16 Qershor, 2025 - 9:00 pm
“On the Road” titullohej koncerti i pianistit Robert Bisha i shfaqur mbrëmjen e djeshme në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë.
I rikthyer pas 16 vitesh në skenën e TKOB, Bisha solli për të pranishmit një udhëtim muzikor i mbushur me energji eksperimentuese, intimitet dhe vizione që përshkojnë peizazhe mistike dhe metafizike.
Në koncert ishte i pranishëm edhe ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, i cili në një postim në rrjetet sociale ndau momente nga ky koncert si dhe nga takimi me dirigjentin Peter Michael Garst.
“Me Peter Michael Garst dhe Martha Garst pas shfaqjes Piano Solo të Robert Bisha në TKOB, ku në nëntor do kemi një koncert të dirigjuar nga miku i Shqipërisë, drejtuesi i një aktiviteti humanitar në ndihmë të shkollave tona rurale në vitet e vështira 1993 – 2009, dirigjenti prej mbi gjysëm shekulli, Peter Michael Garst (në skena të disa vendeve si: Gjermani, Zvicër, Austri, Francë, Itali, Spanjë, Hollandë), për t’u detajuar si program me drejtorin Aulon Naçi dhe në një format mirënjohjeje e shenjë nderimi për familjen Garst që ndjehet shqiptare në zemër”, tha Gonxhja.
Pianisti Robert Bisha përcolli me virtuozitet një vizion unik i të bërit muzikë, i pasur në përvojë dhe poezi.
Zgjedhja e një blues‑i të lashtë mesdhetar, ritmet shqiptare, ballkanike dhe të Lindjes së Mesme, tema nordike, harmonitë nga lashtësia e muzikës tradicionale evropiane deri tek kërkimet për traditat avangarde dhe natyrisht stilemat origjinale ishin pjesë e koncertit të pianistit Robert Bisha.
Robert Bisha është një virtuoz i pianos, i vlerësuar nga kritika. Lindi në 1984, në Vaun e Dejës, dhe kreu studimet në Itali, kur megjithëse diplomohet për piano, mund të konsiderohet poli-instrumentist e gjithashtu kompozitor. Zakonisht në koncertet e tij, ai luan në disa vegla muzikore. Robert Bisha ka kompozuar edhe për kinematografinë italiane, duke arritur të marrë vlerësime si çmimi i parë “Premio Pertini” si dhe çmimin më të rëndësishëm italian “David di Donatello”, për kolonën zanore të filmit “Anija”, i Roland Sejkos./KultPlus.com