“Oerknal” nga Holanda solli me mjeshtri artistike tri pasqyra të ShBA-së

29 Mars, 2019 - 4:45 pm

Gili Hoxhaj

Në fund të këtij muaji, tashmë tradicionalisht kryeqytetit i është shtuar një adresë prej nga mund të dëgjojnë instrumentistë të njohur nga bota e vendi, e përmes tyre të përjetojnë një eksperiencë ndryshe muzikore duke përjetuar vepra të stileve të pa dëgjuara më parë në Prishtinë. Me këtë mision Dam Festivali ka vazhduar mbrëmjen e tretë koncertale. Kjo natë solli në Prishtinë ansamblin nga Holanda që drejtohet nga kompozitori e dirigjenti amerikan GregoryCharette, tashmë një emër i njohur e i dëshmuar në Kosovë.

Vepra moderne që u takojnë kompozitorëve që janë akoma gjallë ndërtuan një gërshetim të plotë muzikor prej një teknike të veçantë, që u dëshmua në çdo lëvizje instrumenti nga ansambli holandez.

Dirigjenti GregoryCharette i cili ka dirigjuar jo rrallë herë në Filharmoninë e Kosovës tha se ndihet i lumtur të vijë përsëri në Prishtinë, veçmas në Festivalin “DAM”, të cilin tha se e cilëson tejet të rëndësishëm për muzikën klasike në vend. Veprat e kompozitorëve amerikanë që erdhën mbrëmë, sipas tij reflektojnë tri pasqyra të ShBA-së.

“Secila vepër ka për të thënë diçka për ShBA-në”, u shpreh Charette në fillim të mbrëmjes.

JohnZorn “CatO’NineTails” për kuartet harkor solli në skenë Mariana Hutchinson Simers dhe Raphaella Engelsberg në violinë, Lidwine Dam në violë dhe Rene VanMunster në violonçel. Një formë unike ka pasqyruar mënyra e ekzekutimit të tyre në instrumentet harkore. Interpretimi i tyre i përcjellur nga një komunikim artistik erdhi i gërshetuar profesionalisht në ritmet e përshpejtuara të harqeve mbi instrumente.

Oerknal që erdhi mbrëmë për herë të parë në Prishtinë është kolektiv i muzikantëve ndërkombëtarë me bazë në Holandë të bashkuar nga një pasion për përvojat e reja krijuese dhe besimin se muzika duhet të paraqitet në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të thellë.

Ata kanë performuar në ngjarje dhe festivale të ndryshme në Holandë dhe festivale ndërkombëtare. Ky grup është themeluar në vitin 2013, ndërsa debutuan me album në vitin 2018.

“PressRelease” e kompozitorit amerikan David Lang ka qenë një zgjim akoma më i lartë i tingujve kur skenën i vetëm e ka mbizotëruar instrumentisti Daniel Boeke në bas-klarinetë. Dy karrige të bashkuara me njëra-tjetrën kanë shërbyer për ta bërë më “të rehatshëm” pozicionin e instrumentit që mbante në duar, e interpretimi i tij që qysh në fillim vinte si një këmbanë që njofton se diçka është duke u zhvilluar në mënyrë të pandërprerë. Ky pak a shumë ka qenë edhe koncepti i kompozitorit amerikan Daniel Boeke që e ka kompozuar këtë vepër në fillim të viteve të 90-a. Vepra si e tillë erdhi si një përshkrim artistik i një konference për shtyp, prej të cilës vazhdimisht nxirret diçka.

Tensionin që mund të sjell një konferencë shtypi për të arritur deri tek publiku, duket se e ka përjetuar edhe instrumentisti, i cili ka qenë vazhdimisht pjesë e interpretimit me ritmin e shpejtë të saj dhe pa ndërprerje.

“Unë e luajta një vepër që e kam luajtur për shumë vite. Vepra është shkruar në fillim të viteve të 90-a. Vepra quhet “Konferencë shtypi” pasi që sipas kompozitorit, vepra i ngjanë asaj, duket sikur dikush është duke vendosur  vazhdimisht shënime dhe i ngjanë një makine shkrimi që shtyp vazhdimisht. Kur vjen në fund të saj edhe vet instrumentisti ndihet si i djersitur dhe duket sikur ndjen dhimbje rreth gojës dhe ke nevojë për frymëmarrje”, tregoi instrumentisti Boeke për KultPlus.

Ai tutje tha se për herë të parë vjen në Kosovë ndërsa nga dirigjenti Charette gjithnjë kanë marrë përshtypjet më të mira për këtë vend. Duke qenë se vepra që luajta konsiderohet goxha e vështirë, ai tha se u ndje i kënaqur edhe me energjinë që e përcolli publiku pasi që vepra si për instrumentistin, ashtu dhe për dëgjuesin mund të mos jetë e lehtë.

“Kemi dëgjuar shumë për këtë vend dhe historinë përmes Gregory-t dhe ai ka qenë gjithnjë i emocionuar pasi që është kthyer nga Kosova. Për mua ishte hera e parë që vij në Ballkan në përgjithësi dhe jam ekstremisht i lumtur të jem këtu dhe për të parë vibracionin e këtij qyteti që më ka dhënë një energji pozitive. Jam shumë i lumtur që jam pjesë e këtij festivali. Vepra që e luajta është më të vërtetë shumë e vështirë, më dha goxha stres por edhe adrenalinë por e ndjeva një energji shumë të mirë nga publiku, mendoj  që nuk ka qenë e lehtë edhe për ta, pasi që nga ajo që kam dëgjuar nuk është që është luajtur muzikë shumë e re këtu deri tani, kështu që kurrë nuk e di se si do të reagojë audienca me këtë lloj muzikë që nuk e ka ditur që ekziston”, tha tutje instrumentisti holandez.

Pas tingujve të instrumenteve harkore e atij frymor, vëmendja u fokusua tek pianoja.

Daniel Walden qysh në prekjen e tastit të parë mbajti të njëjtën rrjedhë muzikore, ashtu siç ia kërkonte vepra “Among Red Mountains” e John Luther Adams, e kompozuar në fillim të këtij shekulli. Ka përplasur fort gishtërinjtë mbi piano, e ritmin e saj e ka përcjellë me lëkundjet e kokës duke e dëshmuar edhe më fuqishëm praninë e tij artistike në skenë.

“Vepra vjen me ritëm të zhurmshme qysh nga fillimi dhe nuk ndryshon. Ajo është shkruar nga kompozitori amerikan që jeton në Alaska dhe që e ka inspiruar mjaft shumë pasi që ai shkruan për peizazhet dhe ngjyrat vibruese që vijnë nga pasazhet, ku ka shumë borë dhe që është e njohur edhe për efektet e dukshme të ngjyrave”, tregoi instrumentisti Walden për KultPlus.

Për të është hera e parë paraqitja para audiencës në Prishtinë, ndërsa thotë që ndihet i kënaqur nga puna intensive me festivalin Dam dhe me gjallërinë që ka gjetur në këtë vend

“Është hera e parë që jam këtu dhe ka qenë kënaqësi puna intensive me Festivalin Dam,  dhe përmes pauzave kemi vizituar Prishtinën dhe kemi ndjerë energjinë dhe gjallërinë e Prishtinës” tha tutje pianisti Walden për KultPlus.

Pianisti Walden nuk ka lëvizur nga piano deri në fund të koncertit, pasi që veprën e fundit të tij e ka sjell me Christina Smith në perkusione. Kjo vepër është shkruar nga po i njëjti kompozitor amerikan që ka kompozuar veprën paraprake, ndërsa e kishte kompozuar  në vitin 2002, një vit pas veprës “Among Red Mountains”. Edhe kjo vepër shpërfaqte ndikimin që ka kompozitori me Alaskën. Në një video në YouTube, ky kompozitor tregon se kur sheh dicka dëshiron që atë edhe ta dëgjojë, pra ta kthejë në formë të tingujve.

“Përmes kësaj vepre kam tentuar të sjell ngjyrat muzikore. Ngjyra të reja në tingujt”, thotë kompozitori John Luther.

Dam Festivali këtë vit sjell për herë të parë “Garën e Kompozitorëve të Ballkanit në Prishtinë”. Në këtë mbrëmje finalistët nga Kosova dhe vendit e rajonit do të interpretojnë veprat e tyre./ KultPlus.com

Të ngjajshme