Në Muajin e Muzikës në Shqipëri, përkujtohet Nexhmije Pagarusha

24 Qershor, 2021 - 5:01 pm

Në kuadër të Muajit të Muzikës, ministrja e Kulturës në Shqipëri, Elva Margariti ka kujtuar këngëtaren e madhe Nexhmije Pagarusha.

Ajo shprehet se në këtë muaj të muzikës, kujtojmë bilbilin e Kosovës, këngëtaren Nexhmije Pagarusha”.

Veprimtaria muzikore tepër e gjerë që ka interpretuar në periudhën 40-vjeçare të karrierës së saj e bëjnë tepër të vështirë që kjo artiste të përcaktohet si lëvruese e një rryme të caktuar muzikore, pikërisht nga larmishmëria e rrymave.

Nexhmija për më tepër e bëri muzikën popullore shqiptare të kalonte në një tjetër nivel dhe të kthehej në një pasuri të madhe shpirtërore. Nuk janë të pakta këngët e saj që vazhdojnë të riprodhohen nga brezat e rinj të këngëtarëve. Shpeshherë suksesi i këtyre të fundit është i garantuar vetëm prej reputacionit që ka marrë vetë kënga, duke u kënduar më parë nga Nexhmija.

Në Opera nga Puçini, Verdi por edhe nga Bethoven, por edhe në kinematografi ka punuar dhe ka arritur suksese të padiskutueshme. Mendohet se Nexhmije Pagarusha ka interpretuar mbi 150 këngë nga të cilat shumë pak ekzistojnë si të regjistruara. Ky fakt mund të konsiderohet si një fatkeqësi që nuk e disponojmë të gjithë këtë repertor të mrekullueshëm.

Gjithsesi pavarësisht se në vitin 1984 ajo u tërhoq përfundimisht nga skena, na ka lënë thesare të rralla si Baresha, E dehur jam, Ani more nuse, Mora testin, Kur më shkon si zog n’hava, Kur më del në derë, Ke selvitë, Ç’u ngrit lulja në mëngjes, Çil njat zemër plot kujtime, Zambaku i Prizrenit, Dallëndyshe, Një lule etj. /atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme