Mbrëmë filluan ‘Javët e Frankofonisë’ në Kosovë, KultPlus ju sjellë detajet e aktiviteteve

7 Mars, 2019 - 7:40 pm

Alberina Haxhijaj

Në Teatrin Oda në kryeqytet u shënua fillimi i aktiviteteve të shumta të cilat do të organizohen në kuadër të manifestimit “Javët e Frankofonisë”, shkruan KultPlus. Dhe si shpesh herë, frëngjishtja për disa ditë bëhet kryefjala e botës, njësoj edhe në Kosovë.

Koncerti i këngëtarit kosovar Shpat Deda dhe performanca nga Elsa Hyseni i hapën rrugën aktiviteteve të shumta të cila do të mbahen deri në përfundim të këtij muaji në Prishtinë, Pejë, Prizren, Mitrovicë, Vushtri e Viti.

“Javët e Frankofonisë” shquhen nga një shumëllojshmëri ngjarjesh: koncerte, shfaqje filmash, aktivitete gastronomike, konferenca, aktivitete për të rinj, lajme për bursa e studime në Francë dhe kudo ku flitet gjuha frënge. Çfarë e bën këtë ngjarje edhe më të veçantë nga viti i kaluar është se Kosova tani mirëpret Javët e Frankofonisë si anëtare e asocuar e Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë dhe si anëtare vëzhguese në Kuvendin Parlamentar të Frankofonisë.

Valon Ibraj, atashe për kulturë në Ambasadën Franceze në Kosovë u shpreh se programi gjatë këtyre ditëve është shumë atraktiv për të gjithë, dhe jo vetëm për njohësit e gjuhës frënge dhe kulturës frankofone, por për të gjithë entuziastët.

“Duke marrë parasysh që nga ky vit Kosova është anëtare e asocuar pranë Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë, është shumë me rëndësi organizimi i këtyre aktiviteteve në Kosovë. Kosovës iu hapën dyert e një universi tejet të pasur dhe të mundësive të panumërta të krijimit të lidhjeve të reja miqësore, kulturore e ekonomike duke ndërtuar ura lidhëse me vende të pesë kontinenteve të botës. Për Kosovën, Frankofonia duhet të mbetet prioritet gjatë tërë vitit, duke ditur se gjuha frënge bashkon më shumë se 300 milion folës në mbarë botën. Risi për këtë vit mund ta quajmë ekspozitën me autorët francez të shekullit 20, kjo falë bashkëpunimit me Galerinë Kombëtare të Kosovës dhe Muzeun Nacional të Maqedonisë. Pastaj, Hapja e Dam Festit me Quartetin nga Parisi, Java e filmit të shkurtër në Aleancën Franceze e kështu me radhë”, tregoi Ibraj për KultPlus duke i ftuar të gjithë që t’iu bashkohen aktiviteteve të Frankofonisë.

Në Kosovë gjuha frënge dhe kultura frankofone gëzojnë një adhurim edhe nga të rinjtë të cilët kanë krijuar lidhshmëri në këtë gjuhë që kur ishin në gjimnaz. Një lidhje të tillë ka edhe Arta Ademaj e cila më shumë dashuri i përcjellë këto ngjarje dhe ishte e pranishme edhe në koncertin i cili u mbajt mbrëmë.

“Jam e pasionuar pas gjuhës frënge për të cilën edhe kam pak njohuri e çdo herë përpiqem ta përforcoj. Marr pjesë në karaoke të cilat zhvillohen në Aleancën Franceze dhe i përcjell edhe filmat në gjuhën frënge mirëpo aktivitetet të cilat organizohen në ‘Javët e Frankofonisë’ janë të preferuarat e mia pasi që përmes tyre kam mundësi që të njoh edhe të apasionuar të tjerë të kësaj gjuhë dhe të kulturës frankofone”, tregoi ajo për KultPlus.

Për të shikuar të gjitha aktivitetet të cilat do të mbahen gjatë këtyre jave, vendin dhe orën, klikoni këtu.

“Javët e Frankofonisë” organizohen nga ambasadat dhe përfaqësuesit diplomatik të Belgjikës, Kanadasë, Francës, Luksemburgut, Republikës Çeke dhe Zvicrës, anëtarëve të Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë dhe Aleanca Franceze në Prishtinë, së bashku me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Kosovës./ KultPlus.com

Të ngjajshme