Në 90 vjetorin e lindjes përkujtohet sopranoja shqiptare, Nina Mula

23 Nëntor, 2021 - 5:00 pm

Kujtojmë sot, në 90 vjetorin e lindjes, sopranon ruso – shiptare Nina Mula “Mjeshtre e Madhe”, e cila pjesën më të madhe të jetës së saj e kaloi në Shqipëri. Kujtojmë artisten e madhe, të vlerësuar, të respektur, shembullin e gjallë të përkushtimit në jetë e në skenë, me një karrierë dedikuar këtij teatri të vetëm operistik të vendit tonë.

Pas mbarimit të Shkollës Pedagogjike në qytetin e lindjes, në Izhevski, në vitin 1950 Nina Mula kreu studimet e larta për kanto pranë Konservatorit P.I.Tchaikovsky në Moskë.

Erdhi në Shqipëri në vitin 1957 dhe shumë shpejt do të emërohej soliste pranë Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit. Gjatë aktivitetit të saj në TKOB së bashku me bashkëshortin e saj, Nderin e Kombit Avni Mula, ka realizuar me shumë sukses një numër të madh rolesh kryesorë nga operat e kompozitorëve shqiptarë dhe nga literaturë botërore, po gjithashtu edhe një sërë koncertesh me një repertor të pasur dhe të larmishëm si brenda vendit, ashtu edhe jashtë Shqipërisë: në Çekosllovaki, Rusi, Lituani, Ukrainë, Letoni etj.

Kujtojmë personazhet e realizuara prej saj që kanë mbetur në memorien e audiencës si:

Mimi e operës “La Boheme”, Rosina e operës “Il Barbiere di Seviglia”, Norina e operës “Don Pasquale”, Susanna e operës “Le nozze di Figaro”, Cio-Cio-San e operës “Madama Butterfly”, Leila e operës “Peshkatarët e Perlave”, Violetta e operës “La Traviata”, Gilda tek “Rigoletto”, Michaela e operës “Carmen”, Mrika e operës “Mrika, Donika e “Skënderbeut”, etj.

Ndërkohë iu kushtua edhe mësimdhënies. Prej vitit 1965 punoi si pedagoge e jashtme pranë Institutit të Lartë të Arteve dhe ka përgatitur e diplomuar mjaft studentë, të cilët luajnë një rol aktiv jo vetëm në jetën muzikore shqiptare por edhe në atë botërore.

Për aktivitetin e saj Nina Mula është nderuar me shumë çmime, medalje e tituj, ndër të cilët me Urdhrin “Naim Frashëri” të klasit të II, titullin “Artiste e merituar”, Çmimin e Parë në Festivalin e Romancës, titullin “Mjeshtër i Madh”. / KultPlus.com

Të ngjajshme