Nis sot festivali folklorik, Rama ndan pamje nga atmosfera në Gjirokastër (VIDEO)

24 Qershor, 2023 - 11:01 pm

Kryeministri Edi Rama publikoi sot pamje nga qafa e pazarit në Gjirokastër, ku mbrëmjen e kësaj të shtune do të çelet Festivali Folklorik Kombëtar i qytetit të gurtë.

“Tani nga Gjirokastra, që mikpret plot miq e turistë në sokake, dhe gati për të filluar pas pak Festivalin Folklorik Kombëtar”,- nënvizon Kryeministri Edi Rama.

Festivali Folklorik Kombëtar 2023, nis sot në kalanë e qytetit të Gjirokastrës, në një skenë të hapur për të gjithë. Kryeministri Edi Rama edhe më herët ndau një video me pamje nga skena e këtij festivali, ku do të ngjiten 1 200 artistë, ndërsa hyrja është falas.

Për më shumë se një javë, Gjirokastra do të jetë qyteti më turistik dhe kulturor, i hapur për të gjithë grupmoshat për të mirëpritur çdo artdashës, vizitor në kalanë historike dhe përgjatë gjithë qytetit përmes aktiviteteve të shumta dhe muzikës së Festivalit Folklorik Kombëtar. Në Gjirokastrën e bukur dhe turistike, artistë nga i gjithë vendi, diaspora e më gjerë do të performojnë përgjatë 8 netëve në këtë qytet.

Risia e këtij festivali do të jetë numri i madh i të rinjve që do të interpretojnë.  Në festivalin Folklorik të Gjirokastrës do të marrin pjesën dhe grupe muzikore nga 12 qarqet e vendit.

Ansambli Folklorik “Tirana” do të përfaqësojë Tiranën dhe Gjirokastrën në Festivalin Folklorik Kombëtar, që zhvillohet në qytetin e gurtë nga 24 qershori deri në 1 korrik. Ky ansambël, pjesë e Qendrës Kulturore Tirana – Teatri Metropol, ka në repertorin e tij  valle të trevave të ndryshme të Shqipërisë, nga Shqipëria e Mesme, e Jugut dhe valle veriu./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme