Mbledhje komemorative për dirigjentin Bajar Berisha, kolegët: Urojmë të jetë artisti i fundit që shkon pa iu dhënë vendi i merituar

9 Janar, 2024 - 3:30 pm

Vjollca Duraku

Me një minutë duartrokitje është nderuar sot dirigjenti Bajar Berisha në mbledhjen komemorative të mbajtur në amfiteatrin e Bibliotekës Universitare të Kosovës, shkruan KultPlus.

Berisha vdiq më datë 3 janar në moshën 73 vjeçare dhe me largimin e tij nga jeta, Kosova humbi një nga figurat më të shquara dhe frymëzuese.

Krijimtaria e tij artistike është testamenti që ai la pas dhe për të nderua jetën dhe veprën e këtij personaliteti sa të shquar aq edhe modest, kolegë, studentë, familjar e artdashës të shumtë ishin pjesëmarrës në këtë ceremoni. Mbledhja komemorative filloi me një fjalim shumë të ndjerë të profesoreshës universitare Rreze Kryeziu-Breznica, e cila dirigjentin Berisha mbi të gjitha e quajti dirigjent, gjuhëtar, shkencëtar e mjek të shquar.

“Bajar Berisha ishte një pasionant i pashoq për muzikën klasike, në të cilën integroi shumë fusha duke sjellë kështu një perspektivë të pasur dhe ndryshe. Dhe tërë kjo shtrihej nga aftësitë e tij të larta si dirigjent e deri te puna e tij frymëzuese me studentë”, ka thënë profesoresha Rreze Kryeziu- Breznica.

Ndërsa, profesori Valton Beqiri evakuoi kujtime nga bashkëpunimi me dirigjentin Bajar Berisha, duke e çmuar lartë jetën dhe veprën e tij, duke e cilësuar si një profesionist të jashtëzakonshëm.

“Shpresoj thellë që profesori Bajar Berisha do të jetë artisti i fundit i cili shkon nga kjo jetë pa ju dhënë vendi i merituar, ashtu siç e meriton dhe sa e meriton. Uroj që me këtë rast të jetë artisti i fundit i cili nderohet pas vdekjes kurse të gjithë të tjerët duhet te nderohen sa të jenë gjallë dhe shpresojmë që institucionet dhe ne si njerëz, si kolegë duhet të ja dimë vlerën njëri-tjetrit sa jemi gjallë”, u shpreh Beqiri.

Ndërsa profesoresha Besa Luzha, në emër të saj dhe të profesoreshës Lejla Pula, po ashtu u shprehu ngushëllime familjarëve dhe komunitetit artistik.

“Ai mbetet i paharruar për komunitetin tonë artistik, për studentët dhe për shoqërinë tonë të gjerë për punën dhe kontributin e tij të madh në fushën e muzikës artistike, duke i takuar gjeneratës që vendosi gurëthemelin e arsimit dhe edukimit të lartë muzikor në Kosovë, qysh në vitet e 70-ta”, ka thënë profesoresha Luzha duke shtuar tutje se kontributi i tij në këtë drejtim gjithmonë do të jetë i shënuar në histori.

“Ai njihej si një entuziast i pashoq, shquhej  gjithnjë për talentin e tij burimor, muzikën nuk e kishte profesion por më tepër pasion dhe sado që ishte i zhytur në botën e tij shumë të sofistikuar, të veçantë dhe specifike me të cilën veçohej nga komuniteti i gjerë artistik”, ka thënë Luzha duke ftuar shoqërinë për reflektim, për të çmuar vlerat siç ishte profesori Bajar Berisha.

“Pas ikjes së njerëzve tanë kaq të çmuar, si në këtë rast që është një artist muzikor i nivelit profesional në dekadat e fundit, do të ishte mirë që të gjithë së bashku të reflektojmë kolektivisht si shoqëri e të mundohemi të mos harrojmë t’i ruajmë vlerat tona kulmore, të vërtetuara e të njëmendta artistike si pasuri dhe si trashëgimi tonën. Duhet gjithsesi t’i afirmojmë fuqishëm duke mos lejuar të anashkalohen këto vlera me të cilat mund të mburremi para gjithë botës”, përfundoi Luzha.

Në nderim të jetës dhe veprës së tij, në këtë mbledhje komemorative u interpretuan edhe dy pika artistike. Pika e parë u interpretua nga violinisti Rron Bakalli dhe pianisti Andi Duraku të cilët sollën veprën Schindler’s list të John Williams. Ndërsa pika e dytë u interpretua nga sopranoja Besa Llugiqi e shoqëruar në piano nga Valton Beqiri me veprën Ave Maria të Giulio Caccini me tinguj mjaft të ndjerë, përmes të cilëve publiku me melankoli shpalosnin kujtimet për dirigjentin e ndjerë. / KultPlus.com

Të ngjajshme