Me moton #MitroLove, Mitrovica International Jazz Days vjen prej 8 deri më 10 gusht

21 Korrik, 2025 - 10:00 am

Festivali Mitrovica International Jazz Days rikthehet nga data 8 deri më 10 gusht 2025, duke sjellë përsëri në qytet tingujt e mrekullueshëm të muzikës xhaz, performanca të shkëlqyera nga vende të ndryshme të botës dhe momente të paharrueshme.

Me moton #MitroLove, festivali vazhdon misionin e tij për të promovuar muzikën cilësore dhe për të fuqizuar të rinjtë dhe gratë në skenën lokale dhe ndërkombëtare të xhazit.

Këtë vit hapet edhe një mundësi e veçantë: Mitrovica International Jazz Days fton muzikantë të rinj 18-30 vjeç që luajnë jazz, rock, alternative, hip-hop, punk, metal, new wave, fusion, pop dhe zhanre të tjera moderne, të aplikojnë për performancë si solistë ose si grup deri në pesë muzikantë. Aplikimi është i hapur deri më 25 korrik 2025.

Të rinjtë e talentuar janë të mirëpritur të performojnë në skenat alternative të festivalit! Ju rikujtojmë se në pranverën e këtij viti, MIJD prezantoi për herë të parë Serinë e Muajit të Xhazit me emra të mëdhenj si muzikantja ikonike Aziza Mustafa Zadeh, Elina Duni dhe Nils Kugelmann Trio (promovuar nga stenda gjermane në panairin më të madh të xhazit në Europë, JazzAhead). Me dashuri, Mitrovica mirëpret të gjithë adhuruesit e muzikës në vendin tonë! #MitroLove/ KultPlus.com

Të ngjajshme