15 Korrik, 2025 - 9:17 pm
Flonja Haxhaj
Opera ikonike ‘Carmen’ e kompozitorit franzez Georges Bizet do të prezantohet në Prishtinë nga institucioni i Operës së Kosovës. Ky është një moment historik, jo vetëm për institucionin, por edhe për gjithë jetën kulturore në vend, duke shënuar një etapë të re të zhvillimit artistik në fushën e muzikës klasike, shkruan KultPlus.
‘Carmen’, e adoptuar nga novela e Prosper Mérimée, një nga veprat më ikonike të muzikës klasike dhe realizmit në operë e cila mbetet një nga kryeveprat më të interpretuara në gjithë botën, do të prezanohet edhe në Prishtinë më 22 korrik.
Drejtori i Operës së Kosovës, Meriton Ferizi tha për KultPlus se institucioni i operës po sjell një nga veprat më të famshme të repertorit operistik botëror pikërisht në 20-vjetorin e realizimit të saj në Kosovë për herë të parë.
“Carmen është një nga veprat më të famshme dhe më të dashura të repertorit operistik botëror. Ajo përçon emocione të fuqishme, dramë, pasion dhe muzikë brilante që është menjëherë e njohshme për publikun. E kemi parë si një mundësi për t’i sjellë publikut tonë një vepër klasike me ndikim të madh ndërkombëtar dhe një platformë për të angazhuar artistë të jashtëzakonshëm vendas e ndërkombëtarë. Po ashtu, kjo premierë vjen në përkujtim të 20-vjetorit të realizimit të saj për herë të parë në Kosovë, në vitin 2005”, theksoi Ferizi.
Megjithatë, sipas Ferizit, për një institucion të ri si Opera e Kosovës, realizimi i një vepre kaq të madhe nuk ka qenë pa sfida, sidomos krijimi i një trupe të nevojshme dhe mjete të mjaftueshme financiare.
“Të realizosh një vepër si Carmen kërkon burime të mëdha artistike, teknike dhe financiare. Sfida jonë më e madhe ka qenë ndërtimi i një ekipi të qëndrueshëm artistësh, sigurimi i buxhetit adekuat dhe bashkërendimi i të gjitha komponentëve – nga skenografia e kostumografia te bashkëpunimi me produksionin nga Opera ‘Stara Zagora’ në Bullgari, dirigjentë dhe solistë ndërkombëtarë”, shtoi ai duke folur për vështirësitë dhe sfidat për të vënë në skenë një operë madhështore siç është ‘Carmen’.
Opera ‘Carmen’ vjen në Kosovë si bashkëpunim në mes të Operës, Filharmonisë dhe Baletit të Kosovës, dhe në skenë do të jenë të angazhuar rreth 200 artistë.
“Në këtë produksion janë të angazhuar rreth 200 artistë në total, përfshirë solistët, korin, orkestrën, baletin, korin e fëmijëve, teknikët dhe ekipin mbështetës”, tha Ferizi, teksa shtoi se bashkëpunimi ndërmjet Operës, Filharmonisë dhe Baletit të Kosovës është kyç për realizimin e këtij projekti.
Ndërkaq, për të gjithë ata që nuk do të mund të marrin pjesë në natën e parë, më 22 korrik, do të kenë mundësi që të mund ta ndjekin reprizën, më datë 24 korrik. Në këtë mënyrë, Ferizi tha për KultPlus se në këtë mënyrë, ‘Carmen’ do të jetë e arritshme për të gjithë.
Drejtori i Operës së Kosovës, ndau edhe planet e këtij institucioni pas paraqitjes me ‘Carmen’.
“Pas Carmen, do të vijojmë me sezonin artistik vjeshtor, që përfshin vepra të tjera në bashkëpunim me Filharmoninë e Kosovës, si dhe aktivitete edhe jashtë vendit. Po ashtu, në fundvit, do të rikthehet baleti ‘Arrëthyesi’ në bashkëpunim me Baletin Kombëtar të Kosovës, i cili është tashmë bërë traditë”, theksoi ai për KultPlus.
Ju kujtojmë, se ‘Carmen’ vihet në skenën e Kosovës si një bashkëpunim tjetër në mes të Operës, Filharmonisë dhe Baletit të Kosovës, pas një paraqitje madhështore me operën ‘Carmina Burana’./KultPlus.com