15 Korrik, 2025 - 4:30 pm
Kompozitori Red Radoja krijoi veprën “Ëndrra e Gotfridit” që u ngjit në skenë në kuadër të edicionit të 20-të të Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës së Dhomës.
Radoja, që jeton dhe krijon prej vitesh në Francë, e ka shkruar operën fillimisht në frëngjisht. Tani, për herë të parë, ajo vjen në versionin shqip, duke sjellë një premierë unike për skenën shqiptare, ku muzika klasike, elementet shqiptare, ëndrrat dhe realiteti bashkohen në një akt të vetëm.
Në skenë u ngjitën emra të njohur të muzikës lirike, si tenori Neron Kacerja, mezzo-sopranoja Anita Kërhani dhe bas-baritoni Hektor Leka. Vepra u shoqërua nga një kuartet instrumental, i cili u dirigjua në piano nga vetë autori.
“Ëndrra e Gotfridit” u prit me entuziazëm nga publiku dhe u përjetua si një moment i veçantë artistik, që lidh krijimtarinë shqiptare me standardet evropiane të muzikës së dhomës./ KultPlus.com