Nicholas McCarthy, pianisti me një dorë që magjepsi Londrën

22 Korrik, 2025 - 7:00 pm

Më 20 korrik, Nicholas McCarthy mahniti audiencën me performancën e tij në Royal Albert Hall në Londër.

Ai është një pianist i veçantë, i vetmi profesionist në botë që luan vetëm me një dorë, të cilit pesë gishta i mjaftojnë për të krijuar magjinë në piano.

Edhe pse ky koncert përfaqësonte realizimin e një ëndrre për të, McCarthy është tashmë një figurë e njohur për publikun. Në vitin 2012, ai performoi në ceremoninë e mbylljes së Lojërave Paraolimpike në Londër, duke ndarë skenën me grupin Coldplay. Ai sapo ishte diplomuar në Royal College of Music të Londrës, duke u bërë pianisti i parë me vetëm një dorë që kishte përfunduar këtë konservator të shquar në historinë 130-vjeçare të tij.

Në vitin 2018, Princi i Uellsit, tashmë Mbreti Charles, e nderoi McCarthy si anëtar nderi të institucionit, duke e vendosur në radhën e emrave të mëdhenj si Claudio Abbado, Cecilia Bartoli, Daniel Barenboim dhe Pierre Boulez, përcjellë KultPlus.

McCarthy u dashurua me pianon në moshën 14-vjeçare, kur dëgjoi një shok shkolle të luante një sonatë të Beethoven-it. Ai ka lindur pa dorën e djathtë, por nuk u dorëzua. Kur telefonoi në një shkollë muzike, i sugjeruan të gjejë një hobi tjetër, ndaj nisi të studionte vetë. Si autodidakt, më pas hyri në Guildhall School of Music and Drama dhe më vonë në Royal College.

“Përvoja ime dëshmon se muzika është për të gjithë,” tha ai. McCarthy është i vlerësuar nga kritikët, por jo vetëm ata, shumë nga njerëzit që e ndjekin në koncertet e tij janë të rinj në botën e muzikës klasike./KultPlus.com

Të ngjajshme