Me këngë të vjetra shqipe, “Kosova Brass” dhe Nezafete Shala ngritën publikun në këmbë

18 Shkurt, 2021 - 11:37 am

Suada Qorraj

Salla e Kino Armatës tashmë ishte mbushur me një numër të madh të njerëzve, teksa ora shënoi shtatë, të gjithë kishin zënë vendet e tyre, përfshirë edhe instrumentistët në skenë të cilët do bënin edhe hapjen e koncertit ‘13 vjet shtet’, shkruan KultPlus.

Ishte drejtoresha e Departamentit të Kulturës në Komunën e Prishtinës, Blera Basholli ajo që para tingujve të parë të muzikës e hapi koncertin. Duke qenë edhe vetë artiste, ajo potencoi se ky vit nuk ishte i lehtë për askënd mirëpo më të prekurit kishin qenë artistët. Ajo gjithashtu uroi që vitet e ardhshme të jenë më të mira.

“Viti i kaluar s’ka qenë një vit i mirë as për Kosovës e as për të gjithë botën, e sidomos për artistët. Uroj që viti tjetër të jetë më i mirë”, tha ndër të tjera Basholli.

Prishtina Brass filloi koncertin e përvjetorit të pavarësisë së Kosovës, pikërisht nën tingujt e himnit shtetëror. Të pranishmit në sallë tashmë ishin ngritur në këmbë, ndonëse të heshtur, fytyrat e tyre po reflektonin paqe e dashuri. Por nata e mbrëmshme nuk u kufizua vetëm me himnin shtetëror. Salla e Kino Armatës mirëpriti mbrëmë një numër të madh të këngëve shqipe si ‘ Për mëmëdhenë’, ‘Por si fleta’, por edhe shumë të tjera.

 Për Avni Krasniqin, instrumentistin në ‘ Kosova Brass’ pjesëmarrja në koncertin e mbajtur për 13-të vjetorin e Pavarësisë së Kosovës ishte një nder i madh.

“Për neve është çdo herë kënaqësi e veçantë, por e përcjellur edhe me emocione dhe ndjenja të përziera, që të interpretojmë për festa kombëtare, e sidomos për përvjetorin e 13-të të Pavarësisë”, tha ai për KultPlus.

Nata e mbrëmshme ndonëse filloi me ansamblin e tunxhit ‘Kosova Brass’, nuk përfundoi aty, Nezafete Shala & Melodia e Vjetër e vazhduan magjinë që sollën instrumentet për pak minuta sa u luajtën në skenë. Të pritur me duartrokitje të mëdha ata i dhanë zë Kino Armatës me ‘Marshin e UÇK-së’, ku për disa minuta i ofruan publikut emocione të shumta të cilat u shoqëruan me duartrokitje e brohorima.

Nezafete Shala & Melodia e Vjetër, natën e mbrëmshme, sollën përballë publikut një repertor të gjerë të këngëve të vjetra shqipe. Pas secilës këngë ishte publiku ai që me entuziazmin e vet e bëri edhe më të magjishëm koncertin e mbajtur nën patronazhin e Komunës së Prishtinës. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme