16 Korrik, 2025 - 10:36 am
Në edicionin e pestë të Festivalit Ndërkombëtar të Operas “Rame Lahaj”, publiku do të ketë rastin të përjetojë një bashkëpunim të jashtëzakonshëm: për herë të parë, Orkestra Simfonike e Radiotelevizionit Shqiptar do të ngjitet në skenën e këtij festivali prestigjioz.
Kjo gala-mbrëmje e shumëpritur, me titullin “Rame Lahaj & Friends”, do të mbahet më 2 gusht, ora 20:30, në Sheshin Skënderbeu në Prishtinë, dhe do të udhëhiqet nga Maestro Roberto Rizzi Brignoli, një emër i njohur i dirigjimit operistik ndërkombëtar, përcjellë KultPlus
Orkestra Simfonike e RTSH-së, një nga institucionet më të rëndësishme muzikore në Shqipëri, vjen në këtë koncert me një histori të gjatë dhe të lavdishme që prej themelimit të saj më 16 maj 1962. Në vitin 2017, ajo u nderua me titullin “Nderi i Kombit”, si vlerësim për rolin dhe kontributin e saj në jetën artistike dhe kulturore shqiptare.
Ky koncert vjen me mbështetjen e Zyrës së Kryeministrit të Qeverisë Shqiptare, dhe shënon një tjetër gur themeli në afrimin e institucioneve muzikore të Shqipërisë dhe Kosovës përmes artit dhe bashkëpunimit.
“Ne besojmë thellësisht se arti është forma më e pastër e lirisë dhe se kufijtë mes Shqipërisë dhe Kosovës mund të ekzistojnë në letra dhe harta, por asnjëherë nuk kanë qenë dhe nuk do të jenë pengesë për bashkëpunimin e për rrjedhën e lirë të artit,” – thuhet në njoftimin zyrtar të Festivalit.
Të gjithë dashamirët e muzikës klasike dhe operës janë të mirëpritur të marrin pjesë në këtë ngjarje të veçantë që premton të jetë një natë e paharrueshme artistike në zemër të Prishtinës./KultPlus.com