Mesazhi i Beethoven për Gerhard Wegeler

14 Janar, 2024 - 11:01 am

Ludwig van Beethoven (1770 – 1827), kompozitor, pianist dhe dirigjent gjerman. Franz Gerhard Wegeler (1765 –1848), mjek gjerman, mik i ngushtë i kompozitorit në rininë e tij.

Për Gerhard Wegeler

Vienë, 29 korrik 1801

I dashuri im i mirë Wegeler,

Të falënderoj bash nga zemra që ma kujtove, gjë që e kam merituar aq pak, as nuk jam munduar kurrë ta meritoj prej teje. Megjithatë ti je aq i mirë, nuk e lejon veten të shkurajohesh nga asgjë, as nga harresa ime e pafalshme; dhe mbetesh gjithmonë mik i besueshëm, i mirë, lojal. – Po se mund të të harroj ty dhe të gjithë juve2, që keni qenë aq të dashur dhe të shtrenjtë për mua, jo, s’duhet ta mendosh një gjë të tillë. Ka momente kur më hedh për toke malli që ndiej për ju dhe do të doja, simqerisht, të kaloj më shumë kohë me ju. – Atdheu im, regjioni i magjishëm ku kam ardhur në dritë, është ende aq i bukur dhe i pastër në sytë e mi, siç ishte kur ju kam lënë. Me një fjalë, e konsideroj njërën prej ditëve të mia më të lume të jetës sime atë kur do të mudn t’ju shoh përsëri dhe ta përshëndes babanë tonë, Renin. – Kur do të vijë ajo ditë, s’mund ta them dot. Po nga ana tjetër mund të të siguroj se, kur të takohemi, do të shohësh patjetër se jam bërë njeri i klasit të parë. Do të më gjesh më të mirë dhe më të pjekur si artist, po edhe si njeri. E nëse toka jonë mëmë atëherë do të jetë në gjendje më të prosperuar, do ta ushtroj artin tim vetëm për të mirën e të varfërve. O moment i bekuar, sa i lumtur e quaj veten që të mund të kontribuoj të kuptosh se jam unë ai që po të krijon. – Ti po dëshiron të dish diçka për gjendjen time. Mirë pra, në përgjithësi nuk është aspak e keqe. – Ngase qysh nga viti i kaluar Lichnowsky që, sado e pabesueshme që të të duket, qe dhe ka mbetur miku im më i dashur (natyrisht kemi pasur ca divergjenca të vockla, që sidoqoftë kanë shërbyer vetëm për ta përforcuar miqësinë tonë), ma ka ndarë një shumë fikse prej 600 guldenësh – prej së cilës mund të ngjëroj derisa të gjej një punë të përshtatshme për mua3. Kompozimet e mia më japin goxha dhe mund të them se kam më shumë porosi se sa që jam në gjendje t’i plotësoj. Nga ana tjetër, për çdo kompozim mund të llogaris në gjashtë a shtatë botues, madje edhe më shumë, po të doja. Me mua nuk shtyhen më, paguajnë aaq sa kërkoj. – Siç e sheh gjendem në një situatë të këndshme. Nëse, për shembull, shoh një mik në nevojë dhe qesja ime pikërisht në atë moment nuk ma mundëson ta ndihmoj menjëherë, mjafton të ulem në tavolinë të kompozoj dhe për pak kohë kam mundësinë t’i dal në ndihmë. – Jam edhe kursimtar se dikur; po m’u desh të mbetem në Vjenë përgjithmonë, pa dyshim do të arrij të siguroj një ditë në vit të jap një koncert: tashmë i kam dhënë disa sish. Vetëm një demon ziliqar, shëndeti im i lig, ma ka vënë bastunin nën rrotë; e kjo do të thotë, në thelb, se dëgjimi im që tri vjet është bërë gjithnjë e më i dobët. Duket se shkaku i parë i kësaj të keqeje është në gjendjen e barkut tim, që, ti e di, veç e kishte marrë teposhtëzen para se të nisesha nga Boni, por në Vjenë është përkeqësuar, sepse kam qenë i prekur vazhdimisht nga diarea dhe për pasojë kam pasur një ligështim të paparë. Frank është munduar ta kthejë në formë organizmin tim me ilaçe përforcuese dhe dëgjimin tim me vaj bajameje, po sa mirë më ka bërë! Kurimi nuk ia ka vlejtur fare, shurdhërimi im kashkuar duke u përkeqësuar gjithnjë e më shumë dhe barku im ka mbetur në gjendjen e mëparshme. E gjithë kjo ka vazhduar deri në vjeshtën e vitit të kaluar, duke më lënë shpesh viktimë të dëshpërimit. Atëherë një mjek “asinus” më këshilloi banja të fohta për ta përmirësuar gjendjen time. Një tjetër, më i arsyeshëm, m’i përshkroi banjat e zakonshme të vakëta në Danub. Kjo ka bërë mrekulli: barku im është përmirësuar. Megjithatë shurdhëria vazhdon dhe madje do të thosha se është përkeqësuar. Këtë dimër kam qenë njëmend shumë keq; kam pasur të prera vërtet tmerrshme dhe kam rënë krejtësisht në gjendjen time të mëparshme. Gjërat kanë vazhduar kështu deri rreth katër javë më parë, kur, i bindur se gjendja ime kërkonte ekzaminimin edhe të një kirurgu, kam shkuar ta takoj Veringun4. Nga ana tjetër kisha besim tek ai. Mirë, ai ia ka dalë ta ndalojë pothuajse plotësisht këtë diarre të dhunshme. Më ka përshkruar banja të vakëta në Danub, të cilave çdo herë duhej t’ua shtoja një bocë përbërësish fuqizues. Nuk më ka dhënë të marr kurrfarë ilaçesh deri para katër ditësh, kur më përshkroi pilula për bark dhe një infuzion për vesh. Me këto kura mund të them se po ndihem më mirë dhe më i fortë; veçse veshët e mi vazhdojnë të fishkëllejnë dhe të gumëzhijnë natë e ditë. Duhet të pranoj se jeta ime po kalon mjerueshëm. Prej dy vitesh kam reshtur së marri pjesë në çfarëdo aktiviteti shoqëror, pikrëisht ngase e kam të pamundur t’u them njerëzve: jam i shurdhër. Cilido që të kishte qenë profesioni im tjetër, do të mund t‘i kisha bërë ballë sëmundjes ime, por në rastin tim ky është një disfavor i tmerrshëm. Po ta dinin armiqtë e mi, që natyrisht nuk janë pak, çfarë do të thoshin? – Për të ta dhënë një ide të kësaj shurdhërie të çuditshme, po të them se në teatër më duhet të jem afër orkestrës për ta kuptuar atë që thotë aktori dhe se tingujt e mprehtë të instrumenteve dhe zërave, nëse rri pak më larg, nuk i dëgjoj fare. Sa i përket kuvendimit, është befasuese se si disa persona nuk i kanë rënë në të kurrë shurdhërisë sime; po meqë prore kam qenë pre e krizave të përhumbjes, ia atribuojnë kësaj dobësinë time në të dëgjuar. Nga ana tjetër, nganjëherë e dëgjoj me shumë vështirësi atë që flet ngadalë. I dëgjoj tingujt por nuk i shquaj fjalët; ndërsa nëse dikush bërtet sado pak, s’e duroj dot. Veç qielli e di si do të më vejë halli. Veringu më thotë se dëgjimi do të përmirësohet sigurisht, edhe pse shurdhëria s’do të mund të shërohet krejtësisht. – Shumë herë tashmë e kam mallkuar Krijuesin dhe ekzistencën time. Plutarku ma ka treguar rrugën time të nënshtrimit. Dua, po qe e mundshme, ta sfidoj shortin tim, edhe pse, sa të jem gjallë, do të ketë momente kur do të ndihem krijesa më fatkeqe e Zotit. – Të lutem mos i thuaj gjë kujt për gjendjen time, as Lorchenit5; po ta besoj veç ty këtë sekret; dhe do të më pëlqente të kesh me Veringun një letërkëmbim rreth kësaj gjëje. Po vazhdoi kështu, pranverën e ardhshme do të vij te ti. Do të ma gjesh me qira ndonjë shtëpi në ndonjë anë të bukur të fshatit dhe për gjashtë muaj do të çoj jetë fshatari. Mbase kjo do t’i ndryshojë gjërat. Nënshtrim, burim i mjerë! E megjithatë është e vetmja gjë që më ka mbetur.

Sigurisht do të më falësh nëse ta kërkoj ty, që tashmë duhet të përballesh me aq mundime, të interesohesh për ndeshtrashat e mikut tënd. – Steffen Breuning është tash këtu në Vjenë dhe jemi bashkë pothuajse për çdo ditë; më bën shumë mirë t’i kujtoj ndjenjat e dikurshme të miqësisë. Është bërë djalosh njëmend i mirë, i shkëlqyeshëm, bukur i përgatitur dhe ka zemër të mirë, pak a shumë si të gjithë ne. Tash e kam një strehë shumë të mirë që sheh kah Bastei dhe përfitim i skajshëm për shëndetin tim. Bash besoj se do të gjej mënyrën që Breuning të vijë të banojë me mua. – Do të ta nis Antiokun tënd dhe shumë kompozime të miat, gjithmonë nëse ti nuk konsidieron se dërgimi i tyre po të rëndon xhepin. Sinqerisht, dashuria jote për artin ende më jep një gëzim të madh. Nëse më shkruan se si mund t’ia bëjmë, do të t’i nis të gjitha veprat e mia, që natyrisht tashmë janë goxha në numër dhe po shtohen dita-ditës. – Në këmbim të portretit të gjyshit tim, që të lutem të ma dëgosh me postë sa më shpejt që të jetë e mundur, po ta nis atë të nipit të tij, të Beethovenit tënd gjithmonë lojal dhe të dashur. Ky portret botohet këtu nga Artaria6 që, siç bëjnë shumë dyqane të tjera të artit edhe të huaja, ma ka kërkuar një me shumë insistim. – Do t’i shkruaj sa më parë Stoffelit, për t’i predikuar rreth inatçillëkut të tij. Do t’ia mbush veshët, duke ia kujtuar miqësinë tonë të vjetër derisa të më premtojë solemnisht se s’do të të bezdis më ty që, në të vërtetë, tashmë duhet të përballesh me shumë halle. – Do t’i shkruaj edhe Lorchenës sonë të mirë. Kurrë s’e kam harruar askënd nga ju, miq të dashur, edhe pse s’jua kam dhënë kurrë lajme nga unë; por të shkruarit, siç e di mirë ti, nuk është ana ime e fortë. Edhe miqtë më të dashur nuk kanë marrë letra prej meje prej vitesh. Jetoj plotësisht në muzikën time; dhe mund të thuhet se ende pa e përfunduar një kompozim, e nis një tjetër. Me ritmin me të cilin po kompozoj aktualisht, shpesh realizoj tri a katër punë në të njëjtën kohë. – Tash më shkruaj më shpesh, të lutem; e edhe unë do të gjej kohë herë pas here. Përshëndeti të gjithë, posaçërisht zonjën tonë të mirë Hofratin dhe thuaji se nganjëherë ende vuaj nga raptusi. Sa u përket Kochëve, nuk habitem fare që gjendja e tyre ka pësuar ndryshim. Fati e ka formën e një sfere, prandaj, është rasti ta them, jo gjithmonë u bie njerëzve më të mirë dhe më të fismë. Në lidhje me Riesin7, të cilit ia dërgoj përshëndetjet më të zjarrta, do të të shkruaj më gjatë përkitazi me djalin e tij, edhe pse unë mendoj se do të mund të fitonte më lehtë në Paris se sa në Vjenë. Vjena është dëng me muzikantë, prandaj edhe ata më të meritueshmit hasin në vështirësi ta shkojnë përpara. Në vjeshtë ose në dimër, kur të gjithë nxitojnë të kthehen në qytet, do të shoh çka mund të bëj për të. – Lamtumirë, i miri, i dashuri Wegeler, mos e vër në dyshim dashurinë dhe miqësinë e tëndit

BEETHOVEN

Shënime:

Franz Gerhard Wegeler, mik i rinisë së Beethovenit, autor i njërit prej studimeve të para që dokumentojnë jetën e kompozitorit.

Aludon në familjen Breuning, vajza e të cilëve, Eleonora, u martua me Wegelerin.

Princi Karl Lichnonvsky, duke filluar nga viti 1800, i ndau Beethovenit një ndihmë financiare për disa vete me radhë.

Kirurg i njohur vjenez.

Nënkupton Eleonora von Breuning.

Një ndërmarrje e njohur botuesish muzikorë dhe tregtarë arti.

Franz Anton Ries, mësues violine i Beethovenit.

/Marrë nga Beethoven, “Autobiografia di un genio – Lettere, pensieri, diari”, Mondadori, 1996

Gazeta Express/KultPlus.com

Të ngjajshme