.

“Kemi pasur shumë sfida deri në finalizimin e këtij koncerti, sfida se si ta vendosin operën në version koncertal, përpjekjet e mëdha që ta sjellim ansamblin, pastaj përpjekjet për ta rregulluar hapësirën për numrin e madh të kërkesave për të qenë prezent në këtë koncert. Shumë sfida por jam shumë e kënaqur që publiku i Kosovës u kënaq që pa një vepër që është kompozuar dhe performuar 300 vite më parë dhe kompozitori italian Vivaldi ja ka kushtuar heroit tonë kombëtar. Ne duhet të ndjehemi krenarë si Prishtinë që kemi qenë nikoqir të kësaj premiere”, u shpreh Luzha për KultPlus.

Ndërsa kompozitori Rafet Rudi e cilësoi këtë mbrëmje si një moment historik.

“Për ne është një moment historik, pavarësisht se siç dihet nuk është ruajtur partitura integrale e veprës, këto janë dromca nga opera që është shfaqur disa vite më parë edhe në Tiranë. Ishte një ansambël jashtëzakonisht i mirë, i specializuar për muzikë barokiene, por më vjen keq që salla nuk ishte adekuate për diçka të tillë. Unë mendoj që është një moment i rëndësishëm në kulturën tonë, dëshmoi Kosova që ne kemi publikë dhe ky publik meriton një sallë dinjitoze”, pohoi Rudi.

Nga opera “Scanderbeg” mbijetuan vetëm dy recitative dhe katër arie. Disa prej arive të operës u mbajtën në Torino, ndërsa libreti u arkivua në disa biblioteka në Itali. Pjesa tjetër e materialit humbi. Një grup muzikantësh nga shoqata e Fenice Estense dhe në veçanti violon elisti Perikli Pite, arriti, në sajë të një kërkimi të gjatë dhe të kujdesshëm, të gjejë edhe 6 arie të tjera që i atribuohen me siguri operës së Vivaldit.

Sopranoja italiane Miho Kamiya e cila në këtë koncert barti një pjesë kryesore të barrës, e vlerësoi veprën “Scanderbeg” si një vepër që i bëri bashkë dhe sonte i solli edhe në Kosovë.
“Opera Scanderbeg e shkruar nga Vivaldi i ka lidhur bashkë muzikantët e Auranta Fonte, që duke punuar dhe duke bërë hulumtime të ndryshme për të gjetur airet që sonte u vunë në skenë dhe në të njëjtën kohë janë dëfryer sepse hapë pas hapi kanë gjetur diçka të re. Mikpritja në Kosovë është e jashtëzakonshme dhe në fillim nuk e kemi pritur një mikpritje kaq të madhe dhe të palodhshme. Ditët këtu kanë qenë shumë të lumtura pavarësisht që edhe të lodhshme sepse duhet të bëheshim gati për të vënë në skenë operën”, tha sopranoja italiane për KultPlus.

Cilësuar si një koncert madhështorë dhe një natë historike për Kosovën, kjo mbrëmje u mbyllë mes përqafimeve e urimeve për rrugëtimin e suksesshëm të kësaj vepre e cila tashmë cilësohet e kompletuar pasi që u dha premierë edhe në Kosovë. /KultPlus.com

Të ngjajshme