Në qiellin e Parkut Gërmia mbrëmë munguan yjet, kishin zbritur në skenën e ‘Sunny Hill’

5 Gusht, 2022 - 1:00 pm

Era Berisha

Mbrëmë, festivali më i madh në vend, “Sunny Hill” ka futur rrënjët në qytetin e Prishtinës. Më shumë se 25 mijë pjesëmarrës nga vende të ndryshme të botës kanë pushtuar ambientin në Parkun Gërmia. E krejt kjo për të dëgjuar, shikuar e admiruar secilin artist që ka shkelur skenën me një qëllim të vetëm, e ajo është rrëmbimi i zemrave të gjithsecilit në publik, shkruan KultPlus.

Nuk është dashur shumë kohë që mesdita të jetë koha kur publiku të krijojë radhë të gjata për të hyrë brenda. E as për të zënë vendin e tyre aty mu afër skenës, në një pozicion të favorshëm për të qenë sa më afër këngëtarëve të tyre të preferuar. Një rrugë e gjatë dhe e ngushtë është shndërruar mbrëmë në një “oqean” që e kanë parë veç artistët mbi skenë, e kjo si pasojë e një tubimi që fundi nuk i shihej aspak.

Ylli i botës, Dua Lipa, ishte artistja që ka kryesuar natën e parë të festivalit. Me një veshje elegante, sharmi i saj u dallua qysh kur këmba e saj preki skenën. Ndërsa, brohoritjet lakoheshin në vazhdimësi pa ndalë, ajo nisi interpretimin me këngën “Physical”, një performancë që i la pa fjalë të gjithë. E njashtu ishin edhe gjithë interpretimet e tjera që kanë dalë përtej imagjinatës të çdo kujt.

Duke nisur qysh nga skena që këtë vit është në një avancim të shtuar, reflektorët që posaçëm kanë ndërruar formë e ngjyrë sipas agjendës, koreografia e suksesshme e Lipës në përputhje me valltarët e tjerë si dhe prezenca e saj skenike, ka bërë që pritshmëritë e audiencës të tejkalohen krejt lehtazi.

Nga kënga në këngë e nga çasti në çast, performanca e saj magjike ka krijuar një atmosferë që ka ndezur shpirtrat e pranishëm. Kjo dallohej më së miri edhe atëherë kur ndërveprimet e Lipës me publikun mirëkuptoheshin në sekondë.

“Është një ëndërr shumë e madhe për mua për të qenë këtu sonte e për tu munduar që të krijoj një festival kështu me familjen time, me shokët e mi dhe krejt këta njerëz që janë këtu në skenë me mua. Faleminderit shumë që e bëtë këtë natë kaq speciale për mua. Faleminderit edhe gjithë atyre që kanë ardhur në Prishtinën e bukur, për të përjetuar artin, muzikën, kulturën, kreativitetin, energjinë. Kjo do të thotë bota për mua”, ka thënë Lipa pak para se kënga “Be the one” të gjente fillimin.

Në këtë natë nuk kanë munguar as disa nga hitet më të njohura të Lipës, përfshirë këtu edhe disa nga këngët e albumit të saj të fundit “Future Nostalgia”, album ky që mbrëmë ka shfaqur sensualitetin, bukurinë dhe veçantinë e Lipës. Ajo kokë e këmbë ka dhënë shpirtin e saj, ndërsa publiku ia kthyer me të njëjtën mënyrë.

Nata e parë e “Sunny Hill” ka sjellë edhe artistë të tjerë që publiku shqiptar, dhe jo vetëm, i do aq shumë. Ishin: Galoski, Sahati, Art Lokaj&Eros, Jimpong&Friends, Sancet, grupi kosovar “SYTË”, Kida, Yll Limani si dhe Elvana Gjata.

Secili nga këta artistë ka krijuar mbrëmë një atmosferë që jehoi përtej Parku Gërmia. Zërat e tyre diversiv, stili i tyre aq unik si dhe ngrohtësia që përçuan ata në publik është thjesht “jashtë” kësaj bote. Në qoftë se shikoje lart atëherë do të vërehej dukshëm mungesa e prezencës së yjeve, kjo për shkak se “yjet” e vërtetë kishin zbritur mbrëmë mbi skenë.

Ndërkaq, sonte duke filluar nga ora 14:00 në skenë do të ngjitën artistët si: Jimpong&Friends, Edon, Yon Idy, “ZWADA”, La Fazani, Emir Taha, Onat, Cozman, Ghetto Geasy, Azet & Zuna, Dhurata Dora, Mahmood dhe J Balvin është këngëtari që do kryesojë natën e dytë të “Sunny Hill Festival”. / KultPlus.com

Të ngjajshme