Në ditën kombëtare të Gjermanisë, pianistja e njohur Lule Elezi me koncert recital në Gjermani

4 Tetor, 2023 - 3:23 pm

Pianistja e njohur kosovare Lule Elezi ishte e ftuar me një koncert recital në manifestimin qendror “Gjermania – një atdhe” në Komunën e Bingen am Rhein, manifestim që është mbajt nën patronatin e kryetarit të kësaj komune, Thomas Feser, shkruan KultPlus.  

Ky manifestim që është organizuar për Ditën Kombëtare të Gjermanisë ka mbledhë figura të njohura politike e kulturore të Gjermanisë, ku pianistja Elezi është prezantuar me vepra të kompozitorëve të mirënjohur gjerman dhe shqiptarë si: Beethoven, Schumann, Dhomi…

Performanca e pianistes Lule Elezi ka ngjallë emocione te të pranishmit, por edhe te vetë pianistja Elezi.

Ajo në një prononcim për KultPlus ka thënë se një ftesë e tillë, pikërisht në një manifestim kaq të veçantë për shtetin e Gjermanisë e ka nderuar dhe emocionuar pa masë.

“Kisha kënaqësinë që të prezantohem para një audience të tillë, e sidomos në një manifestim kaq të rëndësishëm për Gjermaninë. Për këtë fakt edhe në përzgjedhjen e veprave bëra këtë përfshirje, duke prezantuar vepra të kompozitorëve gjermanë dhe shqiptarë”, ka thënë Elezi për KultPlus.

Pianistja Lule Elezi ka koncertuar në vende të ndryshme të Evropës, sikurse edhe në Kinë, Japoni, Rusi, SHBA… Pianistja e mirënjohur Lule Elezi po vazhdon paraqitjet e saj nëpër vende të ndryshme, duke pas parasysh se tashmë ajo ka të prenotuara disa evente të radhës brenda dhe jashtë vendit./ KultPlus.com

Të ngjajshme