Muzikë popullore e histori unike, një udhëtim në traditat e Gjakovës

8 Janar, 2024 - 11:24 am

Në qytetin e Gjakovës, melodia e jetës zhvillohet në harmoni me tingujt e trashëgimisë muzikore unike, duke krijuar një histori të pasur që është vlerë e pashmangshme për këtë qytet.

Etnomuzikologu nga Instituti Albanologjik, Krenar Doli, ka bërë një përpjekje të veçantë për të dokumentuar dhe përzgjedhur disa nga këngët e Gjakovës, që kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në pasurimin e kulturës muzikore shqiptare.

Përmes këtyre veprave muzikore, Doli bashkë me Bestar Vula – një nga rrëfimtarët e historisë së Gjakovës si dhe këngëtarin Edi Furra, kujtuan jo vetëm tingujt dhe melodi të paharruar, por edhe historitë që shoqërojnë secilën prej tyre. Gjithashtu kujtuan edhe figurat kryesore të muzikës si: Homëz Kovaçin, Dahim Patokun, Beqir efendi Barakun, usta Ymer Rizën, Qamilin e Vogël, Mazllom Mejzinin, Ismet Pejën dhe Esat Bicurrin që janë dhe do të mbeten ikona të pazëvendësueshme të traditës muzikore gjakovare dhe jo vetëm.

Trashëgimia muzikore e Gjakovës vazhdon të frymëzojë dhe të mbizotërojë në zemrat e shumë këngëtarëve dhe gjithë atyre që ndjehen të përfshirë në këtë rrugë muzikore të pavdekshme dhe kësaj radhe u shpalosën para publikut të Shqipërisë dhe jo vetëm përmes “Gurra Popullore”. /  KultPlus.com

Të ngjajshme