Me ‘Një skenë plot yje’ bëhet inaugurimi i Orkestrës së Fëmijëve të Prishtinës

21 Qershor, 2023 - 7:56 pm

Vjollca Duraku

Mbrëmë, me 80 fëmijë të moshës 7 deri 14 vjeç u mbajt koncerti i parë, e njëkohësisht edhe inaugurues i Orkestrës së Fëmijëve të Prishtinës, të cilin e mundësoi shkolla e parë fillore jo-publike e muzikës në Kosovë, ‘Amadeus’, shkruan KultPlus.

Ky projekt i shkollës së muzikës ka ardhur si konkludim i profesionistëve të kësaj shkolle, të cilët mendojnë se edukimi muzikor luan një rol të rëndësishëm në zhvillimin e hershëm të fëmijëve, dhe kjo orkestër që për analogji të shkollës mund të quhet qershia mbi tortë , duke bërë që fëmijët qysh në mosha të hershme të kenë mundësi të performojnë me orkestër, të njihen me skenën dhe të krijojnë bazë të qëndrueshme për karrierën e tyre.

Një sallë, enterieri i së cilës ishte me plotë shije, elegancë dhe finesë, tashmë ishte mbushur përplot me prindër dhe me familjarë të fëmijëve të cilët pas pak pritej të perfomonin. Me një nur që u shëndrriste, shumica e të pranishmëve kishin zënë vendet e tyre, edhe pse një pjesë mjaft e madhe qëndruan në këmbë pasi nuk pati ulëse në sallë, aq sa pati pjesëmarrës.

Koncertin e hapi përfaqësuesja e shkollës ‘Amadeus’, Hana Petrovci-Fetahu, e cila me një fjalë rasti i përshëndeti të gjithë të pranishmit dhe tregoi për procesin e punës në përgjithësi, për t’i lënë radhë pastaj grupit të kitaristëve  ‘Amadeus’,  me veprën e Zequinha De Abreu- ‘Tico Tico’, në të cilën performuan  Allegra Bajrami, Dastid Ymeri,  dhe Reina Zejnullahu.

Pika e dytë e performanës u shënua me grupin e solokëndimit, të cilët interpretuan Këngë Arbëreshe, të cilat krahas tingëllimës së tyre të bukur, shfaqnin edhe emocione mallëngjyese, pasi vinin nga një trevë në të cilën jetonin shqiptarë të mërguar.

Interpretues të kësaj pike ishin: Era Latifi, Morea Fetahu, Noa Basha, Viktoria Ibrahimi, Rea Curri dhe Eta Svarça. Kënga ‘Lule, lule-mace, mace’ ishte ajo e cila shndërroi ngjyrën e emocioneve duke dhënë entuziazëm dhe duartrokitje me takt në sallë gjatë gjithë kohës derisa interpretohej kjo këngë, në fund të së cilës pati duartrokitje edhe më të fuqishme për të dhënë falënderimin për këtë interpretim kaq të bukur.

Pikat tjera interpretuese qenë ‘Për ty atdhe’ e Pjetër Gacit me soliste Leona Ferati, ‘Central Park’ e James Newton Howard me soliste Arjona Ramadani (piano), ‘Pse jemi të ndarë’ e Selami Kolonjës nga kori i shkollës dhe solistja Leona Ferati, ‘Swan Lake’ e Pyotr Ilyich Tchaikovsky, ku interpretuan edhe blerinat e shkollës, Era Bajrami, Hana Bajrami dhe Ajla Talla, të cilat me vallëzimin e tyre prej fluturash e bënë mbrëmjen mjaft të bukur. Në këtë pikë orkestra u kompletua  në tërësi dhe po ndiqej një mbrëmje pothuajse profesionale pasi  publiku tashmë para vetes kishte orkestrën, korin dhe solistët dhe balerinët, duke dëshmuar kapacitetin e tyre.

Ndërsa interpretimi i fundit ishte ‘O vendi im’, e Rashid Krasniqit, nga Kori i shkollës dhe solistët Arjona Ramadani dhe Art Grajçevci. Në këtë pikë dukej sikur edhe vetë fëmijët u përmbushën nga perfomanca e tyre. Të koncentruar te programi i tyre, me shumë kujdes përcillnin edhe dirigjentin e tyre Vehbi Shosholli, i cili me mjaft elegancë dhe butësi arrinte të shpaloste punën e tij me sukses.

Në këtë pikë në të cilën të pranishëm qenë pothuajse më shumë se 80 fëmijë, violinistët qenë ata që për t’i dhënë një ton pak më ndryshe perfomancës filluan që të prodhoin tinguj me gishtrinjtë e tyre të  vegjël. Lëvizja e gishtinjëve të tyre të vegjël, si dhe një pozitë trupore duke u munduar për të qenë profesional dhe elegant në skenë dhuronte një pamje vërtetë simpatike, të cilën familjarët e tyre dhe të gjithë të panishmit, e shijuan vërtetë shumë.

Pas koncertit të gjithë pjestarët e orkestrës, korit, solistët dhe balerinat u shpërblyen me mirënjohje nga shkolla e muzikës ‘Amadeus’, në shenjë mirënjohjeje dhe falënderimi për suksesin dhe gatishmërinë e treguar për të realizuar një koncert të tillë, i cili me plotë bindje do të mbetet i paharruar në mendjet e secilit prind që ishte i pranishëm në sallë.

Me rezultatet e koncertit ishte e kënaqur edhe njëra nga organizatoret Hana Petrovci-Fetahu e cila në një prononcim për KultPlus, tha se pritshmëritë e tyre për koncertin janë arritur në maksimum pasi sipas saj fëmijët kanë treguar pjekuri në lojën e instrumenteve edhe pse janë shumë të vegjël në moshë.

“Koncerti ka shkuar shumë mirë. Jemi shumë të kënaqur me performancën e fëmijëve. Kanë treguar një pjekuri në lojën e instrumenteve edhe pse janë shumë të vegjël. Fëmijët janë në këtë orkestër prej moshës shtatë vjeçare deri në 14.  Mirëpo kanë mbajtur shumë gjatë prova. Që nga muaji mars, e kanë treguar vlerën e tyre, kanë tingëlluar shumë bukur dhe jemi të gjithë shumë të kënaqur me perfomancën të cilën na dhuruan”, ka thënë Petrovci.

Petrovci për KultPlus ka treguar edhe anën tjetër të medaljes, pasi për të arritur një perfomancë të tillë nuk ka qenë shumë e lehtë, pasi në këtë orkestër kishin të bënin me fëmijë, të cilët për të ndjekur ushtrimet ishin të varur nga prindërit e tyre të cilët kanë edhe angazhimet e tyre profesionale.

Ndërsa dirigjenti Vehbi Shosholli në një prononcim për KultPlus, tha se është shumë i lumtur për performancën dhe se pritshmëritë e tij janë arritur ne maximum 

“Koncerti ka qenë jashtëzakonisht mirë. Jam shumë i këënaqur me nivelin interpretues të fëmijëve. Pritshmëritë e mija janë arritur dhe besoj që edhe publiku janë ndarë të kënaqur”, ka thënë Shosholli.

Ai po ashtu tregoi edhe për procesin e punës, i cili fillimisht nuk kishte qenë aspak i lehtë, por se me punë dhe përkushtim tanimë kishin arritur rezultatet e dëshiruara, gjë që e bënte të ndihej mjaft i lumtur.

“Realisht kjo gjeneratë është pak e  vështirë për të performuar në grup kaq masiv, sepse nuk kanë përvojë të madhe që të luajnë me orkestër. Fillimi ka qenë goxha i vështirë mirëpo gradualisht duke punuar kemi arritur që të përgatitemi për performancë”, ka thënë Shosholli.

Dirigjenti Shosholli më tej tha se në të ardhmen do të tentojnë që të rrisin numrin e fëmijëve pjesëmarrës dhe numrin e perfomancave.

“Mendojmë jo vetëm me vazhdu por edhe me rrit numrin e fëmijëve për të të qenë pjesë e orkestrës edhe pa dyshim ta rrisim edhe numrin e performancave. Totali i fëmijëve që marrin pjesë në orkestër është rreth 30 që varion në bazë të veprave p.sh pjesa e fundit ka qenë ‘O vendi im’ ka qenë një vepër ku kanë performuar më shumë se 30 instrumentistë dhe një kor prej 50 personave”, ka thënë Shosholli.

Një koncert i tillë i radhës, pritet të mbahet për festat e fundvitit, pasi pas kësaj pune të madhe, fëmijët presin t’i shijojnë pushimet verore . Organizatorja e koncertit Hana Petrovci- Fetahu ka thënë që planifikojnë që të zgjerojnë aktivitetin e tyre, duke zhvilluar turne nëpër qytete të ndryshme të Kosovës./KultPlus.com

Të ngjajshme