31 Maj, 2025 - 7:02 pm
Vjollca Duraku
Foto: CHPF & Arben Llapashtica
Koncerti i 10-të me radhë i Festivalit Chopin Piano Fest është realizuar në bashkëpunim me Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës, nën drejtimin e dirigjentit Peter Valentovic, ku si soliste interpretoi pianistja fantastike, Sofya Gulyak, shkruan KultPlus.
Në mbrëmjen e së premtes, ndryshe nga zakonisht koncerti i Festivalit “Chopin…” ishte zhvendosur në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë, për të realizuar koncertin tashmë tradicional me institucionin më të lartë të muzikës në vend. Kjo traditë që ndiqet tash e 15-të vite, mbrëmë kulmoi me një vlerësim që iu dha Filharmonisë për këtë bashkëpunim shumëvjeçar.
Ishte vepra “Piano concerto No. 1 in b-mol. Op 23” – (Allegro non troppo e molto maestro, Allegro con spirito, Andantino semplice- Prestissimo, Allegro con fuoco) për piano dhe orkestër të plotë nga Pyotr Ilyich Tchaikovsky që u interpretua në pjesën e parë të koncertit. Një mjeshtëri e jashtëzakonshme teknike e solistes Sofya Gulyak e përcillte gjatë tërë kohës interpretimin e një prej veprave më të njohura dhe më të fuqishme të periudhës romantike të muzikës klasike.
Si një pianiste klasike e dalluar Gulyak arriti të përcillte të plotë emocionin e thellë të veprës, me meloditë mbresëlënëse dhe strukturën e saj dramatike, me anë të së cilës kompozitori Tchaikovsky është afirmuar si një nga kompozitorët më të rëndësishëm të kohës. Tingujt e qetë të veprës të ftonin në një dehje shpirtërore, përderisa tingujt dramatik zgjonin emocione intensive te çdonjëri në sallën e improvizuar.
Sofya Gulyak është gruaja e parë që ka fituar “Çmimin e Parë dhe Medaljen e Artë “Princess Mary’ në Konkursin Ndërkombëtar të Pianos në Leeds. Ajo ka fituar edhe çmime dhe konkurse të tjera si: William Kapell, Helsinki Maj Lind, Konkursi i Pianos në Gyeongnam, Konkursi Ndërkombëtar i Pianos Allegro Vivo etj. Gulyak ka dhënë mësim në Royal College of Music në Londër dhe aktualisht është pjesë e Indiana University Jacobs School of Music.
Pjesa e dytë e koncertit u realizua vetëm me interpretimin e Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës, nën drejtimin e dirigjentit Peter Valentovic, i cili mbulohej me djersë nga lëvizjet precize plot shkathësi. Vepra “Symphony No. 6 in Bminor, Op.74” (Adagio- Allegroo non troppo, Allegro con grazia, Allegro molto vivace, Adagio lamento) po ashtu nga Tchaykovsky, pati një hyrje të ngadaltë që pastaj shpërthen në një tension emocional, që dërgon në një konflikt të brendshëm duke mbaruar me një lëvizje të ngadaltë dhe melankolike. Duartrokitjet e publikut në fund e shpërblyen djersën e derdhur në podium të dirigjentit dhe lojën fantastike të instrumentistëve profesionistë të Filharmonisë.
Peter Valentovic është drejtor muzikor në Operan Kombëtare të Sllovakisë. Kurse sa i përketë interpretimeve të tij ai ka performuar në: Radio Symphony Orcestra Vienna, Prague Philharmonic Orchestra, Chzech National Opera Orchestra, Welsh National Opera Orchestra, SWR Symphonieorchester Baden- Baden, Munchner Symphoniker, Symphonieorchester des Bayerischen Rundfunks, Staatskapelle Berlin, Philharmonie Essen etj.
Në këtë koncert të veçantë, drejtoresha artistike e festivalit “Chopin…”, Lejla Pula, ka falënderuar Filharmoninë, ku edhe ka dhënë një vlerësim për bashkëpunimin 15-të vjeçar.
“Sonte me kënaqësinë më të madhe festojmë bashkëpunimin 15-të vjeçar në mes të Festivalit tonë “Chopin Piano Fest” dhe Filharmonisë së Kosovës. Gjatë këtij bashkëpunimi të çmuar janë interpretuar gjithsej 22 koncerte për piano dhe orkestër nga pianistë nga bota dhe pianistë vendorë. Këto 15-të vite kemi pasur përjetime muzikore të mrekullueshme dhe të pa harruara artistike, ku sonte jemi të privilegjuar ta presim në skenë pianisten e shquar Sofya Gulyak”, ka thënë drejtoresha Lejla Pula.
Vlerësimin e pranoi drejtori i Filharmonisë, Dardan Selimaj, i cili tha se atë e meritojnë instrumentistët e Filharmonisë dhe ish- drejtori Baki Jashari.
“Këtë vlerësim e meritojnë instrumentistët natyrisht, e po ashtu edhe dirigjenti Baki Jashari, i cili e ka udhëhequr këtë institucion për 14-të edicionet e kaluara të Festivalit “Chopin…”. Faleminderit Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës edhe një herë. Urime! Sivjet është një përvjetor i veçantë për Filharmoninë, pasi këtë vit shënojmë 25-vjetorin e themelimit më 26 Shtator”, ka thënë drejtori Selimaj.
Kurse, solistja Sofya Gulyak koncertin me Filharmoninë e Kosovës e ka cilësuar mjaft të këndshëm.
“Ishte një bashkëpunim i këndshëm me dirigjentin dhe instrumentistët e Orkestrës. Ne kemi punuar dy ditë dhe mendojmë që e kemi bërë më të mirën për këtë koncert. Instrumentistët kanë luajtur me një ndjeshmëri të madhe duke u përpjekur të bëjnë më të mirën për të mbështetur edhe mua. Unë do të doja ta falënderoj edhe dirigjentin po ashtu, sepse ishte shumë i kujdesshëm. Ky ishte një nga koncertet pianikstike që është plot pasion, plot ëndrra dhe ngjyra emocionale” ka thënë pianistja Gulyak.
Ndërkaq, dirigjenti Peter Valentovic ka thënë se ndihet shumë i lumtur me rezultatin e koncertit i cili erdhi si bashkëpunim me Filharmoninë dhe solisten Gulak.
Mendoj që dy veprat që interpretuam janë të mrekullueshme, shumë intensive. Ne kemi bërë punë të madhe specifikisht me simfoninë. Kur erdha këtu. Mendoj që kemi bërë një punë shumë intensive për simfoninë e fundit të Tchaykovsky-t. Kjo është ndryshe nga Piano Concerto sepse është plotë ritëm dhe është shumë e njohur, me të mrekullueshmen Sofya Gulyak. Ishte një javë e shkëlqyer këtu. Ishte hera e parë që e dirigjoj këtë orkestër të mrekullueshme. Kështuqë jam shumë i lumtur me rezultatin”, ka thënë dirigjenti.
Koncerti i radhës “Young Laureates Evening” mbahet më 2 qershor, në ora 19:00, në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare./ KultPlus.com