Oda gati për turneun e saj të 5-të në Evropë

19 Shkurt, 2018 - 5:30 pm

Alberina Haxhijaj
Foto: Gerta Xhaferaj

Oda Haliti është një DJ nga Kosova që po krijon një prezencë të rregullt duke luajtur në vende të njohura në të gjithë Ballkanin dhe Evropën. Ajo ka gati data për turneun e saj të 5-të në Evropë. Oda do të paraqitet në Munich dhe Berlin të Gjermanisë si dhe në Zurich, Luzern, dhe Lausanne të Zvicrës.

Oda Haliti, është bërë e njohur për performancën e saj si DJ, edhe në festivalet më në zë në Kosovë dhe Shqipëri, ku performanca e saj konsiderohet si qershia mbi tortë e këtyre ngjarjeve kulturore.

“Këto tre vitet e fundit kam qenë pothuajse gjithë kohës në lëvizje si në Evropë ashtu dhe në Ballkan e rajon. Sado që kam filluar të mësohem me këtë ritëm, emocione kam gjithmonë edhe në Kosovë dhe jo vetëm jashtë vendit. Nuk dallojnë shumë paraqitjet, vetëm se kur jam jashtë Kosovës performancat dinë të jenë më sfiduese nganjëherë. Për arsye se publiku përherë është i ri i panjohur për mua, ashtu sikur unë për ta. Prandaj nuk e di kurrë se çfarë duhet të pres, si do të reagojnë apo si do të shkojë paraqitja. Mirëpo pikërisht kjo e bënë procesin e punës sime më emocionues, interesant dhe intrigues”, u shpreh ajo për KultPlus.

Zgjedhja unike e muzikës së Oda-s gjallëron audiencën e saj, gjersa ajo luanë tinguj eksperimentues elektronikë.

Gjatë tri viteve të fundit ajo ka punuar intensivisht në zhvillimin e projekteve të reja muzikore, madje edhe jashtë Kosovës duke bashkëpunuar me artistë të mirënjohur lokalë dhe ndërkombëtarë. Kohët e fundit ajo ka qenë duke u përqendruar në një bashkëpunim me muzikanten e njohur Blerta Kosova, me të cilën kanë krijuar grupin “Tandem”.

Në vijim KultPlus, ju sjellë datat se kur ODA do të performojë në Gjermani dhe Zvicër:

22.02 Rote Sonne – Munich, Germany
24.02 Favorit Bar – Munich, Germany
02.03 Safari Disco – Radio Banda Larga – Berlin, Germany
10.03 “Girls Not Brides” – Photobastei – Zurich, Switzerland
16.03 Uferlos – Luzern, Switzerland
23.03 Genevegas – Lausanne, Switzerland

Të ngjajshme