8 Qershor, 2025 - 1:03 pm
Era Berisha
Në skenën ku pianoja është mbretëreshë dhe heshtja pret me durim tingullin, “Chopin Piano Festi” më 5 qershor vazhdoi rrugëtimin e tij si një udhëtim shpirtëror nëpër peizazhet e muzikës klasike. Si çdo vit, edhe këtë herë, festivali nuk i mbyll portat pa i lënë vend shpirtit vendor – një mirënjohje ndaj rrënjës që lind tingullin, shkruan KultPlus.
Në mesin e veprave nga kolosët e muzikës botërore, një melodi shqiptare ngrihet në skenë si një lutje e përbashkët: “Fuga nr. 3” për piano me katër duar nga Rauf Dhomi, premierë e një misteri që përsëritet si një jehonë nëpër kohë. Loja në piano shfaqej si dritë që flaket e zbehet duke sjell një gjuhë që flet për tensionin dhe harmoninë e të njëjtës zemër. Në atë lojë, ngulitej një ndjesi e dualitetit — një shpirt i ndarë më dysh, një frymë që kërkon bashkim.
Që nga nata e parë e 8 majit në “Chopin Piano Fest” gjithçka mbetet njësoj – veçse nxehtësia e verës vjen si një instrument i padukshëm që i jep koncertit një intensitet tjetër. Temperaturat rriten, por edhe emocionet. Muzika nuk e njeh kufirin e klimës, ajo djeg e freskon me të njëjtën fuqi. Publiku, ndonëse në nxehtësi, nuk lëviz – është i ngujuar në ndjesinë që ngjall çdo notë, çdo frymëmarrje e interpretuesit.
Hapjen e kësaj mbrëmjeje të festivalit ‘Chopin Piano Fest’ e nisi drejtoresha artistike e festivalit, Lejla Pula.
“Të nderuar të pranishëm, mirë se erdhët në natën e trembëdhjetë të edicionit të 15-të të ‘Chopin Piano Fest’. Jemi të lumtur dhe mirënjohës që, deri më tani, keni qenë me ne – me praninë tuaj, me dashurinë për artin dhe me energjinë që i keni dhënë çdo mbrëmjeje. Sonte, në këtë natë të veçantë, dua t’ju uroj nga zemra Fitër Bajramin, por edhe në skenën tonë sonte kemi një festë tjetër – një festë muzike dhe krenarie. Si çdo vit, kjo mbrëmje i kushtohet solistëve tanë të jashtëzakonshëm shqiptarë, të cilët me përkushtim, mjeshtëri dhe punë të palodhshme, kanë zënë një vend të rëndësishëm në peizazhin e muzikës klasike të vendit tonë. Është nder t’i kemi këtu.”
Ajo tutje ka prezantuar tri dyshet që kapluan mbrëmjen bukur.
Mbrëmja fillon me zërin e kadifenjtë të Ardiana Bytyqi-Ismailit, mexosopranoja që fton dëgjuesin në botën e Brahms, ku çdo notë është si një ëndërr e pamundur që përpiqet të bëhet reale. Andi Duraku në piano është krahu i saj i padukshëm. Së bashku, sjellin “Zigeunerlieder op.103”, këngë me ritme që fluturojnë si flutura mes zjarrit dhe freskisë. Në çdo fjalë të shqiptuar, ndjehet një histori e pashkruar – një shpirt që gjallon në melodinë e vet.
Kur Duraku mbetet vetëm me etydin e Skriabinit, është si një duel i brendshëm me heshtjen. Çdo notë është një nxitje për zemrën të shkojë më shpejt. Tensioni i veprës ndjehet jo vetëm në lojën teknike, por në tensionin e vet trupit që shtyhet deri në kufijtë e qëndrueshmërisë. Publiku nuk duartroket menjëherë – ka një çast reflektimi, sikur duhet të zhbirojnë kuptimin e asaj që sapo dëgjuan.
Pastaj, zëri i Ardianës kthehet për të përshkuar ndjenjat më të buta të Dvořákut – këngë popullore hungareze që tingëllojnë si lutje të shenjta. Ato janë më të qeta, më intime. Një mbrëmje që zbret si hije mbi shpirtin e ditës. Zëri i saj del si një përshpëritje në mes të zemrës dhe të mendjes. Ndjehet një frymë që tund kornizat e shpirtit, e jo vetëm të sallës.
Pastaj, dora-dorës, në skenë ngjiten dy pianiste që flasin me të njëjtën gjuhë – Alba Muçolli-Dehiri dhe Syzana Jakupi. Katër duar, një frymë, një shpërthim tingujsh që bëjnë vend për Mel Bonis dhe Mozartin. Në lojën e tyre ka një ndjeshmëri që shkon përtej notave. Ka momente kur njëra ndalon për të dëgjuar tjetrën, sikur muzika kërkonte leje për të marrë frymë. E vetë fryma është tingull.
Në mesin e dialogut të katër duarve, një pikë kulmore ishte “Fuga nr. 3” e Rauf Dhomit. Një pjesë hyrëse që rikthehet si një jehonë e përhershme, një kujtim që nuk shlyhet. Loja e dy pianisteve krijon një tension dramatik – njërës i zhvillohet fryma, tjetra tretet në hije. Tingujt ndahen në dy rrugë: njëra më harmonike, e qetë si një pëshpërimë mbi ujë, tjetra më e trazuar, si një zemër që kërkon dalje nga kafazi i partiturës. Aty, vendi gjen zë. Aty, heshtja flet shqip.
Pastaj vjen një dritë klasike, e përjetshme: “Sonata nr.3, d-dur” nga Mozart. E thjeshtë në pamje të parë, por e pasur në thellësi, vepra është një festë e balancës mes seriozitetit dhe gazit. Meloditë ngrihen si petale dhe kthehen si rreze. Temat gëzimore dhe ato dramatike nuk garojnë, por vallëzojnë së bashku – një mozaik që ngjall buzëqeshje të buta e përhumbje të thella. Virtuoze, por me shpirt të ndjeshëm – si vetë gjenialiteti i Mozarit.
Në “Suite en forme de valses” të Bonis-it, emocionet janë të shumëfishta: fillon me një buzëqeshje dhe përfundon me një ngashërim të heshtur. Ka melankoli që nuk të mbyt, por të përqafon. Nëse një ndjenjë mund të kishte formë, ajo do të ishte kjo vepër – e zgjatur, e hijshme dhe me një ngjyrë të lehtë orientale që të fton të harrohesh brenda saj.
Në përmbyllje, një frymë si erë mali del nga flauti i Lejla Beqiri-Vulës. E mbështetur nga Melos Buza në piano, sjell “Sonatën op.94” të Prokofievit. Flauti ngjitet, zbret, endet si një zë që kërkon rrugë përmes pyllit të notave. Herë-herë duket sikur flauti i flet pianos në një dialog sekret, i padukshëm për syrin, por i ndjeshëm për shpirtin. Eleganca e kësaj vepre e bën kohën të zhduket për një çast, të gjitha orët ndalen.
Pianisti Andi Duraku e ka konsideruar veprën e Skriabinit si jashtëzakonisht kërkuese, si në aspektin teknik, ashtu edhe në atë muzikor.
“Është një vepër me kërkesa të mëdha, si në aspektin teknik ashtu edhe në atë muzikor. Harmonitë janë jashtëzakonisht të ndërlikuara, ndërsa pjesa teknike kërkon një vëmendje të veçantë – veçanërisht për shkak të dorës së majtë, e cila qëndron në lëvizje të pandërprerë në oktava. Megjithatë, është një vepër që e dua thellësisht dhe për të cilën kam punuar me shumë pasion, me qëllim që ta sjell në skenë ashtu siç e meriton” ka theksuar ai.
Me interpretimin e tij, pianoja u vendos jo vetëm si qendër e shprehjes muzikore, por edhe si partner i ndjeshëm dhe i palëkundur në shoqërim. Duraku ka shtuar se përvoja e interpretimit të këtyre pjesëve në bashkëpunim me solisten ka qenë veçanërisht e veçantë.
“Ky ishte një program që, veçanërisht pjesën e shoqërimit po e interpretoja për herë të parë. Ishte një përvojë shumë e veçantë dhe e kënaqshme të punoja me Ardianën — si gjatë provave, ashtu edhe në koncertin e mbrëmjes. Bashkëpunimi ynë ka qenë i natyrshëm dhe frymëzues.”
Ndërsa, pianistja Alba Muçolli-Dehiri është ndalur te rëndësia e përfshirjes së një vepre shqiptare në repertor, si dhe përzgjedhjen e kompozitores Mel Bonis me vetëdije të plotë artistike e sociale.
“Jemi paraqitur me një program të larmishëm që përfshinte vepra të kompozitorëve shqiptarë dhe të huaj. Ndër to ishte edhe një vepër premierë nga kompozitori ynë Rauf Dhomi, si dhe një sonatë nga Mozarti dhe dy pjesë nga kompozitorja franceze Mel Bonis. Përfshirja e saj në program nuk ishte rastësore – e kemi zgjedhur me vetëdije, pikërisht sepse është një kompozitore femër, në përkrahje të çështjes së përfaqësimit të grave në muzikën klasike dhe më gjerë, si një formë e vogël rezistence dhe kujtese artistike”, ka thënë ajo.
“Mbrëmja e Solistëve Kosovarë” është një koncert i veçantë që tradicionalisht i kushtohet instrumentistëve të njohur nga Kosova, të cilët me aktivitetin e tyre koncertal dëshmohen si interpretë të shquar të muzikës klasike, në kuadër të Chopin Piano Fest Prishtina.
Këtë herë, publiku artdashës pati mundësinë të përjetojë një program të pasur dhe të larmishëm, interpretuar me ndjeshmëri, virtuozitet dhe elegancë nga Ardiana Bytyqi Ismaili, mezzosoprano, dhe Andi Duraku, piano; Syzana Jakupi dhe Alba Muçolli, Piano Duo; si dhe Lejla Beqiri Vula, flaut, dhe Melos Buza, piano.
‘Chopin Piano Fest’ gjatë këtij edicioni do të prezantojë edhe 1 koncert të fundit në vazhdim. Nata e 15-të e këtij festivali vjen më datë 9 qershor (nesër) ku do të interpretojë pianisti anglez, Peter Donohoe në një mbrëmje “Piano Recital” në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare, duke filluar nga ora 20:00./ KultPlus.com