Me tingujt e Bizet, Gershwin dhe Piazzolla-s mezzosopranoja Rachvelishvili magjeps publikun e Rame Lahaj International Opera Festival

31 Korrik, 2025 - 6:26 pm

Mbrëmë, në kuadër të festivalit Rame Lahaj International Opera Festival ka interpretuar për herë të parë në Prishtinë një emër i njohur në botën e operës, Anita Rachvelishvili, shkruan KultPlus. Me një repertor që prek në ariet më të mëdha operistike, duke u shtrirë edhe në këngë italiane, gjeorgjiane dhe argjentinase solistja Rachvelishvili ka dhuruar një mbrëmje të veçantë për të gjithë apasionuarit e artit muzikor.

Kjo festë e veçantë artistike u mbajt në hapësirën e jashtme të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, nën përcjelljen e Ansamblit të Festivalit Rame Lahaj, me drejtimin e dirigjenit Nikoloz Rachveli. Koncerti ka dhuruar një energji të jashtëzakonshme për rreth dy orë, nën tingujt e Bizet, Gershwin  dhe Piazzolla.

Vepra e parë e interpretuar në koncert nga mezzosopranoja Rachvelishvili ishte “Gantiadi”- Lela Revaz Lagidze, e cila me një prezencë të fuqishme skenike të ftonte në një përjetim të rrallë artistik. Ndërkaq, vepra  Habanera (Carmen) nga Georges Bizet i dha koncertit një lloj sharmi të veçantë, përmes tingujve të fuqishëm dhe natyrës pasionante të solistes që ka interpretuar në skena të njohura botërore.

Veprat e interpretuara në këtë natë plotë magji ishin: “Mon coeur s’ouvre a ta voix’ (Samson Dalila)- Camille Saint-Saëns, “En vain, pour eviter les responses ameres (Carmen)- Georges Bizet, “Lorsque le temps d’amour a fui” (Don Quichotte)- Jules Massenet, “I love you Porgy” (Porgy and Bess)- George Gershwin, “Don’t call me”- Giya Kancheli, “Cuntry of flowers”- Georgian Folk, “Summertime” (Porgy and Bess)- George Gershwin, “My Funny Valentine”- Richard Rodgers, “Rinascero”- Astor Piazzolla, “Oblivion”- Astor Piazzolla, “Yo Soy Maria” ( Maria de Buenos Aires)- Astor Piazzolla, 5 Musics from the Motion Picture “Don Quichotte- Giya Kancheli.

Në fund të koncertit, interpretuesit u shpërblyen me duartrokitje frenetike nga ana e publikut, të cilët tashmë kishin përjetuar një ndër koncertet më të veçanta të muzikës klasike.

Në një prononcim për KultPlus Mezzosopranoja, Anita Rachvelishvili, u shpreh se kaloi një natë të mrekullueshme, e hapur nga vetë artistja me një këngë shumë të veçantë gjeorgjiane, që ajo e përshkruan si thellësisht patriotike.

“E hapa me një këngë shumë patriotike që quhet “Sunrise”, dhe është për luftën, për dhimbjen që ka kaluar edhe Gjeorgjia, dhimbja që ne kemi përjetuar. Kënga flet për këtë dhe mendova se ishte perfekte për të krijuar një lidhje me Kosovën, si një vend që ka kaluar gjithashtu shumë dhimbje dhe vuajtje. Ka një mirëkuptim të madh mes popullit tonë dhe popullit tuaj, ndaj ndjeva se ishte shumë e rëndësishme të hapja me diçka që flet për dashurinë ndaj vendit tënd dhe dashurinë për popullin tënd.” – u shpreh mezzosoprania’

Sipas saj, në Gjeorgji muzika ka luajtur gjithmonë një rol të rëndësishëm në histori. Ajo pasqyron ngjarjet që ka kaluar populli dhe është një mënyrë për të ruajtur kujtesën dhe për ta përcjellë atë brez pas brezi. E njëjta gjë vlen edhe për Kosovën.

“Pra, ka një lidhje të madhe mes nesh për shkak të kësaj, sepse ne ndajmë dhimbjen dhe, përmes muzikës, mund ta ndajmë atë dhimbje dhe ta sjellim te njerëzit që vijnë për të na dëgjuar.” – shtoi Anita.

Në lidhje me festivalin, ajo e vlerëson Rame Lahaj International Opera Festival si një nga ngjarjet më të rëndësishme në botë për vende në zhvillim artistik si Kosova. Vlerësimi i saj për punën që po bëhet është i madh, sidomos për faktin se festivali sjell artistë nga e gjithë bota dhe i prezanton ata me publikun e Kosovës dhe me kulturën vendase. Ajo thekson se festivali nuk kufizohet vetëm te muzika klasike, por i jep vend muzikës në tërësi si një forcë e rëndësishme për zhvillimin e një vendi.

“Për vende si Kosova, ky është një nga festivalet më të rëndësishme në botë, sepse ajo që bën Ramë Lahaj dhe ajo që bën festivali është të sjellë njerëz nga e gjithë bota dhe t’i prezantojë ata me njerëzit e mrekullueshëm të Kosovës dhe me kulturën e operës, me kulturën e muzikës klasike. Dhe siç e patë sonte, jo vetëm muzikë klasike, por në përgjithësi muzikë, e cila, sipas nesh, ka një rol shumë, shumë të rëndësishëm në zhvillimin e një vendi. Jam shumë mirënjohëse ndaj festivalit dhe shumë mirënjohëse për gjithë mbështetjen që vendi i jep festivalit. Dhe vetëm shpresoj që ky festival të bëhet një ngjarje shumë e madhe dhe e njohur ndërkombëtarisht, që të gjithë të dëshirojnë të vijnë dhe ta përjetojnë.”

Pjesë e kësaj mbrëmjeje të veçantë ishte edhe mezzosopranoja kosovare Merita Juniku, e cila ndau emocionet e saj pas koncertit, në një intervistë për KultPlus, duke e përshkruar festivalin si një përjetim të jashtëzakonshëm:

“Sonte patëm rastin të dëgjojmë një nga mezzosopranot më të njohura botërore. Është vërtet kënaqësi që publiku i Prishtinës pati mundësinë ta shfrytëzojë këtë mbrëmje, të cilën nuk mund ta shijojë askund tjetër. Mezzosopranoja ishte e shkëlqyeshme dhe programi jashtëzakonisht i bukur. Ishte bombastike.” – u shpreh mezzosopranoja Juniku.

Fjalët e saj përshkruajnë jo vetëm nivelin artistik të performancës, por edhe rëndësinë që ka një ngjarje e tillë për publikun vendas dhe për zhvillimin kulturor të vendit. Nata e 30 korrikut u shënua si një natë ku arti operistik u ndje më pranë se kurrë, dhe ku Prishtina u kthye për disa orë në një nga qendrat më të ndritura të muzikës klasike evropiane./ KultPlus.com

Të ngjajshme