Orkestra e Filharmonisë së Kosovës mban koncert në Izmir të Turqisë më 25 shtator

21 Shtator, 2022 - 6:25 pm

Orkestra e Filharmonisë së Kosovës, më 25 shtator 2022, do të prezantohet me koncert në Izmir, në sallën e madhe të Qendrës Prestigjioze të Artit, “Ahmed Adnan”. Koncerti organizohet në kuadër të Festivalit të 16-të Ballkanik të Kulturës dhe Valleve Tradicionale në Izmir.

Orkestra do të interpretojë uverturën “Coriolan” nga Beethoveni dhe koncertin për piano në a-mol nga Schumanni me soliste, pianisten e mirënjohur turke Yeşim Gökalp.

Pjesa e dytë e koncertit për publikun do të sjellë një panoramë të muzikës simfonike shqiptare me vepra nga Çesk Zadeja (suita simfonike “Skëndebeu”), Lorenc Antoni (“Në Prizrenin e vjetër”), Valton Beqiri (“Loja”), Hajrullah Syla (“Uverturë shqiptare”) dhe versionin orkestral të “Bareshës” nga Rexho Mulliqi me solist Shkumbin Bajraktarin në klarinetë. Në këtë koncert i cili do të dirigjohet nga Gridi Kraja, do të interpretohet edhe premiera botërore e veprës “Sinfonietta” e kompozitorit Kreshnik Aliçkaj.

Koncerti përkrahet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës dhe Komuna Metropolitane e Izmirit./ KultPlus.com

Të ngjajshme