Pas 50 vjetësh zbulohet xhirimi i humbur i “Beatles” në emisionin e njohur të “BBC”-së

13 Prill, 2019 - 10:00 am

Në Meksikë është gjetur xhirimi i performancës së Beatlesave të famshëm në emisionin e popullarizuar të BBC “Top of the Pops” nga viti 1966.

Xhirimi origjinal nuk është ruajtur, ndërsa videoja të cilën e kishte bërë shikuesi i cili e regjistroi programin televiziv me kamerë zgjat 11 sekonda. Atë e xhiroi një familje nga Liverpooli ndërsa klipi në fund përfundoi në duart e një koleksionisti nga Meksika.

Koleksionisti e ka kontaktuar Kaleidoscope, organizatën nga Birmingham, e cila merret me gjetjen e xhirimeve të humbura televizive, shkruan BBC.

“Mendoj se kjo është kupa e shenjtë për fansat e Beatles. Kemi menduar se xhirimi është i humbur përgjithmonë, sepse videokaseta nga viti 1966 nuk është ruajtur. Është e mahnitshme që e kemi gjetur pas gjithë këtyre viteve”, tha Chris Perry nga organizata Kaleidoscope.

Beatles ka regjistruar disa herë këngë të cilat më vonë janë transmetuar në emision, por live kanë interpretuar vetëm më 16 qershor 1966.

“Nuk e dimë nëse kjo pjesë e historisë së “Top of the Pops” ka humbur përgjithmonë, por programet e BBC nuk janë arkivuar me kujdes dhe disa kanë humbur”, kishte deklaruar menaxheri i marrëdhënieve me publikun i stacionit televiziv në vitin 2000.

Xhirimi i rizbuluar do të shfaqet më 20 prill në BFI në Londër, në kuadër të programit Music Believed Wiped.

“Cilat janë gjasat që diçka e tillë të ndodhë? Ky është me të vërtetë një zbulim i madh”, tha Dori Howard, ligjërues i “Beatles dhe muzika e popullarizuar” në Universitetin Liverpool Hope.

Është gjetur edhe episodi “Top of the Pops” nga viti 1969 me një pjesë të videoklipit promovues të Beatles për singlin e tyre “Something”, transmeton Koha.

Pasi interpretimit live në San Francisko në vitin 1966, kur ishin në kulmin e karrierës së tyre, Beatles kurrë më nuk shkoi në turne. Ata u bashkuan përsëri në vitin 1969 në Londër për të performuar në çatinë e kompanisë Apple Records. Projeksioni filmik “Music Believed Wiped” i përmban 240 performanca muzikore të zbuluara kohët e fundit nga organizata Kaleidoscope.

Të ngjajshme