Në tavolinë me Adelina Thaçin dhe tregimin për muzikën, jetën dhe këngët e reja

11 Janar, 2021 - 1:50 pm

Arbër Selmani

“Në vitin 2007 isha në studime postdiplomike në Shkup, ishte një vit i ngarkuar me paraqitje muzikore dhe vokali im ishte ngarkuar shumë. E porosita këngën për të marrë pjesë në Festivalin e RTSH-së, më erdhi ftesa prej organizatorëve, dhe bashkëpunova me Alfred Kaçinarin dhe Pirro Çakon. Kënga më pëlqeu shumë, u porosit por e lashë ta incizoja më vonë. Çka ndodhi, e humbas komplet vokalin, prej ngarkesës! Një mëngjes zgjohem dhe mbes pa zë. Ka qenë ndjenjë e rëndë, kur provon me folë e nuk të del zani. Aty mu shemb krejt bota, sepse si një interprete, kjo më dukej e tmerrshme, e kisha përshtypjen që nuk do të këndoja më kurrë. Më pas nisa me u informu dhe e kuptova që këto janë sulme që ndodhin tek interpretët ndër vite, shkaku i ngarkesave vokale, dhe kjo ndikon më pas edhe në aspektin fizik por edhe në aspektin psiqik”

Këngëtarja Adelina Thaçi e kujton këtë traumë të para 14-të viteve, kur kishte marrë pjesë në Festivalin e Radio Televizionit Shqiptar, me këngën “Pres një çast”. Adelina do të vizitonte edhe foniatrin – specialistin e telave të zërit, për ta kthyer vokalin dhe për ta vazhduar rrugëtimin. Ajo më tregon se atëbotë u lëndua shpirtërisht, por nuk e ndaloi procesin e kthimit të ambitusit të saj të vërtetë prej këngëtareje.

“Alfred Kaçinari më propozoi ta anuloja pjesëmarrjen në këtë edicion të festivalit të dhjetorit, pra të pauzoja, por unë megjithatë vazhdova. Veç shpirti im e di se qysh e kam incizu këngën në studio, por edhe performancën live. E di që në performancën në skenë, me krejt forcat e mia mendore e psiqike, dola, dhe pastaj kam pështy gjak, pra e pata lëndu edhe më shumë zanin. Nuk ia fali vetes sepse ndonjëherë duhet me heqë dorë prej disa gjanave, anipse kjo është e vështirë” vazhdon Adelina.

Adelinën e takoj në njërën prej kafeneve të qytetit, dhe shoqëruar me ujë e me çaj frutash, flasim për jetën e për karrierën e saj 25 vjeçare në skenën e muzikës shqiptare.

Me hove hove, meqë edhe etapat e jetës së saj do të ndryshonin, shpesh me një Adelinë me më shumë muzikë e shpesh me një Adelinë më të larguar nga jeta kulturore, zëri që i është veshur si nënkresë këngëve “Shko”, “Ka kaluar koha”, “Po u mërzite”, “Sonte”, “Kontrast”, “Kurrë su pamë në sy” e ka pozicionuar veten në mesin e zërave më të mirë shqiptarë, duke i qëndruar besnike një stili të njomë muzikor e duke sjellë këngë, prej të cilave disa edhe i kanë rezistuar kohës, shijeve e trendeve muzikore.

*

Adelina Thaçi, si e vogël ishte merak në fustanet e nënës së saj, në fustanet edhe të hallave. Një Adedlinë e vogël, kudo që shkonte koncertonte para të pranishmëve, ndërsa nëse aty pari kishte një lugë apo një element tjetër, ajo e shndërronte në mikrofon. Taket ishin gjithmonë në kombinim, shpesh më të mëdhaja se vetë Adelina. Këto ishin shkëndijat e para që tregonin saktë se Adelina Thaçi do të bëhej këngëtare, edhepse gjatë jetës së saj pati tentime në profesione tjera por të cilat nuk përfunduan aq mirë sa muzika.

“Më kujtohet që një herë, bashkë me vëllaun, na ftuan në një lexim ku ishte shkrimtari Mirko Gashi, në Gërmi. Ishim në tavolinë me të dhe përderisa ai lexonte, mua më thanë që t`ia ledhatoja mjekrrën. Më pëlqeu prezantimi im, edhepse isha e vogël, morra shumë jetë prej atij momenti. Si e vogël i kam përcjellë shumë ‘Akordet e Kosovës’, i shihja edhe fëmijët kur përfundonte festivali që takoheshin te Embëltore Elida në kryeqytet, për ndonjë shampite apo edhe veç për takim mes tyre. Asokohe halla ime punonte në television edhe mi sjellte paraprakisht tekstet e festivalit, secili tekst kishte fletë me ngjyrë tjetër, ky detaj më ka ngelë në kokë. Duke u rritë, fillova me këndu nëpër shtëpi dhe filluan me më pëlqy sidomos këngët e Nexhmije Pagarushës dhe Ëhitney Houston. Jam frymëzu shumë prej të dyjave, më kanë përcjellë gjithmonë. U mshelsha me orë të tëra në dhomë para pasqyres, duke e pa veten para një publiku të madh, sikur në koncert” më tregon Adelina Thaçi.

“Si e vogël, meqë babi ishte humorist, kam qenë në mesin e këngëtarëve e artistëve tjerë. Kemi shku edhe në pushime bashkë, me axhin Lec, me Qumilin, me Sabri Fejzullahun, me Violeta Kukajn, me Leonora Jakupin, në Kroaci patëm shku edhe me Ramadan Krasniqin, estrada muzikore e asaj kohe. Koncerti im i parë ka qenë në Ulqin, në një prej pushimeve. Krejt kohën në plazhë më detyrojshin me këndu, e këndojsha ‘Bareshën’ ose diçka nga Ëhitney. U organizua një koncert në Ulqin edhe më ftuan edhe mua aty, me një audiencë prej rreth 4-5 mijë vetash. Unë isha në klasën e tetë. Kanë qenë plot kablla në skenë dhe veç e paramendojsha se qysh kom me u rrëzu aty, prej emocioneve. Ishte mendu që babi me bo pak humor dhe unë me këndu, meqë isha e re edhe e brishtë, dhe kisha frikë. Publiku më priti shumë mirë, u lumturova në njëfarë mënyre” tregon Adelina.

Adelina, sot në të 40-tat e saj, nënë e dy vajzave, gjithmonë si e vogël ka qenë zhurmagjikja e shtëpisë, ajo e cila ka marrë iniciativa. Nga babai i saj, Rasim Thaçi – Cima, ajo ka marrë ndihmë në fushën profesionale, ndërsa përkrahja morale e prindërore në të gjitha aspektet e formimit të saj nuk ka munguar edhe nga nëna e saj.

Adelina, shkollën fillore e përfundoi në ‘Faik Konica’, ndërsa më pas gjithçka në aspektin akademik do të rrotullohej kah akademia. Për pak, Adelina ishte gati të regjistrohej në drejtimin farmaci, në shkollë të mesme, siç thotë ajo shkaku i modestisë se ndoshta nuk do t’i ecte mirë me muzikën dhe ndoshta nuk ishte aq e mirë në këtë fushë.

“Konkurova në farmaci dhe në atë kohë edhe bleheshin testet, disa edhe veç zhdukeshin, humbshin krejt. Mua m`hupi testi, shkaku që edhe nuk dhashë pare. Me test nuk u pranova në farmaci edhe kuptohet që atyre ditëve isha jo në gjendje të mirë emocionale. Atyre ditëvve babin e viziton Mehdi Bajri, kompozitor e redaktor i muzikës dikur, edhe insiston që unë të regjistrohem në shkollën e mesme të muzikës. Gjithçka ndodhë për një arsye, sikur ishte e shkruar që unë mos me u regjistru në farmaci. U pranova në ‘Prenk Jakova’ dhe u testova në ritëm, në vesh muzikor, në të gjitha aspektet. Tash kur e mendoj, nuk e di pse kam provuar në farmaci, ndoshta jam ndiku pak prej shoqërisë asaj kohe sepse përndryshe asnjëherë nuk kam pasë interesim në atë fushë. Asokohe mjekësia, farmacia, arkitektura, ishin drejtime më në zë” tregon Adelina.

Adelina do të vazhdonte shkollimin edhe në Fakultetin e muzikës, magjistraturën e përfundoi në Shkup, në performancë vokale dhe në kompozim, dhe më pas nisi të punonte si ligjëruese, punë të cilën e ushtron edhe sot.

*

Adelina Thaçit mjafton t’ia dëgjoni këngët dhe do ta kuptoni se ku frymon ajo më lirshëm dhe se çfarë stili muzikor e ka përcjellë gjatë tërë karrierës së saj. Duke mos qenë asnjëherë këngëtare sezonale, asnjëherë e sforcuar me paraqitjet televizive, patjetër e përmbajtur sikur një pjesë e gjeneratës së këngëtarëve ku edhe ajo përket, gjithmonë e kujdesshme në përzgjedhjen e këngëve të cilave vetëm një here sipër u vihet një emër origjinal i këngëtarit, Adelina që prej vitit 1994 vazhdon të këndojë dhe të jetë emër i respektuar në muzikën shqiptare.

Adelina fillimisht nisi me muzikë të lehtë, dhe thotë se ka eksperimentuar me zhanre të ndryshme muzikore por të cilat janë prapë se prapë pjesë e nje thesi prej të cilit Adelina ka preferuar të mos largohet në distancë të largët. Influencat e saj të mëdha si Houston, Celine Dion, Alicia Keys, Aretha Franklin, secila ka luajtur me këngë dhe me stile, por gjithmonë duke mos abuzuar dhe duke bërë kalime të lehta por pa dalë qesharake, rrëfen Adelina.

Adelinës sot i mungojnë festivalet, dhe pikërisht nëpër festival ajo e vazhdoi për shumë kohë karrierën e saj. Në festival, pos prezantimit të vokalit dhe personalitetit muzikor, këngëtarët në një mënyrë edhe e shohin veten në raport me të tjerët, garojnë me të tjerët.

Krijimi që do ta bënte kthesën, e do të bënte të gjithë të kthenin sytë kah Adelina Thaçi, ishte kënga “Shko”. Në vitin 2001, plot e kujtojnë festivalin ‘Show Fest’ në Kosovë, ku Adelina pikërisht me këtë këngë triumfoi, dhe dyert u hapën mirë e mirë për suksesin e saj. Këngës “Shko” e cila, dorën në zemër, edhe sot dëgjohet me ëndje e ndoshta shërben edhe si ngacmim për melankolinë dhe nostalgjinë e atyre viteve, nga Alfred Kaçinari e Jorgo Papinxhi u nis për Kosovë. Një CD erdhi në duart e Adelinës.

“Me autobus më erdhi CD, më ishin dërgu edhe parti dhe vija melodike që unë ta ushtroja këngën. Kënga fillimisht të unë e krijoi një bum shpirtëror. Më shkoi në mendje që ta përdorja instrumentin e Skocisë, meqë atëbotë në Kosovë kishte prani të madhe të KFOR-it. Shkova në Polici dhe kërkova të bij në kontakt me dikë prej skocezëve, për ta përdorur instrumentin e tyre, këto tubat e mëdhenj, sikur ne që e kemi gajden. Një ushtar u pajtua që të vinte në performancën live me veshjen skoceze dhe me instrumentin, dhe u bë pjesë e Show Festit. Kënga ka qenë në toplistë për 12 javë, është pëlqy shumë, dhe e shoh se i reziston kohës. Ka qenë këngë e kompletuar, me tekst e me melodi, i ka pasë krejt elementet. Prej saj më pas nisën koncertet, ftesat në Kosovë e Shqipëri. Kjo këngë ka qenë fat për mua” më tregon Adelina.

Këngët e Adelinës dhe sukseset nuk patën të ndalur. Në vitin 1998, ajo publikon albumin e saj të parë. Në vitin 2003, me këngën “Të pres” triumfon edhe në festivalin Polifest, e më pas vjen albumi me të njëjtin emër. Në vitin 2004 vjen kënga “Komsi komsa”, ndërsa në vitin 2008 Adelina bashkëpunon me reperin Capital T në këngën “Një mëngjes”. Më vonë Adelina krijon edhe këngët “Orët e fundit”, “S`dua të lësh gjurmë”, “Vendi im” dhe “Po u mërzite”, mes këngëve tjera.

“Jam e para në familjen time që merrem me muzikë. Hallën e kam pasë regjisore, ajo ka punuar dhe punon në television. Një i afërm i bie defit profesionalisht. Babai e ka një vokal të jashtëzakonshëm, sepse ka këndu në lloj lloj parodie dhe si aktor është provuar edhe në muzikë. Ka vokal të fortë, ka volum, e përdorke zakonisht teknikën e fytit dhe shpesh zani i shterrej” tregon Adelina Thaçi, një prej fëmijëve të humoristit e artistit të njohur Rasim Thaçi – Cima.

*

Mirë që Adelinës më asnjëherë në jetë nuk i ndodhi bllokada e tillë e telave të zërit.

“Një profesionist gjatë rrugëtimit professional e mëson edhe kujdesin ndaj vokalit, i mësons teknikat. Sa përqind mëson me këndu, aq duhet edhe me mësu kujdesin ndaj zanit, sepse nuk duhet me abuzu në këndim. Ndoshin këto lëndimet e vokalit sepse ne shpesh kërkojmë shumë prej vetes, por ndonjëherë duhet anulim dhe pushim. Unë qysh e vogël jam ushqy pak, por shëndetshëm, kam qenë vajzë e shëndoshë me imunitet të fortë. Vakti im i preferuar, prej që e mbaj në mend veten si Adelinë, është mëngjesi, të cilin e ha çdo ditë në këtë njëjtën kohë. Nuk pij shumë alkohol, nuk jam shumë mishngrënëse, nuk jam duhanpirëse, i kushtoj shumë vëmendje gjumit. Kurrë nuk i kam dashtë shumë qëndrimet deri në orët e vona. Shpesh, kur kemi pasur performance në Filharmoni, jam mbyllë me ditë të tëra në shtëpi, jam kujdesë në ushqim, duhet regjim dhe disciplinë. Shtoja këtu edhe ushtrimet vokale, ato fizike. Mos të harrojmë që po flasim për telat e zanit të cilët i kemi non stop aktiv, dhe ky mbetet një aparat që vështirë kontrollohet. Duhet të mos ngritet zëri lartë dhe me emocione, sepse edhe ajo ndikon shumë. Unë jam pjekur profesionalisht dhe kjo më ndihmon shumë, sepse interpreti është një sportist, nëse nuk ka ushtrime, nuk përparon. Duhet një kujdes maksimal nëse ekziston dëshira për ta pasur një karrierë të gjatë” thotë Adelina.

Pos si këngëtare të muzikës pop, Adelinën shumë e njohin edhe si këngëtare klasike. Meqë më vonë Adelina do të shkollohej për performancë vokale klasike, ajo dikur e zbuloi një anë tjetër të sajën, këndimin klasik dhe ariet e ndryshme.

“Kur shkova në Shkup për magjistraturë, atje ka edhe salla koncertale dhe kushtet janë më të mira, e zbulova dhe e konfirmova këtë anë timen të afinitetit për muzikë klasike. Aty e pashë një Adelinë tjetër, një interprete të muzikës klasike. Më pas kam shku edhe në masterklase në Itali e në Austri, ku veç e kam forcu këtë pjesë. Unë konsiderohem prej profesionistëve të jem një soprano liriko-dramatike. Në vitin 2008, ditën kur u shpall pavarësia e Kosovës, unë do të merrja pjesë në festivalin ‘Bruna Spiler’ në Herceg Novi, një festival klasik ndërkombëtar. Rrethi më rekomandonte mos me u nisë në udhëtim, meqë kaloja transit kah Beogradi. U ula me babin me bisedu dhe më tha ta merrja rrugën, nuk janë të gjithë njerëzit në Beograd kriminela. Kësisoj, nëse nuk jam gabim, nisem prej Prishtinës në Shkup, Shkup – Beograd, dhe më pas deri në destinacion. Ka qenë përvojë e mrekullueshme. Në juri ka qenë një serbe nga Novi Sadi, soprano. Unë u prezantova me disa arie klasike dhe kërkova që të këndoja edhe Arien e Mrikës, meqë edhe u shpall pavarësia edhe më lindi pak ndjenja e nacionalizmit. I morra 100 pikë dhe u shpalla fituese, e krejt në fund, kjo serbja në juri ma kërkoi Arien e Mrikës sepse i kishte pëlqyer shumë” tregon Adelina, këtë episod të mrekullueshëm si këngëtare tanimë edhe e muzikës klasike.

Gjithmonë, për Adelinën rëndësi kanë pasur tekstet e këngëve, të cilat ajo gjithmonë i ka gërmuar deri në kujdesin më të madh.

“Unë ende e dua tekstin, tekstet e këngëve të mia gjithmonë kanë qenë me domethënie, të këndshme. Tekstet e mia i kanë shkruar Pirro Çako, Jorgo Papingji, Naime Beqiraj, Avni Qahili, Hivzi Krasniqi, Aida Baraku, Demir Gjergji, unë e kam ditë që prej tyre do të dalin tekste të mira, me përmbajtje, me mesazh. Kur është shtu melodia, gjithçka është kompletu” vazhdon Adelina.

Prej vitit 2000 e deri në vitin 2013, Adelina Thaçi ishte aktive në muzikë. Ajo e quan këtë periudhë si kohën e artë, kohën e vlerave, kur ajo u përmbush shpirtërisht dhe krijoi mahnitshëm shpesh solo, shpesh me bashkëpunime, shpesh me bendin e saj. Më vonë, ajo do të largohej prej muzikës në periudha të ndryshme, shkaku i situatave të cilat secilin e secilën e vënë para sakrificave dhe, patjetër, prioriteteve.

“I kam pasë pauzat e mia në muzikë, për të reflektuar. Artisti që nuk ndalon ndonjëherë, mundet edhe me u përsëritë apo edhe i humbë kreativiteti. Fillimisht erdhi koha dhe unë u bëra nënë, dhe doja që kohën time t`ia kushtoja fëmijëve, familjes. Në momentin që bëhesh nënë, e merr epitetin më të bukur në botë, ti ndryshon, i kupton më mirë edhe prindërit tu, bëhesh person më i ndjeshëm, më njerëzor. Vazhdova pak me muzikë dhe ndodhi rasti me bashkëshortin tim. Ajo vuajtje nuk zgjati shumë, por mjaftoi që unë të ndërroja. Në shumë aspekte, jam tjetër Adelinë. E pata 1 vit lëndues, operacion pas operacioni, dhe aty e kam zbulu veten sa e fortë jam dhe sa di me menaxhu. Gjatë kësaj kohe, e kam mendu edhe më të keqen; çka boj unë nëse Bardhyli nuk është, çka ndodhë me mua? Gjatë asaj vuajtje shpirtërore, sepse edhe isha larg fëmijëve, isha në gjendje edhe një organ me e largu prej trupit tim, veç me e shpëtu një jetë njeriu. Secili do ta bënte të njëjtën gjë. Atë kohë isha një urë lidhëse, duhej energji edhe për fëmijët edhe për Bardhylin. U konsumova, dihet, dhe më pas shpërtheva prej emocioneve. Shyqyr që gjithçka ka përfundu mirë me bashkëshortin tim, por ishte rast që më shërbeu për reflektim, që me ja ditë jetës vlerën më shumë” tregon Adelina, kur unë e pyes për rastin e sëmundjes së bashkëshortit të saj, Bardhylit. Adelina jo pak herë ka treguar për këtë sfidë që erdhi mysafire e paftuar në familjen e saj, prandaj unë, në këtë tregim që kryefjalë e ka Adelinën, do të doja të kisha vetëm kaq hapësirë dhe jo për shumë për një kapitull të keq, por të mbyllur tani, në jetën e Adelinës.

Adelina më tregon se Bardhylit i shkojnë lotët sa herë që ajo performon, dhe bile edhe dashuria e tyre filloi më intenzivisht pikërisht prej një pjesëmarrjeje të Adelinës në koncertin e grupit Marigona. Bardhyli, para se ta njihjte Adelinën veç i kishte dëgjuar këngët e saj. Adelina thotë se edhe ajo edhe Bardhyli kanë një modesti që shpesh është e tepërt. Bardhyli është më i qetë, e Adelina më ekspresive.

*

Në fund të këtij rrëfimi për jetën e këngëtares Adelina Thaçi, e cila i ka dhënë jo pak muzikës shqipe dhe e ka vendin e saj në historinë e muzikës, aty në kapitullin e zërave të dëlirë dhe të përzier në mes të popit e shpesh klasikes, mund të kërcejmë edhe në dy tri frekuenca.

“E quaj veten me fat sepse përgjatë karrierës sime nuk më ka ndodhë asnjëherë të rrëzohem, në aspektin muzikor. Kam pasur gjithmonë bashkëpunëtorë fantastik rreth vetes. Ka qenë një moment kur jam involvuar në një situatë me njerëz që rrija dhe i kisha në shoqëri, dhe aty erdhi në pah Adelina si këngëtare, por në fund doli e vërteta. Asokohe lajmi doli dhe u bë një bujë për atë tradhëti, por përpos këtij rasti, gjithmonë kam pasur suksese në aspektin muzikor” tregon Adelina.

Kënga e fundit e Adelinës është “Po u mërzite”, me të cilën ajo në festivalin Kënga Magjike 2013 morri çmimin ‘Çesk Zadeja’, i cili mban emrin e kompozitorit të njohur shqiptar.

“E morra këngën prej Aidës dhe Armendit, u mishërova shumë me këngën. Janë disa kategori të cilat as nuk na shohin as nuk na dëgjojnë, dhe doja të bëja diçka për ta. Shkova në RTK dhe i morra një zonjë e një zotëri që e dinin gjuhën për memecët dhe të shurdhërit dhe i morra në skenë më mua, në skenën e festivalit, për të treguar se kënga është edhe për këta njerëz, që i duam shumë dhe kujtohemi për ta. Artistit duhet t’i kujtohen edhe shtresat tjera në popull, sepse artisti është ai që duhet ti vë në pah këto dukuri” më tregon më tutje Adelina.

Folëm edhe për librat, por ta themi që biseda u përthekua në faktin se ‘Alkimisti’ i Coelhos lexohet disa herë në jetë, dhe gjithmonë kuptohet ndryshe. Adelina është nëna e Fionës dhe Melisës, dhe nëse ato në të ardhmen do të duan të jenë këngëtare, Adelina është aty si një nënë shembullore dhe një mjeshtre që do të dalë në ndihmë kurdo të jetë nevoja.

Adelina Thaçi – me mikrofon, anash vajza Fiona

“Këtë vit kam në plan të realizoj disa këngë të reja, ndoshta edhe ndonjë videoklip, por gjithmonë i thjeshtë. Jam në bisedime edhe për një koncert recital me disa këngë të miat. Unë jam ligjëruese në shkollën e mesme të muzikës, kam edhe studion time personale si trajnere vokali. Nuk e di ku e gjej tërë këtë energji, por ajo më buron nga brenda, për të gjitha këto aktivitete” përfundon Adelina.

E presim rikthimin e Adelinës në skenë, një Adeline e cila nuk do të habitemi nëse prapë na sjellë këngë të arritura dhe tekste të menduara e të përpiluara me kuptim e me ide të qartë. Deri atëherë, kemi trashëgiminë muzikore të Adelinës së cilës bën ti kthehemi shpesh e më shpesh.

(Ky tekst është botuar me ndihmën e Komunës së Prishtinës dhe subvencioneve kulturore vjetore nga kjo Komunë)

Të ngjajshme